Këtë vit nuk vjen Babadimri. Së paku jo në disa qytete të Kosovës. Ora policore është në fuqi dhe kjo do të vazhdojë edhe për mbrëmjen më të hareshme e më të “çmendur” të vitit. Çmenduni sa të doni, në shtëpi, ka thënë pushteti. Pushteti nuk lutë, as sugjeron, ai jep urdhëra. Nuk mund të vijë as përmes oxhakut, Babadimri!
Ju fëmijë, të mitur apo të rritur, mos prisni befasi kur të zgjoheni me një janar. Së paku jo pranë bredhit. Edhe nëse gjeni diçka nën bredh, dijeni se është improvizim. Prindërit tuaj po shtiren si babadimër, ose, ruana Zot, po bëjnë kontrabandë me dhurata. Ndoshta edhe më rëndë, mund të jenë këto veprime ilegale të cilat, mos e dhëntë Zoti, mund të degjenerojnë në kriza politike, ndërshtetërore apo ndërnacionale. Ashtu siç ndodhi jo moti me trenin rus, nëse ju kujtohet ende kjo gjë. Apo kriza me Đurić-in.
Njësitë speciale edhe Babadimrin e arrestojnë, ua them unë, nëse s’e respekton orën policore. Edhe maskën ia heqin. E kur Babadimri mbetet pa maskë, nuk ka më festë, nuk është më ai. Zakonisht del të jetë fqinji, apo djali i presidentit, i cili erdhi ditën që të mos hasë në ndonjë patrullë. Eh, kur Babadimri mbetet pa maskë, kjo i bjen sikur kur politika mbetet pa premtime.
Ju kujtohet, dikur, për vit të ri, grabitësit maskoheshin si Babadimër, ndërsa tash ka ardhur kohë e tillë e “çmendur” sa në bankë nuk hyn dot pa maskë. Tash kur të gjithë janë me maska, askush i maskuar nuk grabitë banka, grabitësit tash maskohen si politikanë. E marrin pushtetin pastaj buxhetin, me vendime legale e orientojnë, milionat në fakt i orientojnë drejt vetes, në emër të votuesve. Në rregull, nuk është se nuk e ndajnë me të tjerët, e ndajnë edhe me opozitën edhe me mediat dhe me të gjithë ngapak. Askush nuk e bënë problem. Ja, këto ditë, “gabimisht” financat shtetërore i kaluan dy milionë në llogari private dhe ende nuk është e ditur se a janë kthyer në buxhet sërish. Në fund të fundit, ja, po shkojmë në zgjedhje të reja, pse të kthehen? Përse ato pare t’u lihen… politikanëve të tjerë?
Kështu, përfundimisht, Babadimri nuk vjen këtë vit. Kjo vlen posaqërisht për qytetet e shenjuara me ngjyrë të kuqe, që bëjnë pjesë në zonën e kuqe. Atyre, pas orës 20, as u shkon mysafir as mund të të vijnë. Në disa qytete të cilat ndodhen në zonën e verdhë pak më lehtë, ndërkohë që ata në zonën e gjelbër janë të lirë. Atyre mund t’u shkosh mysafir por jo edhe në lokale. Por, harta është e larme. Shteti na mbron nga vetvetja, sepse, na thonë, afërsia dhe dashuria vrasin.
Gjendja më konfuze do të jetë në ato qytete ku ka dy pushtete, dmth në ato qytete ku policia paguhet nga buxheti i Kosovës ndërsa ekzekuton urdhëra që vijnë nga jashtë, nga veriu!
Ne të cilët nuk besojmë në Babadimër dhe karrocën e tij dikur maskoheshim si ai për të shpërndarë dhurata nëpër fqinjësi, por tash në zonat e kuqe as këtë nuk e bën dot. Këtë guxojnë vetëm ata në zonat e gjelbërta. Të pëlqeu apo jo, pushteti nacional është më i fuqishëm se përralla. Dikur besonim se nuk ka fuqi më të madhe se përralla, sepse aty gjithçka është e mundur. E pra, nuk është!
Kur jemi te përrallat, as Evropa nuk mundet gjithçka, as nuk ofron diçka të re. Dialogu, ende nuk solli asgjë, aq më pak të sjellë dhurata. Ndoshta si dhuratë mund të pranohej edhe një ofertë në formë të kulaqit të zgjeruar i cili jep më shumë mundësi në bisedime, ashtu që të gjithë të fitojnë e askush të mos humbas shumë. Por nuk ka këso oferte. Ata që besojnë edhe më tutje presin.
Pra, a do të fitojnë komunitetet diçka, së paku nga politika lokale, pasi Babadimri u pa puna se nuk sjell asgjë? Zgjedhjet po vijnë shpejt, e politikanët do të japin premtime si zakonisht. Populli i beson politikës ashtu siç besojnë fëmijtë në Babadimër, ndërsa në fund gjithçka do të mbyllet me një dehje masive, dehje politike natyrisht. Për këtë shërben iluzioni kështu që kush e argëton popullin më shumë, ai edhe i ndanë dhuratat, nga buxheti kuptohet. Pushteti fitohet me argëtim dhe premtime.
Kështu. Edhe këtë vit do të blejmë dhuratat që mundemi, por gjithsesi para orës 20. Ndërsa sa u përket dhuratave publike, politikanët tashmë po fillojnë të premtojnë verën në fillim të shkurtit kur edhe pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat u bënë të paevitueshme pasi që ata të cilët sunduan njëzet vitet e shkuara, udhëtuan për në vendin ku iluzionet janë legale.
Murphy do të thoshte, buzëqesh se nesër do të jetë edhe më keq! Po e njihni Murphy-n, atë që veç për keq mendon? Me këtë politikë, Murphy duket realist, por ju mos e besoni! E kemi prekur fundin sivjet dhe tash mund të ngjitemi vetëm lart. Të gjitha i japim, Babadimrin jo. E duam dhuratën tonë nën bredh. Veç ajo parti e cila premton se vitin e ardhshëm nuk ka orë policore, ka gjasa…
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.