Sulmet e përsëritura me armë duket se e kanë shtyrë familjen Zdravković të largohet nga fshati Parallovë i komunës së Novobërdës. Megjithatë organet e drejtësisë në mungesë të provave i kanë mbyllur hetimet. Misioni i OSBE-së (Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë) në Kosovë, i cili i ka trajtuar këto incidente, ka ngritur dyshime se kjo familje mund të jetë larguar nga Novobërda për shkak të presioneve.
Në qershor të vitit 2016 ishte shtënë me armë zjarri mbi shtëpinë e familjes Zdravković. Përveç dëmeve materiale nga incidenti nuk ka pasur të lënduar në njerëz.
Në vendin e ngjarjes kishte dalë policia e Kosovës për t’i bërë ekzaminimet dhe hetimet e nevojshme. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka thënë se pas hetimeve të kryera, policia e ka dërguar rastin në prokurori për trajtim të mëtejshëm.
Ndërkaq në prokurorinë themelore të Gjilanit kanë konfirmuar se në mungesë të provave është mbyllur rasti. Sipas tyre, prokurori i çështjes, në mungesë të provave e ka mbyllur rastin me “shënim zyrtar”.
“Stacioni policor i Novobërdës, me numër të rastit 2016-CN-52, i datës 29.12.2016, raportoj mbi këqyrjen e vendit të ngjarjes lidhur me incidentin e datës 10.06.2016, rreth orës 15:00, në fshatin Paralove, ku ka pas të shtëna me armë të zjarrit, nga ana e ankuesit Sinisha Zdravković”, thuhet në përgjigjen elektronike të prokurorisë themelore të Gjilanit.
“Por në rastin konkret në mungesë të provave nuk ka vend për ndërmarrjen e ndjekjes penale, ndaj personit të caktuar në drejtim të veprës penale, Mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 374, të KPRK-se, dhe Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365, paragrafi 1, të KPRK-se”, shkruan më tej në përgjigje.
Sulmet e përsëritura
Sulmi i fundit i raportuar në qershor të vitit të kaluar ndodhi vetëm gjashtë ditë pasi vëllezërit Zdravković kishin qenë cak i një sulmi tjetër derisa po kullosnin bagëtitë në fermën e tyre. Me këto incidente të përsëritura është marrë edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Zyra për informim e OSBE-s në Kosovë ka thënë se familja Zdravković nga Parallova, ka qenë cak i incidenteve në verën e vitit 2016 dhe shumë incidenteve të tjera në të kaluarën. Sipas këtij misioni, incidentet dyshohet që janë shkaktuar nga fqinjët shqiptarë, duke e detyruar pronarin ta shesë pronën dhe “fatkeqësisht të ikë nga Kosova”.
“Pas korrikut të vitit të kaluar, OSBE-ja nuk regjistroi ndonjë incident ndëretnik të sigurisë që do të synonte pjesën tjetër të komunitetit serb të Kosovës në këtë fshat”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së.
Në periudhën e incidenteve të përsëritura në këtë fshat, OSBE-ja thotë se është angazhuar në disa mënyra përmes strukturave të veta në terren.
“Ka pasur angazhim të drejtpërdrejtë me familjen e prekur dhe komunitetin e tyre për të marrë informacione, për të dëgjuar shqetësimet dhe për të nxitur ndërveprimin e tyre me institucionet përkatëse në mënyrë që t’i zgjidhin problemet”, thotë OSBE-ja dhe shton se “stafi i këtij misioni pastaj ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës edhe me komunën për t’u interesuar për këto çështje dhe për të inkurajuar angazhimin proaktiv në mënyrë që të garantohet siguri për këtë komunitet”.
OSBE-ja gjithashtu ka monitoruar edhe raste të shumta gjyqësore përkitazi me incidentet që kanë ndodhur në Parallovë. “Megjithëse nuk është konfirmuar në mënyrë eksplicite, bazuar në prova/informacionet rrethanore, mund të duket se familja Zdravković është shpërngulur për shkak të presionit”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së.
Në deklarimet e mëhershme për mediet serbe, Novica Zdravković kishte thënë se sulmet ndaj tyre janë formë presioni që ta shesin pronën dhe të largohen nga Kosova.
“Ne jemi të shqetësuar për sigurinë e familjes dhe pasurinë të cilën e kemi”, pati thënë Zdravković.
Sipas shifrave të policisë, nga viti 2010 në Parallovë deri më tani janë shënuar 14 raste të incidenteve. Zëdhënësi i Policisë Ismet Hashani ka theksuar se të gjitha rastet janë përcjellë në prokurori dhe gjykata.
“Prej asaj kohe janë rralluar incidentet dhe tani kemi një situatë normale”, ka thënë ai.
Incidentet i ka dënuar edhe kryetari i Komunës së Novobërdës Svetislav Ivanović dhe ka shprehur shqetësim lidhur me sigurinë për shkak të shpeshtimit të tyre.
“Vetëm në javën e kaluar ne kemi pesë krime të raportuara kundër serbëve lokalë dhe pronën e tyre në komunën e Novobërdës, dhe kjo përsëri hedh dyshime mbi mundësinë e bashkëjetesës në mes të serbëve dhe shqiptarëve në këtë komunë”, kishte thënë Ivanović vitin e kaluar përmes një deklarate për media. Ai i kishte drejtuar thirrje policisë së Kosovës që autorët e akteve të tilla të zbulohen sa më shpejt dhe të ndiqen penalisht.