E hëna e 20 shtatorit i këtij viti në mënyrë të ashpër e rikujtoi atë verën e vonë të vitit 2011, kur veriu i Kosovës ishte absolutisht i mbyllur për disa muaj; njësitë speciale ROSU të barrikaduara dhe njerëzit nën presion dhe frikë. Sado që shpresuam që 2011-ta nuk do të përsëritet, sepse jeta e të gjithë neve ishte në një bllokadë të plotë, ajo prapë po përsëritet, por në kushte dhe kontekst të ndryshëm.
Pasi Kosova vendosi të vë reciprocitetin ndaj Serbisë për targa të automjeteve edhe pas skadimit të Marrëveshjes së Brukselit, me të cilën rregullohet përdorimi i targave serbe në veri, në vend që në mënyrë paqësore të kalojmë tranzicionin sa i përket kësaj çështjeje, ne jemi mbërthyer edhe në një përshkallëzim tjetër, siç po quhet kjo këto ditë. Në fakt, kur Kosova filloi zbatimin e reciprocitetit, njësitë speciale të Policisë së Kosovës u dërguan në veri në vend të ndërrimit të targave, e qytetarët e veriut reaguan ndaj kësaj me tubime të organizuara, masive dhe barrikada në vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak. Që nga e hëna e kaluar, veriu i Kosovës ka qenë pothuajse pa jetë normale, pa transport publik, dhe në Serbi kalohet ose përmes kalimeve alternative ose duke ecur këmbë nëpër vendkalime.
Është vështirë të mos bësh pyetje se ku përfundon kjo? Ku fillon një jetë normale? Kur përfundojnë përshkallëzimet, tensionet, njësitë speciale, barrikadat? Kur do të fillojmë më në fund të jetojmë? Fitohet përshtypja që jeta në veri kurrë nuk është normalizuar dhe kurrë nuk e ka pasur rrjedhën e saj të rregullt sepse gjithmonë ka ekzistuar pyetja kur do të ndodh diçka e re, kur do të vendosin politikanët që të na shfrytëzojnë si mish për top për të fituar edhe ndonjë poen politik. Sikurse edhe tani. Derisa serbët e veriut janë në barrikada kryesisht sipas obligimit të punës, pala kosovare po dërgon njësi speciale, kurse Serbia i dërgon në Rashkë forcat ushtarake dhe tanket. Derisa helikopterët nga ana e Serbisë fluturojnë mbi vendkalime, normalizimi i jetës duket gjithnjë e më larg, ndërsa përdorimi i njerëzve edhe një herë gjithnjë e më i pranishëm. A ka të bëjë kjo kësaj here me zgjedhjet në Kosovë, a është ky përshkallëzim, siç po e quajnë, mënyrë për t’u arritur disa marrëveshje në Bruksel apo është në pyetje diçka krejtësisht tjetër, kjo mbetet pikëpyetje, por fakt është që kjo ekskluzivisht po i shkatërron marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve dhe po e ndal jetën në veri të Kosovës.
Është absolutisht e frikshme të shëtitësh nëpër veri këto ditë. Kafenetë dhe restorantet mbyllen aty rreth orës 3 pasdite, njerëzit flasin vetëm për atë që mund të pasojë dhe planifikojnë të kalojnë në Serbi ose në këmbë ose përmes kalimeve alternative. Në gjithë këtë, problemi më i madh është se situata të tilla po bëhen normale. Kaosi është bërë diçka normale, gjendja e jashtëzakonshme, përshkallëzimet, armët dhe vringëllima me armë. Kjo, në fund të ditës, nuk quhet jetë por kufizim i jetës. Kjo nuk është jetë, kjo është mbijetesë. Dhe të gjithë neve, siç thuhet në popull, na ka ardhur te hunda.
Ndërsa politikanët i shfrytëzojnë këto momente për të propaganduar politikat e tyre nacionaliste, duhet thënë se njeriu i zakonshëm, veçanërisht në veri, është mërzitur më me këtë. Mjaft më me barrikada, me ndalje të jetës, mjaft me njësi speciale, pa marrë parasysh se nga cila anë. Veriu do të dëshironte pak jetë normale, pak përfundim të traumatizimit dhe shfrytëzimit të vazhdueshëm të popullit për hir të poenave politikë. Ne do të donim pak jetë normale, por duket se askush nuk mërzitet më për këtë. Ne thjesht do të donim të jetonim pak.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.