Të enjten e 8 dhjetorit, në orën 18, një veturë Golf 4, e kaltër si në të gjelbër, pa targa, hyri në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut dhe po “lëvizte në mënyrë provokuese,” thanë dy dëshmitarë. Një pasagjer uli dritaren e terratisur dhe hodhi një mjet piroteknik të fuqishëm, të njohur edhe si shok-bombë. Nuk pati asnjë të lënduar, por dyqanxhinjtë shqiptarë kërkuan që policia nga jugu të vinin t’i mbronin – ata dhe dyqanet e tyre. Sipas disa punonjësve shqiptarë në këtë zonë, policia mbërriti rreth orës 23:00.
Policia shkoi vetëm te Lagjja e Boshnjakëve dhe nuk hyri në pjesën tjetër të qytetit. Ata patrulluan me grupe prej 10, 6 ose 12 vetash në rrugën kryesore të Lagjes së Boshnjakëve matanë urës nga Mitrovica e Jugut, kaluan kah ETC-ja, Emona City, dyqanet e mobilieve, dhe u vendosën në lagjen pranë dyqanit Topline poshtë rrugës nga kompleksi MTS – një operator telefonik dhe i internetit i Serbisë.
Interesimit të New Perspektivës për të konfirmuar rrëfimet e dëshmitarëve në Lagjen e Boshnjakëve, policia iu përgjigj me një deklaratë jo të qartë shtypi. Shumica e banorëve lokalë – të të gjitha grupeve etnike – nuk japin deklarata nga frika për sigurinë e tyre. Ata që biseduan me ne, folën me kusht që të mbeten anonim.
Kur mbërriti policia ranë sirenat paralajmëruese – njerëzve iu bë thirrje që të dilnin rrugëve dhe ashtu vepruan. Pati shumë meshkuj, pati persona me maska dhe persona të cilët njerëzit nuk i njihnin. Personat të cilët njerëzit nuk i njihnin u shfaqën fillimisht te Kodra e Minatorëve dhe në Mikronaselje, sipas disa banorëve lokalë.
Pastaj, ashtu siç nisi papritur, ashtu edhe mbaroi. Të gjithë u kthyen në shtëpitë e veta, por frika u hapërda gjithandej qytetit – situata ishte përshkallëzuar, por se sa ishte përshkallëzuar, këtë njerëzit ende nuk e dinin.
Persona të maskuar vazhdonin të bredhnin andejpari duke kërkuar telashe edhe mëngjesin e së premtes; ata sulmuan një grup gazetarësh të Kallxo.com-it, të cilët ishin në veturë.
Në ditët në vazhdim, një polic i Kosovës u sulmua në Zveçan dhe një shok-bombë u hodh kundër një patrulle të policisë së EULEX-it. Banorët lokal vendosën barrikada për të bllokuar rrugën drejt kufirit. Edhe BE edhe SHBA kërkuan që “njerëzit të cilët i vendosën ato, t’I largojnë menjëherë.” Dejan Pantić, ish-polic pjesëtar i Policisë së Kosovës, u arrestua me akuzë për terrorizëm. Disa serbë kanë frikë se ekziston një listë individësh që Policia e Kosovës do t’i ketë në shënjestër..
Kjo periudhë e vitit është koha më e mirë për shitoret e Lagjes së Boshnjakëve. Por këtë vit, lagjja, që rëndom gumëzhinë e mbushur me makina e blerës që vijnë që nga Novi Pazari në kërkim të çmimeve të leverdishme, tashti është ndryshe. Të paktën një familje shqiptare është larguar nga Mitrovica e Veriut dhe ka vajtur të qëndrojë te të afërmit në Jug. Edhe serbët, sipas disa njoftimeve, nisën t’i largonin fëmijët nga Mitrovica. Zyra e Prokurorit të Kosovës është ende e hapur, por i ka lëshuar roletat. Edhe shkollat tani janë mbyllur për këtë vit.
