Escobar: Vuçiq do ta shfrytëzonte ndikimin për t’i bindur serbët të marrin pjesë në zgjedhje

0
47

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë.

“Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat [komunale], Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth [këtyre] ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen”, tha Escobar gjatë një konference për gazetarët në Beograd.

“Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë në to pa parakushte”, shtoi ai.

Escobar tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka siguruar se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për t’i bindur serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet eventuale.

“Sfida më e madhe për Serbinë është t’i bindë serbët që të kthehen në institucionet [e Kosovës]. Tani kjo është ajo ku unë mendoj se ne jemi në linjë me Serebinë. Ne duhet të sigurohemi se ata që marrin pjesë në zgjedhje dhe serbët që kthehen në institucione, janë të mirëpritur”, tha zyrtari i lartë amerikan.

Ai tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, sepse “në rast se do t’ia kthenin shpinën atij, do t’ia kthenin shpinën Evropës”.

“Kjo, në vetvete, është një pasojë shumë e rëndë”, tha ai.

(slobodnaevropa.org, 07/06/2023)