Edhe një ‘sulm’ enigmatik në Parallovë

Policia e Kosovës është njoftuar në fillim të korrikut se në fshatin Parallovë një person i moshuar i përkatësisë serbe është lënduar si pasojë e gjuajtjes me armë. Ai është dërguar te mjeku, në Qendrën emergjente Rajonale të Spitalit të Gjilanit, ku, sipas Policisë, është konstatuar pa asnjë dyshim se viktima nuk ka qenë i goditur nga ndonjë lloj arme. Por banorët serb e kanë ndërlidhur lëndimin e plakut me “një varg provokimesh”, të cilat, sipas tyre, kanë ndodhur muajt e fundit.

0
1406

Në fillim të muajit korrik është raportuar se një plak serb është sulmuar me pushkë ajrore në afërsi të fshatit Parallovë të Novobërdës. Banorë të zonës dhe përfaqësuesë të fshatit, të cilët kanë kërkuar të mbesin anonim, kanë thënë se plaku ka pasur një plagë në dorën e djathtë, por nuk kanë mundur të vlerësojnë se çfarë plage është. Vetë viktima u ka thënë se është qëlluar me pushkë ajrore. Por në deklaratën që ka deponuar në Policinë e Kosovës, viktima ka deklaruar se është plagosur në mënyrë të paspecifikuar dhe nuk ka përmendur se është qëlluar me pushkë ajrore. Rastin e ka konfirmuar edhe drejtoria e policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit. Zëdhënësi Ismet Hashani ka treguar për “New Perspektiva” se Policia e Kosovës e ka pranuar një informatë nga një përfaqësues i OSBE-së, dhe nga Prifti përgjegjës i Kishës Ortodokse në fshatin Bostan, të komunës së Novobërdës, të cilët ishin bashkë duke u kthyer nga fshati Parallovë, se në atë fshat ishte lënduar një person i moshuar si pasojë e gjuajtjes me armë.

“Policia e Kosovës, njësitet patrolluese dhe hetuesit e stacionit policor të Novobërdës me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Hashani.

Konstatimi i mjekut se nuk ka plagë gërvishtëse

Viktima është dërguar në qendrën emergjente rajonale, ku, sipas policisë, është konstatuar se ai nuk ka qenë i qëlluar me ndonjë armë.

“Është takuar personi serb banues i fshatit Parallovë i cili ka deklaruar se e ka një shenjë mavijosje në krah, i njëjti menjëherë është marrë dhe është dërguar te mjeku në Qendrën emergjente Rajonale të Spitalit të Gjilanit, ku mjeku ka konstatuar se nuk ka plagë “Gërvishtëse” as plagë “Depërtuese”, kështu në bazë të raportit të mjekut, fotografimeve dhe kontrollit detal, nuk ekziston asnjë dyshim se viktima ka qenë i goditur nga çfarë do lloj arme”, është shprehur Hashani.

“Po ashtu është bërë edhe ekzaminimi i rrobave të viktimës, xhaketa me mangë të gjata dhe nuk janë gjetë asnjë gjurmë depërtuese apo grisje e xhaketës, që tregon se nuk bëhet fare fjalë për plagë nga arma”, ka shtuar ai.

Sipas Policisë, gjatë intervistës viktima ka thënë se nuk e di se si është lënduar, se shenjën e “mavijosjes” në pjesën e poshtme të krahut e ka qe katër ditë, dhe se në asnjë rrethanë nuk ka vërejtur se e ka gjuajtur dikush me çfarëdo lloj arme; nuk e din se çka është arma ajrore dhe se në ditën kritike nuk ka parë asnjë person aty pranë.

Rasti mbyllet me shënim administrativ

Pas veprimeve të ndërmarra, policia e ka mbyllur rastin me një shënim administrativ.

“Policia e Kosovës pasi që ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale ku ka intervistuar plakun e moshuar, raportet e mjekut dhe deklaratat e personave që e kanë paraqitë rastin, të gjitha ja ka prezentu prokurorit të Shtetit i cili pasi i ka analizuar të gjitha rrethanat nuk ka gjetë elemente të veprës penale dhe rasti mbyllet me një shënim administrativ”, ka theksuar Hashani.

Por ata që jetojnë në këtë fshat të banuar me popullsi serbe, lëndimin e plakut e kanë ndërlidhur me, siç i quajnë, “një varg provokimesh”, të cilat kanë ndodhur muajt e fundit. “Megjithatë njerëzit nuk guxojnë të flasin, sepse fundja duhet të jetojnë këtu dhe mund të kenë probleme nëse i raportojnë provokimet që u bëhen”, ka thënë një banor i Novobërdës.

“New Perspektiva” ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga prifti i fshatit, mirëpo ai ka refuzuar të flasë për rastin ashtu si edhe për raportet ndërmjet banorëve serbë dhe shqiptarë në këtë pjesë. Për këtë çështje nuk kanë folur as përfaqësuesë të komunës së Novobërdës përkundër interesimit të “New Perspektivës”.

Sulmet e përsëritura

Vitet e kaluara në këtë fshat janë raportuar disa incidente. Një familje serbe dyshohet se mund të jetë shtyrë të largohet nga fshati Parallovë, për shkak të sulmeve. Misioni i OSBE-së (Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë) në Kosovë, i cili i ka trajtuar këto incidente, ka ngritur dyshime se familja Zdravković mund të jetë larguar nga Novobërda për shkak të presioneve edhe pse kjo nuk është konfirmuar në mënyrë eksplicite. Familja Zdravković nga Parallova ka qenë në shënjestër në disa incidente në të kaluarën.

Sipas shifrave të policisë, nga viti 2010 në Parallovë deri më tani janë shënuar 14 incidente. Zëdhënësi i Policisë, Ismet Hashani, ka theksuar se të gjitha rastet janë përcjellë në prokurori dhe gjykata.