Borrell organizon takim krize mes Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme

0
140

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

Borrell e ka bërë këtë deklaratë në prag të një takimi me ministra të NATO-s.

“Bashkëpunimi mes Bashkimit Evropian dhe NATO-s shkon përtej Ukrainës. Për shembull, në Kosovë ditëve të fundit u pa se sa i rëndësishëm është ky bashkëpunim dhe dëshiroj të falënderoj KFOR-in dhe komandantin e KFOR-it për punën që po bën në veri të Kosovës”, ka thënë Borrell.

“E dini se ka ndodhur një incident me arrestimin e tre policëve nga Kosova dhe po përpiqemi të kuptojmë se çfarë ka ndodhur saktësisht. Jemi në kontakt të ngushtë me Komandën e KFOR-it dhe me të dyja palët, në mënyrë që të shohim çfarë saktësisht ka ndodhur që ka çuar deri te ky arrestim”.

Më 14 qershor, autoritetet e Kosovës kanë thënë se tre zyrtarë të saj policorë janë rrëmbyer nga autoritetet e Serbisë, në afërsi të pikës kufitare.

Serbia, në anën tjetër, ka thënë se i ka arrestuar policët e Kosovës, në thellësi të territorit serb.

Duke folur për situatën aktuale në Kosovë, Borrell ka thënë se, aktualisht gjithçka është kthyer në fazën e menaxhimit të krizave dhe do t’i ftojë palët në një takim urgjent.

“Duhet të bëjmë thirrje për qetësi në terren. Duke parë situatën, duke u përkeqësuar, jemi kthyer në fazën e menaxhimit të krizave. Unë do t’i ftoj dy palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhimin e krizave, javën që vjen, në Bruksel”, ka deklaruar Borrell.

Disa burime diplomatike i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se fjala është për takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nuk është saktësuar nëse ky takim do të organizohet në kuadër të dialogut mes dy vendeve që e ndërmjetëson BE-ja.

Sipas masave që BE-ja ka ndërmarrë ndaj Kosovës – për shkak të mosveprimit të Prishtinës për ulje të tensioneve – takimet mes përfaqësuesve të Kosovës dhe BE-së, do të kufizohen vetëm në takime që e kanë fokusin në qetësimin e situatës në veri të Kosovës.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.

(evropaelire.org, 15/06/2023)