Made in Serbia

Tregtia ka qenë gjithmonë veprimtaria e parë shoqërore që pas luftës lidh dy palë dikur të kundërta dhe kjo ka qenë dhe do të jetë gjithmonë kështu. Dhe nëse dikush bën thirrje për bojkot të produkteve të dikujt, është e qartë se ai dëshiron që të dyja palët të largohen gjithnjë e më shumë dhe se qëllimet nuk i ka të pastra e të sinqerta.

0
460

Titulli i këtij bllogu nuk ka për qëllim të ofendojë apo provokojë dikë, megjithëse është krejtësisht e panevojshme të thuhet kjo, por klima është e tillë që edhe me gjëra të tilla në dukje të padëmshme, ne duhet të paraprakisht të distancohemi. E pra tani kështu të distancuar, le të themi disa fjalë për të gjitha këto, edhe pse është krejtësisht e pakuptimtë të flasësh e të shkruash për diçka të tillë sepse në botën normale dhe të civilizuar për këtë nuk shkruhet sepse kjo është diçka krejtësisht normale. 

Shkas për këtë bllog dhe këtë temë është fushata e ripërsëritur kundër blerjes së produkteve serbe në Kosovë. Për çdo njeri normal, kjo lloj proteste është para së gjithash qesharake dhe joefektive por kemi konstatuar shumë kohë më parë se të gjithë ne këtu jemi larg një shoqërie normale dhe që si të tillë mund të krijojmë në një moment një lloj veprimi politik dhe shoqëror që bota nuk e ka parë deri më tani. Nëse për një veprim të tillë do të jepej një titull profesional, ne do të kishim qenë kaherë doktorë shkencash. Flas me gjuhën popullore sepse ka kohë që është bërë e qartë se shumica dërrmuese nuk e kuptojnë kur e gjithë kjo thuhet në një mënyrë që nënkupton mirësjellje në të shprehur. Asnjë njeri normal nuk mund të pranojë se me bojkotimin e produkteve serbe do të arrihej ndonjë gjë e dobishme në nivel politik, sepse prej kohësh është e qartë se politika dhe tregtia janë dy gjëra të ndara, pasi që arena politike është një gjë, kurse tregu është diçka krejtësisht tjetër; ka kohë që ato dy sfera të shoqërisë nuk e kanë ndjekur njëra-tjetrën. Madje edhe në kohën e krizave më të mëdha politike, gjendej një mënyrë ashtu që tregtia të mos ndalej, sepse njerëzit e zakonshëm varen nga ajo drejtpërdrejt kurse nga politika varen në mënyrë indirekte.

Video klipi në të cilin nga një qese me biskota Plazma dalin gëzhoja plumbash është para së gjithash qesharak dhe mbi të gjitha i menduar shumë keq si i tillë. Por, sido që të jetë, video klipi është këtu, ndaj tani duhet të blejmë Plazma për të parë nëse ka gëzhoja plumbash në secilën prej tyre apo jo; natyrisht këtë e them me ironi sepse është e qartë që asgjë nuk mund ta zëvendësojë Plazmën e lartpërmendur. Ajo prej kohësh është njohur në mbarë botën dhe, sipas disa informacioneve, është produkt nga Serbia që eksportohet në mbi 30 vende të botës, e para së gjithash në tregun e BE-së. Produktin e përmendur e morëm vetëm si shembull, megjithëse është e qartë se problemi nuk është një produkt specifik, por ajo që shkruhet në anën e pasme të tij. Mbishkrimi Made in Serbia është ai gur ku po merret në thua, dhe aty fshehet e gjithë filozofia që e udhëhoqi autorin e këtij video klipi. Nëse ky është problemi i vetëm, atëherë ne nuk kemi probleme, por prapëseprapë më duket se kemi probleme edhe më të mëdha, por ato nuk janë aq politikisht profitabile për t’u apostrofuar në këtë mënyrë – disa probleme futen nën tepih, ndërsa këto për masat e gjera të popullit shtyhen nëpër media dhe rrjete sociale.

Kriza më e madhe politike në 20 vitet e fundit, papunësia, emigrimi, inflacioni, kriza ekonomike në një kuptim më të gjerë janë të gjitha probleme që na bëjnë presion pa marrë parasysh kombësinë, por nuk është e dëshirueshme të flasim për to sepse ato largojnë poena politikë kurse kjo rreth produkteve nga Serbia, e kjo është politikisht fitimprurëse në ndonjë plan afatshkurtër, kështu që edhe po përdoret. Tregtia ka qenë gjithmonë veprimtaria e parë shoqërore që pas luftës lidh dy palë dikur të kundërta dhe kjo ka qenë dhe do të jetë gjithmonë kështu. Dhe nëse dikush bën thirrje për bojkot të produkteve të dikujt, është e qartë se ai dëshiron që të dyja palët të largohen gjithnjë e më shumë dhe se qëllimet nuk i ka të pastra e të sinqerta. Kurse problemet e tjera që ekzistojnë në shoqëri bien në plan të dytë kur përmenden gjëra të tilla dhe kjo është kështu. Kriza ekonomike gjithnjë e më e madhe është aq e pranishme saqë bojkoti do të japë fryte sepse shumica e njerëzve të zakonshëm as që do të kenë para për të blerë produktin e kujtdoqoftë, e jo vetëm atë me mbishkrimin Made in Serbia. Për këtë duhet brengosur e jo për origjinën e produktit, por, siç thashë, kjo nuk është e zgjidhshme, prandaj edhe nuk flitet për të. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.