Një Komision i Kosovës për të Vërtetën dhe Pajtimin, KVP, ka qenë në përgatitje e sipër që kur ideja për të u paraqit dhe u mbështet nga presidenti Hashim Thaçi. Është në interesin e Republikës së Kosovës që puna e këtij komisioni të vazhdojë dhe të përfundojë.
Kur po përcaktohej koncepti i KVP-së, Thaçi argumentonte se njerëzit në Kosovë kishin të drejtë të dinin se çfarë kishte ndodhur gjatë luftës. Mbështetja e tij ishte e vazhdueshme dhe zyra e tij ishte e angazhuar në krijimin dhe financimin e punës së Ekipit Përgatitor të KVP-së. Cilado qoftë arsyeja, ai krijoi hapësirën dhe mjetet për krijimin e Komisionit. Thaçi është tani në Hagë, por edhe pse KVP-ja ishte nismë e tij, ai nuk ka pronësi mbi të. Krijimi i këtij komisioni është shumë i rëndësishëm për demokracinë dhe të ardhmen e Kosovës në Evropë.
Qëllimi i KVP-së është t’i ndihmojë qytetarët e Kosovës që janë viktima dhe të mbijetuar të luftës ta kuptojnë të vërteten se çfarë u ndodhi atyre individualisht por edhe komuniteteve më gjerë. Ai ka të bëjë me mësimin e të vërtetës aq sa të jetë e mundur. Nuk ka të bëjë me gjykim dhe fajësim. Puna e KVP-së do të jetë kontribut kyç për drejtësinë tranzicionale dhe rindërtimin e mirëkuptimit dhe paqes së qëndrueshme. Duhet të jetë shembull për të tjerët.
Ky proces i kërkimit të së vërtetës do të ofrojë dokumentim për historinë dhe për ta kuptuar sjelljen njerëzore në ato ditë traumatike që ua ndërruan jetën shumë njerëzve para 20 viteve. Do të jetë një proces edukativ, i cili do ta ndihmojë brezin e ri të periudhës pas konfliktit që ta kuptojë historinë e Kosovës, kontekstin më të gjerë të konfliktit si dhe efektin e tij.
Krijimi i KVP-së është një hap i vështirë por i nevojshëm për t’u ngritur mbi atmosferën e luftës, politikën e urrejtjes dhe nacionalizmin që mbizotëron aktualisht. Është proces për respektimin dhe njohjen e të drejtave të njerëzve që jetojnë në territorin e Kosovës. Është një proces, i cili, nëse zbatohet me mençuri, do t’i sjellë njohje shtetit të ri të Kosovës që do t’i dëshmojë vetëvetes se ka pjekuri qytetare dhe demokratike, që duket se mungojnë aktualisht. Kosova do të shihet si një shtet që është i aftë të veprojë brenda të drejtës dhe konventave ndërkombëtare. Kosova do të tregojë se ka vlerat dhe objektivat e saj, dhe mund të bëjë më mirë se sa të kopjojë narrativën dhe politikat e të tjerëve.
Ekipi përgatitor i KVP-së u krijua para më shumë se 2 vitesh për të hartuar një Akt Normativ që mundëson krijimin e KVP-së. Një punë e madhe është bërë, duke përfshirë edhe hartimin e Aktit. Ekipi është angazhuar në konsultime të gjera në Kosovë por edhe me akterë ndërkombëtarë, përfshirë Qendrën Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale, qeverinë zvicerane dhe organizatën holandeze PAX. Është me rëndësi të thuhet se ekipi e ka bazuar punën e tij në një qasje nga poshtë-lartë, duke dëgjuar njerëzit që janë prekur më së shumti nga ky konflikt ashtu si edhe studiuesit, shoqatat e viktimave, gazetarët etj. Ky konsultim, ndryshe nga njoftimet në media, është zhvilluar në nivele të ndryshme, sidomos në mesin e komuniteteve të ndryshme të Kosovës. Projektligji parasheh një përfshirje më shumë se të barabartë të komuniteteve jo-shumicë të vendit.
Akti Normativ është publikuar dhe i është nënshtruar konsultimeve të mëtejshme. Ky legjislacion u vlerësua lart nga ekspertë të shquar.
Idealisht, KVP-ja duhet themeluar me ligj. Kuptohet se kjo mund të jetë një punë e vështirë për shkak të mosfunksionimit dhe paqëndrueshmërisë së vazhdueshme të Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës. Kosova përsëri ndodhet në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, që nënkuptojnë ndryshime të mëtejshme dhe pasiguri. Diskutimi në parlament dhe mbështetja për ligjin do t’i jepte atij pronësi kombëtare e demokratike, gjëra të cilat nuk do t’ia jepte një proces alternativ përmes dekretit presidencial. Parlamenti duhet të tregojë pjekurinë e tij dhe se e kupton historinë.
Është e qartë se çfarë duhet bërë por kjo pengohet nga dështimet institucionale, mungesa e vullnetit politik dhe pjekurisë. Kjo është çështje që duhet të jetë mbi politikën. Duhet të synohet konsensusi. Ekipi përgatitor dhe të tjerët duhet të mendojnë me kujdes se si të gjenerojnë një dialog politik me parlamentin e ri, i cili shpresojmë se do të ketë deputetë të pjekur, që mendojnë për të ardhmen dhe që kryejnë detyrën e tyre demokratike në mënyrë korrekte. Puna tashmë ka filluar për ndërtimin e konsensusit por bashkëbiseduesit ndryshojnë vazhdimisht për shkak të paqëndrueshmërisë politike.
Nuk nevojitet vetëm mbështetja parlamentare por edhe një mbështetje e mëtejshme aktive ndërkombëtare për procesin. Ekziston përvojë dhe njohuri e gjerë për punën dhe kontributin e ndërtimit të paqes dhe pajtimit në situatat pas konfliktit. Shumica e shteteve Evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, e kanë provuar këtë gjë. BE-ja e ka vënë kusht pajtimin për shtetet e Ballkanit që aspirojnë rrugën evropiane. Ajo duhet të flas me zë edhe më të rreptë.
Për fund, mbështetja në vend është kyçe. Nga konsultimet që janë mbajtur, e dimë që ka mbështetje në vend. Megjithatë, mesazhi më i gjerë që e dëgjojmë shpesh është se ai nuk do të funksionojë këtu, është shumë e vështirë. Këto procese janë gjithmonë të vështira dhe asnjëherë të përsosura. Është shumë më mirë një përgjigje pozitive në kërkim të marrëveshjes dhe zgjidhjeve, të arrihet sa më shumë mirëkuptim dhe një paqe e qëndrueshme mes palëve ndërluftuese të dikurshme, viktimave, atyre që mbijetuan luftën dhe pasardhësve të tyre. Edhe brezat e ardhshëm kanë nevojë për këtë trashëgimi.
Ky nuk është një proces presidencial por qytetar, kombëtar dhe konsensual për të krijuar një institucion që i nevojitet Kosovës për ta forcuar demokracinë dhe integrimin e të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve të saj; për të ndihmuar në njëfarë mënyre për ta mbyllur të kaluarën.