Interpretimi kreativ 

Derisa nga Brukseli pas çdo raundi vijnë zëra lavdërimi, lëvdata për konstruktivitetin dhe angazhimin, nga ana tjetër, pas kthimit në shtëpi, delegacionet garojnë për të vërtetuar atë për të cilën është rënë dakord, por secila në mënyrën e vet, pak për shkak të poenave politikë, pak për shkak të mburrjes, e para së gjithash për shkak të interesave, sepse nganjëherë është vështirë para popullit tënd të pranosh disfatën.

0
142

Prej kohësh e kemi të qartë se procesi i negociatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka arritur në një pikë ku është e vështirë që ai të vazhdohet, por problem shumë më i madh deri tani ishte edhe të kuptoheshin të gjitha ato të ashtuquajtura zgjidhje nga pjesa e gjertanishme e atij procesi. Mirëpo, në stilin e vet, për këtë u përkujdes bashkësia ndërkombëtare, e cila nganjëherë nuk e kupton rolin e saj e nganjëherë e banalizon atë, kështu që në atë boshllëk përgjegjësie të llojit të vet u shfaq një term i ri diplomatik, e që është interpretimi kreativ. Edhe pse më parë do të mund të lidhej me letërsinë ose me ndonjë sferë humaniste të veprimtarisë, në gjithë këtë rrëfimin tonë, ai u shfaq pikërisht aty ku nuk e kishte vendin, dhe atë në politikë dhe diplomaci. Dhe madje një gjë e tillë do të mund të ishte e pranueshme deri diku nëse siguria e të gjithë neve nuk do të varej nga ky interpretim, sepse është e qartë se ne këtu nuk e ndajmë të njëjtën shkallë të kreativitetit me ata që na drejtojnë kah ajo. Por, kur neve na mungon kreativiteti, gjithsesi aty janë zyrtarët e ambasadave apo vetë ambasadorët që na e shpjegojnë poentën e kësaj poeme tonë diplomatike dhe, thënë në gjuhën e popullit, na e shpjegojnë se çka ka dashur të thotë poeti.  

Disa muaj të fundit kanë qenë të mbushur me mjaft kreativitet dhe të paktën nuk kishte monotoni për ne; derisa të parët kërcënonin me forcë, të dytët kërkonin ruajtjen e paqes së fituar me vështirësi, të tretët bënin thirrje për interpretim kreativ, nga ana tjetër populli para së gjithash i thërriste mendjes së shëndoshë. Sepse nuk është e çuditshme që në mjediset tona interpretimi i asaj që është nënshkruar dhe rënë dakord mund të jetë problem më i madh se sa ajo për të cilën në të vërtetë është rënë dakord. Derisa nga Brukseli pas çdo raundi vijnë zëra lavdërimi, lëvdata për konstruktivitetin dhe angazhimin, nga ana tjetër, pas kthimit në shtëpi, delegacionet garojnë për të vërtetuar atë për të cilën është rënë dakord, por secila në mënyrën e vet, pak për shkak të poenave politik, pak për shkak të mburrjes, e para së gjithash për shkak të interesave, sepse mganjëherë është vështirë para popullit tënd të pranosh disfatën. Edhe pse kaherë është e qartë se më së shpeshti gjatë procesit të negociatave të Brukselit nuk arrihet një zgjidhje konkrete por vetëm arrihet deri në kornizën në të cilën secila nga palët mund të interpretojë dhe zbatojë marrëveshjen. Pikërisht këtu, në terren, midis njerëzve të thjeshtë, ne kemi mungesë të atij kreativiteti të përmendur për të cilin na bëjnë thirrje mentorët tanë. Sikur ata qëmoti nuk e kanë kuptuar se ne nuk kemi një mentalitet kreativ kur bëhet fjalë për një zgjidhje paqësore. Për fat të keq, kreativiteti ynë shprehet më së miri në atë pjesë kur duhet t’i bëjmë dikujt dëm – këtu jemi të patejkalueshëm në çdo aspekt, si në aspektin teorik ashtu edhe atë praktik. 

Fitoret dhe humbjet diplomatike sigurisht që nuk pasqyrojnë aftësitë negociuese të asnjërës prej palëve të përfshira por ato janë vetëm një pasqyrim i interesave të atyre nën patronatin e të cilëve zhvillohen negociatat, dhe kjo është bërë e qartë shumë kohë më parë, disa e pranojnë publikisht, e disa e paraqesin në mënyrë kreative si rezultat i një marrëveshjeje mes dy palëve, e cila natyrisht u shndërrua në diçka groteske. Përshkallëzimi i konfliktit nuk lejohet, përveçse kur është e nevojshme për t’i shkundur sadopak palët në negociata nga ëndrra diplomatike në të cilën ato po bien gjithnjë e më shpesh, të pavetëdijshme se në esencë vigjilenca është po aq e rëndësishme sa edhe negocimi.

Këtë kreativitet të rekomanduar e treguan qytetarët e veriut të Kosovës kur në fillim të nëntorit u larguan masivisht nga institucionet e Kosovës, të vetëdijshëm për pasojat por edhe të vetëdijshëm se vetëm kështu mund të tregojnë vendosmërinë në realizimin e interesave të tyre.  Natyrisht, kjo mund të interpretohet edhe si akt politik, dhe kjo është normale, por sigurisht që kjo ishte e vetmja gjë që u kishte mbetur qytetarëve të thjeshtë, sepse mënyra e interpretimit të asaj që ishte nënshkruar kaherë në Bruksel nga autoritetet qendrore në Prishtinë nuk ishte aspak kreative. Anashkalimi i dispozitave të marrëveshjes së targave dhe interpretimi i saj në një mënyrë krejtësisht të ndryshme nga ajo që ishte nënshkruar edhe çoi në gjithë këtë situatë, e cila nuk ishte aspak e patëkeq, por, fatmirësisht, nuk ka pasur përshkallëzim dhe kjo është e vetmja e mirë në gjithë këtë. Sigurisht që nuk do të doja të hyja në një analizë më të thellë të gjithçkaje që ndodhi muajin e fundit sepse edhe tepër është thënë për këtë, por është e qartë se ky ishte një veprim dhe një përgjigje të cilën padyshim askush nuk e kishte shpresuar. Kufiri i tolerancës është zhvendosur prapa, për fajin dhe meritën e kujt është mosmirënjohëse të flitet, por gjithsesi që është e rëndësishme të paralajmërojmë se duhet bërë gjithçka në mënyrë që kjo të mos ndodhë më kurrë.

Në fund, do t’ia lejoja vetes t’u sugjeroja diçka palëve në negociata e kjo është që pas çdo marrëveshjeje të dyja palët të ulen sërish në tryezë dhe të bien dakord për mënyrën se si do të interpretohet dhe zbatohet në praktikë marrëveshja e nënshkruar për të shmangur që dy palë të kenë interpretime diametralisht të ndryshme për një çështje të vetme ligjore, natyrisht, interpretime shumë kreative, siç edhe mund ta shihnim ne që varemi nga ai kreativitet.

 
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.