“Të kthehen serbët në polici, pastaj zgjedhjet në veri”

0
167

Tërheqja e të gjithë pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, kthimi i serbëve në polici dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja – këto janë hapat që Slavisha nga Zubin Potoku i sheh si zgjidhje për shtensionimin e plotë të situatës në veri të Kosovës.

“Të kthehen policët tanë… do të thotë, që ne të kthehemi në punë në [sistemin] e Kosovë. Përderisa janë këtu, do të jetë e vështirë”, thotë ky i intervistuar nga Radio Evropa e Lirë (REL).

Me të pajtohen Miroslav dhe Nemanja nga Zubin Potoku dhe shtojnë se serbët nga veriu duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Serbët në veri braktisën institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si formë e kundërshtimit të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve nga targat serbe në ato të Kosovës. Që atëherë ka pasur një varg krizash dhe protestash të serbëve.

Tensionet e fundit, të cilat u rritën në fund të majit për shkak të ardhjes së kryetarëve shqiptarë në krye të komunave, vazhdojnë edhe më tej.

Danijela nga Mitrovica e Veriut, e sheh zgjidhen e krizës në veri si një proces gradual. Ajo beson se serbët, si pjesë e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të tërhiqen nga protestat para komunave.

“Se çfarë mund të shkojë keq në ndërkohë, nuk jam e sigurt, por evidente është se nuk do të ketë tërheqje të plotë të njësive speciale nga ndërtesat komunale dhe para komunave, gjë që në fakt nuk e përmbushë plotësisht kërkesën e serbëve”, deklaron ajo.

Më 10 korrik, BE-ja dhe Kosova konfirmuan se kanë arritur një marrëveshje për shtensionimin e situatës dhe një një ditë më vonë u prezantuan hapat konkretë: tërheqja e 25 për qind e policisë nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri, organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme vendore pas verës dhe rikthimi në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.

A e pranon Lista Serbe marrëveshjen?

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit, nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse kjo marrëveshje është e pranueshme për ta dhe nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet eventuale.

Nga kjo parti më herët kanë thënë se do të marrin pjesë në zgjedhje vetëm nëse Policia e Kosovës tërhiqet nga veriu, nëse amnistohen të arrestuarit, të cilët autoritetet e Kosovës i akuzojnë për dhunë gjatë protestave, si dhe nëse fillon formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkohë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “individë nga Perëndimi po përpiqen të zbatojnë një truk tjetër”.

Formimi i opsioneve të reja politike si konkurrencë e Listës Serbe?

Dejan Nedelkoviq, aktivist politik nga Mitrovica e Veriut, thotë se ka informacione se lëvizjet opozitare dhe iniciativat qytetare do të marrin pjesë në zgjedhje të parakohshme, pavarësisht nga vendimi i Listës Serbe.

Ai po ashtu thotë se së bashku me bashkëmendimtarët e tij, do të themelojnë një iniciativë të re qytetare, me të cilën do të marrë pjesë në zgjedhje, por me kusht që në to të marrë pjesë Lista Serbe.

“Mendojmë se një pjesë e mirë e kushteve [të serbët nga veriu] nuk janë plotësuar dhe nuk janë krijuar kushtet për zgjedhje, por nëse Lista Serbe shkon në zgjedhje, do të dalim edhe me iniciativë të re qytetare”, thotë Nedelkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai konsideron se Lista Serbe po e humbë mbështetjen e popullit dhe se e ka “humbur legjitimitetin”, pas tërheqjes nga barrikadat e vitit të kaluar.

“Kjo ka mundur të shihet në protestat e fundit, kur u arrestuan serbët nga veriu, kur u sulmua [kryetari i Listës Serbe] Goran Rakiq… Populli në veri është çliruar mjaft, në shprehje, në rrugë, mund të dëgjohet një zë tjetër”, thotë ai.

Lista Serbe, e cila u formua në vitin 2013, me mbështetjen e Beogradit zyrtar, deri vitin e kaluar kishte pushtetin absolut në mjediset e banuara me serbë në Kosovë.