Ndërkohë, sipas njoftimeve, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës (ROSU) patrullon me armë të gjata natën në veri. Kjo nuk është konfirmuar nga Policia e Kosovës. Por fotografi e postime me lavdërata e mburrje, me emra e shenja identifikuese janë shfaqur në portalet lokale shqiptare të lajmeve si Jepi.zë dhe Veriu.info, duke i shtuar kështu tensionet. Siç duket, nuk i ka shkuar mendja dikujt se kjo mund t’i rrezikojë pikërisht këta policë dhe ta ndezë situatën edhe më shumë.
Kur New Perspektiva e pyeti policinë se përse këto portale ishin lejuar të publikonin fotografi ku mund të identifikoheshin policët në veri, policia u përgjigj përmes një e-maili se “nuk ishte kompetencë e tyre” për ta ndaluar këtë. Ata nuk konfirmuan nëse ROSU apo ndonjë tjetër njësi speciale e policisë ndodhej atje.
Në një intervistë televizive më 21 dhjetor për kallxo.com, drejtori i operacioneve të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, konfirmoi se policëve të Kosovës u ishte dhënë urdhëri që të mos bënin foto në veri e as të mos i publikonin ato në media sociale.
Ndasitë mes komuniteteve janë thelluar edhe më shumë. “Tani e dimë se kush anon nga kush,” më tha njëri. Banorët e të dyja palëve po e mendojnë edhe bojkotimin; serbët bojkotimin e bizneseve shqiptare në Lagjen e Boshnjakëve, kurse shqiptarët bojkotimin e produkteve serbe.
Shumë shqiptarë pohojnë se, për dallim nga paraardhësit e tij, drejtpërdrejtshmëria e Kurtit dhe mosgatishmëria që të lëshojë pe në çështjet si Asociacioni i Komunave me shumicë serbe (ASM), “na jep dinjitet,” siç tha një biznesmene shqiptare në Mitrovicën e Jugut.
“Unë jam dyzetetrevjeçar dhe kam kaluar nëpër shumë protesta, pastaj lufta dhe tani kjo,” tha një shqiptar, një mik i imi që punon në veri. “Duhet të mbarojë me serbët. Ata thjesht na shohin me përçmim.”
Shumë serbë të Kosovës ndihen ngjashëm. Milana Bulatović, 41-vjeçe, themeluese e galerisë Akvarius, kafene dhe hapësirë për shfaqje – që tani është e mbyllur për shkak të situatës – në Mitrovicën Veriore, tha se është e lodhur që e gjithë jeta e saj të përthithet nga ky konflikt. “Mbas 22 viteve, kur do të mbarojë? Është thjeshtë politikë që i ndan njerëzit.” Duke iu referuar katalizatorit të kësaj përsëritjeje më të fundit, ajo tha: “Kujt i hyjnë në punë 3,000 targa të vjetra të veturave; shumica syresh janë t’vjetra për çfardo tjetër përveç për plehra! A ia vlejnë të humbësh njerëz, të humbësh paqen?”
“Komuniteti lokal minoritar ka shqetësime legjitime,” tha në një intervistë të fundit për Radio Evropa e Lirë, zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan, Gabriel Escobar. Ai tha po ashtu se SHBA do të punojë me partnerë alternativë për Asociacionin e Komunave Serbe, duke shtuar se “një politikan nga një parti nuk mund të largohet nga ky detyrim.”
Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së, duke theksuar se pozita e saj për AKS-në nuk kishte ndryshuar, shtoi: “Ne mendojmë se është me rëndësi që qeveria e Kosovës t’u përgjigjet qytetarëve të vet. AKS është identifikuar nga bashkësia serbe e Kosovës i rëndësishëm për të garantuar se zërat e tyre dëgjohen dhe se të drejtat e tyre mbrohen tërësisht. Ne mezi presim që Qeveria e Kosovës të paraqesë në tavolinë ndonjë propozim.”
Dy javë nga e enjtja, njerëzit janë kthyer nëpër rrugë për të blerë gjëra nëpër dyqane e për të bërë muhabet. Moti është çuditërisht i ngrohtë dhe shiu është ndalur, kështu që fëmijët sorollaten duke luajtur në sheshin kryesor. Barrikadat ende janë të pranishme në veri të qytetit dhe protestat vazhdojnë; të hënën festuan Ditën e Shën Nikollës te barrikadat.
Ndërkohë, Lagjja e Boshnjakëve mbetet e qetë, me pak vetura e qytetarë.