Artefaktet e së kaluarës

Numri prej 1247 zbulimesh dhe artefaktesh me rëndësi historike që janë objekt i kërkesës nuk është aspak i vogël dhe gjithsesi paraqet diçka për të cilën duhet biseduar, por para së gjithash në nivelin profesional e jo në atë politik, sepse një artefakt i mijëvjeçarit të 7 para erës së re në asnjë rast nuk mund të jetë argument politik por vetëm dhe vetëm temë diskutimi në nivel arkeologësh dhe historianësh.

0
191

Paralelisht me njoftimet që kishin të bënin me situatën aktuale në veri të Kosovës, Ministria e Kulturës nga Prishtina vazhdimisht publikon edhe fotografi të shoqëruara me akuza se Serbia po mban në posedim të saj në mënyrë të paligjshme artefakte të rëndësishme historike, të cilat sipas pohimeve të tyre janë gjetur në territorin e Kosovës dhe që sipas konventës së UNESCO-s i takojnë Kosovës. E qartë si dita, do të thoshte dikush, por ka shumë gjëra që ai që shkruan postime të tilla ose nuk i di ose i hesht qëllimisht – nëse nuk i di, atëherë duhet t’i mësojë, e nëse hesht me vetëdije, atëherë ky është qëndrim i cili diskrediton çdo përpjekje të mëtejshme që diçka e tillë të zbatohet në praktikë.

Numri prej 1247 zbulimesh dhe artefaktesh me rëndësi historike që janë objekt i kërkesës nuk është aspak i vogël dhe gjithsesi paraqet diçka për të cilën duhet biseduar, por para së gjithash në nivelin profesional e jo në atë politik, sepse një artefakt i mijëvjeçarit të 7 para erës së re në asnjë rast nuk mund të jetë argument politik por vetëm dhe vetëm temë diskutimi në nivel arkeologësh dhe historianësh. Dhe, natyrisht, në nivelin e profesionit ligjor, sepse koncepti i pronësisë definohet në atë sferë.

Pretendimi se Serbia i mban jashtëligjshëm ato zbulime me vlerë historike është, para së gjithash, i pakuptueshëm dhe, deri diku, disi qesharak. Nuk ka asgjë të paligjshme në këtë, e ja edhe pse. Koha kur janë gjetur artefaktet e përmendura është koha kur ka ekzistuar një shtet i përbashkët dhe kur Kosova si subjekt juridik nuk ekzistonte, e me këtë nuk mund as të ushtrojë të drejtën për të zotëruar diçka që është gjetur para vitit 2008. Po ashtu, Ministria e lartpërmendur e Kulturës nga Prishtina i referohet konventës së UNESCO-s edhe pse nuk është anëtare e asaj organizate, e për këtë arsye nuk ka bazë ligjore për t’iu referuar atij dokumenti dhe në të njëjtën kohë, vetë ai dokument në asnjë pikë nuk përcakton të drejtën për të zotëruar artefakte, sepse po të ishte kështu, gjysma e eksponateve të muzeve të mëdha në Evropë dhe Amerikë do të duhej t’u ktheheshin vendeve të Afrikës, Azisë dhe pjesëve tjera prej nga janë sjellur. 

Edhe pse tashmë kam shkruar një herë për këtë temë, të përmendurit konstant të diçkafit në këtë temë, pa argumente, është vetëm sfidim që të gjithë të përkujtojmë atë që duhet të respektojmë e ai është sistemi dhe rendi ligjor i bërë në atë kohë kur ka ekzistuar konsensus që ato çështje të zgjidhen dhe të kenë bazë juridike. Si një argument tjetër që sigurisht është në anën e Serbisë dhe në lidhje me thesarin kulturor të përmendur është edhe sistemi juridik i ish-shtetit kur shumica e atyre sendeve janë zbuluar. Në atë kohë (RSFJ, RFJ, etj.), Kosova ishte pjesë përbërëse e shteteve të lartpërmendura ndërsa gërmimet dhe puna në terren u kryen nga autoritetet e atëhershme federale me pëlqimin e autoriteteve kompetente krahinore, dhe me vetë atë pëlqim, u fitua baza ligjore që ato autoritete dhe institucione sipas gjykimit të tyre edhe të disponojnë me zbulimet në terren. Pa hyrë në vlerën e tyre historike ose ndoshta materiale, megjithëse kjo është jashtëzakonisht joprofesionale dhe e papërshtatshme, koncepti i pronësisë është përcaktuar nga ligjet e kohës, kështu që rishqyrtimi i asaj çështje nuk mund të kthehet në fillim sepse kishte marrëveshje për posedimin dhe disponimin e tyre. Edhe pse nuk jam jurist, kjo pjesë më është shumë e njohur, ndaj më habit pak përmendja e vazhdueshme e diçkaje për të cilën realisht nuk ka bazë.      

Por nëse e shikojmë të gjithë këtë histori nga ana tjetër, dhe në një këndvështrim pak më të gjerë, është e qartë se bëhet fjalë për krijimin e bazës për formimin e të ashtuquajturës prejardhje ilire të shqiptarëve edhe pse kjo teori është vendosur prej kohësh ad acta nga opinioni publik profesionist, sepse midis ilirëve dhe shqiptarëve nuk ka lidhje as historike e as materiale. Pa pasur qëllimin që të turpërojmë askënd, prej kohësh dihet se historianët shqiptarë janë të prirur kah ajo që pothuajse të gjitha ngjarjet e rëndësishme, dukuritë, ndërtesat, personat dhe mbetjet materiale në Ballkanin Perëndimor t’i paraqesin si ilire dhe si të tyre, edhe pse kjo është shumë rrënuese në aspektin e krebidilitetit, sepse falsifikimi i historisë është një hap në drejtim të shpërfilljes së të tjerëve, e një hap më tej gjendet intoleranca dhe konfliktet. Natyrisht, është e qartë se populli shqiptar ka një histori me të cilën gjithsesi mund të krenohet, por një qasje profesioniste pa prani të politikës është e vetmja që njihet nga historia dhe historiografia zyrtare si e vlefshme dhe e përshtatshme. Nëse do të merreshim me historinë me një kokë më të ftohtë, do të shihnim se historia nuk na grind dhe nuk na ndan, ajo na lidh dhe pajton, ndërsa njerëzit që e keqpërdorin historinë janë ata që mbi themelet e saj ndërtojnë vetëm interesin personal, qoftë ai interes politik apo çfarëdo interesi tjetër. 

Dhe në fund, problemi i artefakteve që përmendëm duhet të zgjidhet, megjithëse zgjidhja dihet, por gjithsesi duhet të bëhen negociata dhe të arrihet deri tek një përfundim në lidhje me këtë, por ta përdorësh këtë çështje si një nga kushtet në një situatë kur është e cenuar siguria momentale dhe kur ajo po kërcënon që të përshkallëzohet edhe më shumë është tejet e papërgjegjshme dhe e panevojshme.


Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.