Çmim tepër i lartë 

Përpjekje të këtilla dhe të ngjashme ngjallin frikë tek njerëzit dhe shkaktojnë panikë. Dërgimi i njësive speciale për çdo veprim të mundshëm në momente të brishta si këto, është gjithçka tjetër por jo gjë e mençur. Është gjithçka tjetër por vetëm nuk është mbështetje për paqen.

0
351

Pikërisht kur menduam se një periudhë tjetër e mundimshme ishte prapa nesh, se tani do të lidhnim të paktën disa muaj pa dhunë dhe përshkallëzime të situatës, edhe një herë na zgjuan sirenat për rrezik. Me atë 13 tetor të këtij viti, sirenat e rrezikut u dëgjuan edhe një herë në Mitrovicë. Edhe një herë ato ngjallën trauma, si tek serbët ashtu edhe tek shqiptarët.

Në të vërtetë, gjatë aksionit të luftës kundër krimit të organizuar, më saktësisht luftës kundër kontrabandës së mallrave, më 13 tetor, njësitë speciale të Policisë së Kosovës përsëri, përveç operacioneve në jug, hynë edhe në veri të Kosovës. Duke reaguar ndaj kësaj, qytetarët e Mitrovicës së veriut dhe Zveçanit dolën në rrugë dhe protestuan kundër këtij aksioni. Në vend të protestave të qeta, gjithçka përfundoi me dhunë dhe me përdorimin e shok bombave. Në fund, i tërë aksioni përfundoi me përleshje, me dhjetë të lënduar, ku një person nga Zveçani u plagos rëndë. Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shpjegonte se pse është ndërmarrë aksioni dhe cila është arsyeja, presideni i Serbisë, Aleksandar Vučić, urgjentisht udhëtoi për në Rashkë që të takohet me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.   

Vetëm një ditë pas kësaj dite të mundimshme, kur shumë trauma u zgjuan përsëri dhe gjithçka u bë përsëri e pasigurt, u krijua përshtypja se nuk pati ndikim më të madh të këtij aksioni. Një ditë dhe kaloi. Megjithatë, kjo edhe nuk është bash kështu.  

Së pari, duhet të thuhet që askush nuk është kundër luftës kundër krimit dhe kontrabandës së mallrave. Përkundrazi. Ajo të cilën e kundërshtojmë ne, apo unë personalisht, janë ndërhyrjet e njësive speciale dhe dërgimi i tyre për aksione të cilat mund të kryhen edhe nga policia e zakonshme. Ndërhyrjet e njësive speciale dhe atë veçanërisht në veri. Arsyeja është vetëm një – njerëzit në veri edhe më tej nuk e ndiejnë veten të sigurt gjatë aksioneve të tilla. Përpjekje të këtilla dhe të ngjashme ngjallin frikë tek njerëzit dhe shkaktojnë panikë. Dërgimi i njësive speciale për çdo veprim të mundshëm në momente të brishta si këto, është gjithçka tjetër por jo gjë e mençur. Është gjithçka tjetër por vetëm nuk është mbështetje për paqen.

Në fund të ditës, pyetja është se kush vuan më shumë pasojat gjatë këtyre veprimeve? Unë do të thoja se këto janë marrëdhëniet dhe lidhjet e dobëta që janë ndërtuar mes serbëve dhe shqiptarëve. Në momentet kur duhet të bëjmë gjithçka për t’i forcuar këto lidhje, dikush, për fat të keq, bën gjithçka për t’i këputur ato dhe për t’i dobësuar ato. Dërgimi i njësive në veri nuk bën asgjë tjetër, vetëm shkakton frikë, rrezikon marrëdhëniet e dobëta dhe zgjon traumat dhe frikën që ekziston tek të gjithë. Sepse absolutisht është e ditur se dërgimi i njësive speciale të policisë së Kosovës në veri nxit reagim nga ana e serbëve. Derisa ardhja e njësive në veri është një ndërprerës lidhjesh dhe frikë për serbët, ashtu edhe reagimi i serbëve ndaj kësaj është një ndërprerës lidhjesh dhe një shkaktar frike për shqiptarët. Në fund të ditës, çmimi i veprimeve të tilla është shumë i lartë për t’u paguar, për shkak të, siç më duket mua, thjesht grumbullimit të poenave politikë në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë. 

Dhjetë të lënduar, një person i plagosur rëndë, lidhjet mes serbëve dhe shqiptarëve të lëkundura,  frika dhe traumat u zgjuan. Kjo është, para së gjithash, ajo që fituam me atë veprim të njësive speciale të policisë. Kur bëjmë përllogaritjen e të gjitha këtyre, kur e kuptojmë se veprime të tilla mund të kryhen edhe nga njësitë e zakonshme policore, pa përshkallëzime dhe konflikte, atëherë kuptojmë se po e paguajmë dhe do t’a paguajmë shtrenjtë demonstrimin e forcës dhe fuqisë. Kjo është tepër shtrenjtë për ne. Tepër shtrenjtë për një paqe të paqëndrueshme që mezi e kemi. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.