Ja ku erdhi edhe fundi i janarit, moti duket se po e përcjellë situatën, i zymtë dhe me shi, nganjëherë erë nga jugu e nganjëherë nga veriu, në përgjithësi një atmosferë jo edhe aq festive. Derisa në pjesën tjetër të botës ky janar shoqërohet me festime dhe ngjarje më paqësore, tek ne e gjithë kjo mori një ton pak më ndryshe. Të shtëna, plagosje, arrestime, kërcënime, rrahje, do të thoshit asgjë e re. Natyrisht, e gjithë kjo me një ton ironik sepse larg është kjo prej gjendjes normale, por megjithatë është diçka që na ndodh çdo ditë. Gjëja më e keqe është se po mësohemi dalëngadalë me të gjitha këto dhe po e ulim shkallën e normales shumë më poshtë se diçka që do ta quanim të qytetëruar. Mirëpo, që të gjithë kësaj t’i hidhen mëlmesa shtesë u kujdes komuniteti ndërkombëtar, ose të paktën pjesa perëndimore e tij, sepse lindja tani për tani ka disa punë më të rëndësishme. Dhe kjo është diçka me të cilën veçanërisht jemi mësuar, nën tutori dhe vendime në emrin tonë. Kur të gjitha këto i vendosim në tavolinë, nuk është çudi që njeriu i rëndomtë nuk sheh ndonjë perspektivë këtu sado të përpiqen politikanët të thonë dhe të dëshmojnë se gjithçka është normale dhe ideale këtu dhe se si na pret një e ardhme e ndritur. Pa synimin që i gjithë ky tekst të marrë një ton dëshpërues por kushdo që hap sytë e sheh qartë se jeta normale këtu është zëvendësuar prej kohësh nga diçka që vetëm quhet jetë.
Kërcënimet e vazhdueshme për sigurinë kanë ndikuar që ky janar, në vend të disponimit festiv, t’i marrë të gjitha atributet negative të një periudhe të errët. Kush është fajtor për këtë është krejtësisht e panevojshme të thuhet sepse nuk ka kuptim të fajësosh këdo, është e qartë prej kohësh që një praktikë e tillë tek ne nuk ndryshon asgjë, vetëm sa i thellon më tej gropat dhe llogoret në të dy anët. Në vend të programit televiziv festiv, festat e Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve i kaluam me lajme për plagosje dhe të shtëna me armë zjarri; ndërsa pjesa tjetër e botës ishte e brengosur për disa probleme më pak të rëndësishme, ne kishim brenga shumë më të mëdha. Kjo është, thonë ata, pjesë e jetës, por askush nuk e vëren se ne as nuk kemi jetë në kuptimin e plotë të asaj fjale.
Në vend të Babadimrit, fëmijët shikonin në TV për vizitat e diplomatëve të huaj; në vend të filmave dhe serialeve familjare, ne shikonim raporte nga terreni për të shtëna me armë zjarri dhe plagosje. Në përgjithësi, një janar shumë i turbulluar, dhe ashtu siç ka filluar, edhe shkurti do të jetë i njëjtë, por ka një rrethanë me fat në të, shkurti është më i shkurtër, qoftë edhe për një ditë. Pak sarkastike, por mes humorit e sarkazmës dhe ironisë kufiri është i hollë.
Beteja diplomatike në të gjitha frontet, kushte të reja dhe probleme të reja në nivelin politik, shantazhe të reja, provokime të reja, korniza të reja për negociata, plane të reja, iniciativa të reja, kaq shumë gjëra të reja e në fakt gjithçka është megjithatë ende aq e vjetër dhe e stërpërdorur sa bëhet e neveritshme t’i shikosh të gjitha këto në një vend brenda vetëm një muaji. Nga aq shumë lajme, na mbein vetëm fytyra të vjetra dhe të njëjtat probleme, kurse këto lajme dhe risi në të gjitha fushat, në vend që të sjellin diçka të re dhe më të mirë, vetëm po na krijojnë probleme të reja. Sepse nëse dikush në botë është i aftë të krijojë një problem nga çdo gjë, atëherë këta jemi ne, në këtë kemi arritur majat e zotësive tona. Nëse dita e mirë shihet në mëngjes, siç thotë proverbi i vjetër, atëherë më mirë ta anulojmë këtë vit menjëherë, sepse, si ka filluar, 11 muajt e tjerë po më shqetësojnë qysh tani.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.