Emigrimi i serbëve nga Kosova

Sipas një anketë të bërë me serbët e Kosovës vitin e kaluar, mbi 78% e serbëve kishin nga një anëtar të afërt të familjes që ishte larguar. Në jug të Ibrit, kjo shifër shkonte deri në 86%. Shumica e të anketuarve – veçanërisht ata të moshave 18-46 vjeç dhe ata në jug të Ibrit – thanë se brenda pesë vjetëve të ardhshme nuk e shihninin veten në Kosovë.

0
1376

“Tani nuk kemi shumë klientë,” tha një pronar i disa dyqaneve të mobilieve në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, kur e pyeta se si po i ecën biznesi. “Kam dëgjuar që shumë njerëz po zhvendosen në Serbi.”

Qarkullojnë njoftime se shumë serbë kanë nisur të largohen nga Kosova. Jo vetëm për shkak të situatës jostabile dhe tensioneve në dukje të pafundme, që një serb m’i pëshkroi si një “rreth negativ.” Por një pjesë e fajit ka nisur t’i hidhet më me forcë partisë Srpska Lista (SL, Lista Serbe), parti politike e mbështetur nga qeveria serbe.

Prej dhjetorit të kaluar janë organizuar disa protesta kundër politikanëve të SL-së – përfshirë edhe gjatë shërbesave të Krishtlindjeve kur politikanët e SL-së ishin fishkëllyer – dhe një protestë e madhe në janar në Mitrovicën e Veriut gjatë festave kishte në fokus SL-në.

Një pjesë e madhe e mllefit buron nga kontrolli i vendeve të punës në sektorin publik nga SL-ja dhe nga roli i tyre në protestat e vjeshtës së kaluar. Në veçanti, ndaj kërkesës për të hequr barrikadat më herët dhe pa rezultate, posaçërisht sa i përket tërheqjes së Policisë speciale të Kosovës, gjë të cilën e dëshironin njerëzit.

Para së gjithash, Goran Antić, pronar i kompanisë së udhëtimeve Joe’s Travel, e cila ka qenë e zëshme kundër kësaj partie, e kishte të pamundur të nënshkruante kontrata për ekskursionet shkollore dhe në mënyrë dramatike njoftoi për dëshirën e tij që t’i shiste të gjitha e të largohej.

“Për shkak të presionit të madh të sektit SNS dhe të Listës Serbe mbi tërë disidentët, duke më përfshirë mua dhe pronën time për të disatën herë, ju njoftoj se ma kanë ndaluar të ngas autobusët në ekskursionet e shkollës,” theksoi Antić, siç u raportua në muajin mars në Kossev.

Autobusët e Antić-it në të kaluarën u patën dëmtuar për arsye që ai tha se ishin politike.

Postimet tani duket se janë zhdukur, por nëse serbët mendojnë të largohen për shkak të kundërshtimit ndaj partisë SL, kjo nuk do të thotë se ata janë pro Kurtit. Shumë vetë mendojnë se shpronësimi i pronave nga qeveria e Kosovës për një bazë të re të policisë në veri është një shenjë tjetër se ata duhet të largohen dhe se shoqëria shqiptare nuk i pranon ata.

Njoftimet mbi ndërveprimet e dhunshme me policinë e Kosovës po ashtu i kanë shqetësuar njerëzit të cilët ndihen të frikësuar nga policia e përbërë nga shqiptarë – në veçanti njësitë speciale që bartin armë me tyta të gjata dhe jelek antiplumb – që kryen detyra si ndalime në trafik. Të hënën, më 10 prill, një serb lokal është qëlluar në një pikë kontrolli afër urës së Bistricës dhe katër pjestarë të policisë së Kosovës po hetohen për veprimet e tyre. Fillimisht, policia e Kosovës e mohoi incidentin dhe u kritikua nga ambasada amerikane për mohimin “pa kujdesin e duhur”.

Sipas OJQ-së Aktiv, organizatë me seli në Mitrovicën e Veriut, deri në shkurt të vitit 2023, më shumë se 30 vetë kanë raportuar shqetësime nga policia në linjën telefonike (hotline) të kësaj OJQ-je.  

Drejtues i i një OJQ-je serbe të Kosovës nga jugu i Lumit Ibër deklaroi se për këtë “temë nuk dëshiron të flasë askush. Ata [shqiptarët e Kosovës] nuk e duan askënd tjetër këtu. Ata duan që gjithçka të jetë shqiptare.”

Kur OJQ Aktiv zhvilloi një anketë me serbët e Kosovës në vitin 2022, mbi 78% e serbëve kishin nga një anëtar të afërt të familjes që ishte larguar. Në jug të Ibrit, kjo shifër shkonte deri në 86%.

Shumica e të anketuarve – veçanërisht ata të moshave 18-46-vjeçare dhe ata në jug të Ibrit – pohonin se brenda pesë vjetëve të ardhshme nuk e shihninin veten në Kosovë. Arsyeja kryesore është mungesa e mundësive ekonomike, por e dyta është jostabiliteti politik.

Kjo temë është aktuale edhe në gjithë Kosovën. Miljana Bulatović, pronare e Galerisë Aquarius në Mitrovicën e Veriut tha se do të ishte më mirë që kryeministri Kurti të hartonte politika sesi t’i mbajë të rinjtë e të gjitha komuniteteve nga emigrimi sesa të bezdisë serbët për “makinat e vjetra,” duke iu referuar çështjes së targave.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 42,000 banorë në mbarë Kosovën janë larguar në vitin 2021.

Por për komunitetin serb, situata është tepër akute. “Numri i nxënëse nëpër shkolla në sistemin serb ka rënë në rreth 2,000 që nga viti 2019 (nga mbi 17,000), dhe numri i nxënësve në veri dhe në jug ngadalë po bëhet i barabartë (nxënësit e shkollave fillore në institucionet serbe në veri: 5,676, në veri: 4,070; në shkollat e mesme në jug: 2,919, në veri 2,196). Trendi është alarmues dhe flet për një krizë të thellë të multietnicitetit të Kosovës,” shkroi në një mesazh Milica Andrić Rakic, koordinatore e Nismës së Re Sociale, një OJQ me seli në veri të Mitrovicës.

Zgjedhjet parashihet të mbahen zyrtarisht më 23 prill dhe do të jetë e vështirë të shihet se sa legjitime do të jenë votimet, pasi Lista Serbe refuzon të marrë pjesë në to.

“Pa SL-në në zgjedhje, dalja në votime do të jetë më e ulëta deri më tani, dhe unë pres që të jetë edhe më e ulët se në zgjedhjet e para lokale në vitin 2013 në katër komunat. Kandidatët e zgjedhur nuk do të kenë mbështetje dhe mandat të mirëfilltë për të zgjidhur ndonjë nga çështjet madhore, siç janë negociatat për kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet nga të cilat dhanë dorëheqje më herët. Nuk mund të përjashtoj faktin se ata do të përcillen me patrulla policie për në ndërtesat e komunës dhe do të përballen me pengesa serioze në kryerjen e detyrave [të tyre] për shkak të mungesës së stafit. Ata do të bëhen një mishërim i gjallë i lidhjeve të këputura ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit serb të Kosovës,” përfundon Andrić Rakić.

Srpska Lista nuk iu përgjigj një kërkese për komente.