A është pabi Hanë më i miri në Ballkan? Apo, veç në Kosovë? I strukur buzë dyqanit Emona Center në Mitrovicën e Jugut, Hanë është pronë e aktivistes së njohur të shoqërisë civile për të drejtat e grave, Neri Ferizi, e cila e hapi atë vitin e shkuar si vend për të gjithë komunitetin.
Frymëzuar nga kultura e Mitrovicës së paraluftës dhe i emërtuar nga kënga Oj hanë, e Muharrem Qenës, ky pab shërben birra për një euro, me një atomosferë të ngrohtë mikpritëse. Pabi Hanë është për ata që duan të këndojnë, të dëgjojnë muzikë të gjallë, të dëgjojnë poezi, të shohin futboll e të përjetojnë njëfarë ndjesie jete të përbashkët që mungon gjithandej qytetit.
Tridhjetekatërvjeçarja Ferizi së fundmi e ka rihapur pabin pas një renovimi dhe pohon se këtë nuk e ka bërë për para. “I urrej paratë,” thotë ajo, por në Mitrovicë s’ka pasur asnjë hapësirë ku ajo e miqtë e saj mund të shkonin e të rrinin lirshëm. Ajo nuk ka aplikuar për ndonjë fond ndërkombëtar, por ka marrë kredi në një bankë lokale. “Doja ta bëja siç doja vetë,” thekson ajo.
Pabi i mirëpret të gjithë, por Ferizi – aktiviste e njohur për të drejtat e grave që së fundmi u arrestua kur protestoi kundër vrasjes së Hamide Magashit – dëshiron që posaçërisht pabi t’i mirëpresë krejt ata që nuk mirëpriten gjetiu, duke përfshirë edhe komunitetin LGBTQ+, i cili ende mbetet mjaft i fshehur në Mitrovicë. “Nuk është si Prishtina ku disa mund të jetojnë hapur.”
Para luftës, të ardhurat nga minierat e Trepçës e mbanin jo vetëm një klasë të mesme të konsiderueshme në numër, por edhe një shoqëri kozmopolite që merrte disqet e para me muzikë rok dhe xhaz dhe kishte kafene aq interesante saqë vinin për party edhe nga Prishtina.
Ferizi thekson se mungesa e kulturës në Mitrovicë është një çështje që prek edhe ekonominë: “nuk kemi shumë dhe edhe ajo nuk funksionon shumë mirë. Por kemi shumë qendra tregtare dhe nuk e di se kush blen atje. Gjenden kudo. Nuk e di se kush blen [atje]; është interesant.”
Mitrovica sot është e ndarë dhe ngadalë po shndërrohet në diç tjetër, por njerëzit ende nuk e dinë se në çfarë. Tensionet mes komunitetit shqiptar dhe serb janë rritur përsëri. “Miqtë e mi serbë tani nuk vijnë [në pab],” thotë Ferizi.
Por forca të reja të paslufës si rritja e ndikimeve më të rrepta fetare myslimane kanë pasur ndikim edhe te banorët e Mitrovicës. Ka ndarje të tjera veç atyre etnike, sidomos me myslimanët e vijës së ashpër në Mitrovicë. Ferizi thotë, “gjithë kohës flasin për një grua; unë them, Cili është problemi me atë grua? Ku është problemi? Njerëzit s’kanë bukë për të ngrënë e flasin për moralin e një gruaje, dhe pikërisht këtu e kam fjalën [dhe] përse nganjëherë jam shumë e ashpër me ta.”
Qena, i cili vdiq më 2006, kishte lindur në Mitrovicë dhe, përveçse këngëtar, ishte edhe regjisor teatri, aktor dhe dramaturg. Ai ishte pionier i një lloji të shansonës shqipe, muzikë e lehtë pop.
Por Mitrovica kozmopolite e Qenës është qëmoti e shkuar dhe ndonëse pabi Hanë po mundohet ta kthejë atë frymë, ky do të jetë një lloj tjetër kozmopolitizmi. I formësuar nga periudha e pasluftës, por edhe nga mënyra se si një gjeneratë e re e kupton komunitetin dhe diversitetin që ngadalë po pranohet në Mitrovicë.
Sa më përket mua, do ta kemi një party së shpejti në Hanë.