Historia e pagesës së rrymës në veri të Kosovës po bëhet përsëri temë e nxehtë. Ditët e kaluara kemi mundur të dëgjojmë se Beogradi dhe Prishtina zyrtare janë afër finalizimit të ujdisë mbi zbatimin e marrëveshjes për energjinë e cila ka të bëjë me katër komunat në veri të Kosovës. Përshtypja është se njerëzit nga Serbia qendrore dhe nga Kosova qendrore presin me padurim zbatimin e asaj marrëveshjeje, nëse do të ketë fare një marrëveshje të tillë. Gjykuar sipas premtimeve të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vučić, marrëveshja vetëm sa nuk është nënshkruar.
Banorët e zonës së komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore nuk e kanë paguar rrymën që nga lufta, që do të thotë qe 23 vite. Këtyre përfitimeve duket se u ka ardhur fundi. Shumë prej tyre kanë përdorur energjinë elektrike falas për të fituar pasuri materiale, përmes dyqaneve, fabrikave, lokaleve dhe institucioneve të ndryshme dhe assesi nuk duhet lënë pa përmendur përdoruesit e makinerive që “minojnë” kriptovaluta. Ka shumë sosh dhe Veriu i Kosovës është një parajsë për gjenerimin e parasë digjitale.
E gjithë ky pështjellim me energji elektrike ndërlikohet nga fakti se veriu i Kosovës furnizohet kryesisht me energji elektrike nga linjat e transmisionit të termocentraleve të Kosovës e pjesërisht edhe me energjinë nga Serbia, përmes Novi Pazarit. Mbetet të shihet nëse sipas marrëveshjes do ta inkorporojnë atë pjesë të energjisë elektrike që vjen nga Serbia në sistemin e Kosovës apo do ta ndërpresin atë dhe tek ajo pjesë e popullsisë do ta shpërndajnë energjinë elektrike nga termocentralet e Kosovës.
Njerëzit në jug të lumit Ibër mendojnë se paguajnë energji elektrike edhe për ata nga veriu, e këtë e mendojnë edhe njerëzit nga Serbia qendrore. E vërteta ndoshta është diku aty, por edhe nëse kjo është e vërtetë, faturat e tyre nuk do të ulen nëse qytetarët e katër komunave veriore fillojnë t’i shlyejnë faturat. Kjo tregon shumë për mentalitetin tonë. Më duket se kjo mostolerancë është rritur me kalimin e viteve, pikërisht për shkak të përfitimeve që ekzistonin në veri të Kosovës. Sistemi është bërë i tillë që njerëzit më nuk e kanë shprehi të paguajnë rrymë, ujë apo tatim. Për largimin e mbeturinave relativisht edhe paguhet, por rryma dhe uji nuk paguhen.
Duke qenë se qytetarët e këtyre katër komunave me vite nuk e kanë paguar rrymën, borxhet janë rritur, kurse konsumi i energjisë elektrike matet me miliona euro në vit. Për shembull, vetëm gjatë vitit 2016, vlera e energjisë elektrike të pafaturuar në katër komuna me shumicë serbe në veri ishte rreth tetë milionë euro. Borxhet janë shumë më të mëdha, duke ditur që faturat nuk janë shlyer prej 23 vitesh. Ashtu siç qëndrojnë gjërat, kësaj pjese të qytetarëve po i buzëqeshin shpenzime të reja mujore. Do të jetë ky një sulm ndaj buxheteve të shumë njerëzve, sepse në përgjithësi dihet që paga mesatare në Kosovë është tejet e ulët dhe Veriu i Kosovës ka stagnuar shumë në këto 20 vitet e fundit, nuk janë hapur fabrika të reja, firma ku njerëzit do të mund të kishin ndonjë fitim. Përveç të gjitha gjërave, është mjaft e sigurt që pagesa e energjisë elektrike do të jetë e vështirë në fillim, sepse thjesht nuk ekziston kjo shprehi tek njerëzit. Sikur janë mësuar t’i zgjidhin gjërat e tilla me rebelim. Natyrisht, e gjithë kjo varet nga marrëveshja në Bruksel dhe zbatimi në terren. Nuk do të më habiste nëse gjithçka do të shtyhej për një kohë të ardhme, gjë që do t’i bënte të lumtur shumë njerëz.
Mendoj se, me kalimin e viteve, disproporcioni ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të Kosovës po zhduket ngadalë. Edhe pse gjërat po ndryshojnë ngadalë, është e qartë se ato po shkojnë drejt njëfarë barazie. Kujtoni vetëm ndryshimin nga 10 apo 15 vjet më parë, sesi Veriu i Kosovës funksiononte pa sundim të ligjit, pa ingerenca të institucioneve të rëndësishme. Tani ajo tablo ka ndryshuar shumë dhe përparimi i veriut të Kosovës varet pikërisht nga marrëveshja e Brukselit dhe zbatimi i saj. Shumë janë të mbështjellur në këtë jetë dhe nuk do të ndryshonin asgjë, shumë të tjerë e kanë gjetur veten, notojnë në këtë status quo mjaft mirë, por është fakt se çdo gjëje i vjen fundi dhe që ndryshimet janë të pashmangshme, të paktën bile në veri të Kosovës.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.