Pothuajse në të gjitha zgjedhjet parlamentare dhe lokale, ajo fitoi mbi 90 për qind të votave. Megjithatë, raporti i Misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve i Bashkimit Evropian, nga viti 2021, tregon se “Lista Serbe e ka monopolizuar jetën politike në bashkësitë serbe të Kosovës”, si dhe se ka pasur raste të frikësimit dhe presionit të ushtruar nga ana e kandidatëve dhe aktivistët e kësaj partie.

Për çfarë saktësisht është arritur pajtimi?

Tensionet në veri të Kosovës kanë vazhduar që nga fundi i majit, kur kryetarët shqiptarë hynë në ndërtesat komunale në veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës.

Kjo u kundërshtua ashpër nga banorët lokalë serbë, të cilët protestuan çdo ditë, me kërkesë që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqet nga veriu dhe kryetarët të mos shkojnë në objektet komunale.

Serbët bojkotuan zgjedhjet e fundit lokale në prill dhe tani nuk i pranojnë rezultatet.

Në seancën e Qeverisë së Kosovës, më 12 korrik, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij publikisht mbështet zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të mbahen pas stinës verës.

“Për ne, si Qeveri e Kosovës, ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë me rëndësi që qytetarët e Republikës, kudo që ata janë, pa dallim, të kenë përfaqësim lokal që i përfaqëson siç duhet. Por, për të arritur këtë gjë është e domosdoshme të krijohet ambienti, i cili e mundëson fushatën e mirëfilltë, pluralizmin politik, pjesëmarrjen e komuniteteve lokale, dhe që garanton paprekshmërinë e votës”, tha Kurti.

Megjithatë, para zgjedhjeve, një pjesë e policëve duhet të tërhiqen nga ndërtesat komunale dhe rreth tyre, në veri të Kosovës.

“Pra, 25 për qind e policëve do të zhvendosen diku tjetër në po ato komuna dhe do të vazhdojnë detyrën atje ku ka më shumë nevojë për ta, meqenëse konsiderojmë se pranë ndërtesave komunale situata tash e dy javë është krahasimisht shumë më e qetë”, deklaroi Kurti.

Muhaxhiri: Zgjidhje diplomatike, nëse pranohet nga dy palët

Njohësi i proceseve politike Artan Muhaxhiri, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, shpreh mendimin se shtensionimi i situatës në veri të Kosovës do të jetë i suksesshëm vetëm nëse Kosova dhe BE-ja janë pajtuar më parë për detajet e hapave për uljen e tensioneve.

“Nëse zoti [i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav] Lajçak është pajtuar me këtë kërkesë të Qeverisë së Kosovës, atëherë, natyrisht se ai ka supozuar apo edhe e ka pasur një pranim nga pala serbe që kjo të ndodhë. Por, tash, zhvendosja e policëve mund të jetë edhe kozmetike, pra, që ata policë të shkojnë në vendet ku nuk kanë dukshmëri të madhe dhe kësisoj ta relativizojnë prezencën e tyre”, thotë Muhaxhiri.

Sipas tij, kjo marrëveshja për uljen e tensioneve mund të jetë zgjidhje diplomatike me kusht që të pranohet nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia.

Duke folur për shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri, Muhaxhiri thotë se ato do të jenë të suksesshme vetëm atëherë kur të sigurohet gatishmëria dhe vullneti i Listës Serbe për të marrë pjesë në to.

“Kjo do ta rrisë legjitimitetin politik të atij procesi zgjedhor. Çdo gjë tjetër, do të ishte vetëm përsëritje e farsës dhe do të ndikonte tejet negativisht në veri”, vlerëson Muhaxhiri.

Që nga shpërthimi i krizës, vendet perëndimore kanë kërkuar që Kosova të ndërmarrë hapa për uljen e tensioneve, ndërkaq Serbia të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet që do të shpalleshin.

(evropaelire.org, 12/07/2023)