“A është kjo e mjaftueshme? Jo. A kemi arritur të gjejmë më shumë? Jo. A kemi hulumtuar se si duhet ta përmirësojmë këtë? Po,” tha drejtoresha ekzekutive e organizatës Manifesta, Hedwig Fijen, kur u pyet për rolin e pakicave në Manifesta 14, të mbajtur verën e kaluar në Prishtinë.
Manifesta është një nga festivalet më prestigjioze të artit në Europë. E nisur në fillim të viteve ”90, festivali zbret çdo dy vjet qytet pas qyteti aneqark Evropës. Kur erdhi në Prishtinë, temat e saj ishin rikthimi i hapësirës dhe i solli një pamje jashtëzakonisht përparimtare një qyteti që shpeshherë përkufizohet nga pluhuri, ajri i ndotur, ndërtesat gjysmake prej betoni dhe kafenetë e stërmbushura. Papandehur, bukuria, kultura, mendimi dhe të qenit qendër e një bote shumë më të madhe kulturore, u lëshuan në prehrin e saj. Për 100 ditë, mbi 139,000 vizitorë – disa prej të cilëve s’kishin dëgjuar gati kurrë për qytetin a shtetin – erdhën nga e gjithë bota për të marrë pjesë në këtë bienale.
Qëllimi i Manifesta-s ishte të tregonte një rrëfim, por edhe të rikthente hapësirat e lëna pasdore të qytetit dhe Kosovës. Mirëpo, ku ishin pakicat e Kosovës brenda tërë kësaj?
Në një organizim të fundit të Manifesta 14 mbi çështjen e romëve, kreu i OJQ-së rome Roma Veritas, Avni Mustafa, tha për shoqërinë kosovare: “Flasim për diversitet, por jemi shovinistë.”
Kohët e fundit situata në Kosovë është skajshmërisht e rëndë: marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve pakicë dhe shumicë – dhe posaçërisht serbëve e shqiptarëve – janë tejet të ndera. Ndërsa kërkesat për Asociacionin e Komunave Serbe rriten dhe njëlloj edhe refuzimi brenda bashkësisë shqiptare të Kosovës, Kosova po i rishqyrton marrëdhëniet e saj ndërmjet komuniteteve. Në disa qarqe, njerëzit madje pyesin nëse kjo është mirëfilli një shoqëri multietnike.
Kur një organizatë si Manifesta 14 vjen në Kosovë dhe zbarkon midis kësaj, si i përfaqëson ajo të gjitha bashkësitë në Kosovë?
Një gjë që kam vënë re teksa qëmtoja këtë artikull është se sa njerëz e kanë parë ekspozitën. Në njërën anë, pati shumë ekspozita “të përhershme” vizuale të artit. Në anën tjetër, pati performanca, debate, rrëfime dhe një sërë ekspozitash. Këto të fundit prireshin të kishin më shumë artistë të pakicave.
Thirrjes për pjesëmarrje në Manifesta 14 i janë përgjigjur 155 artistë.
Sipas zëdhënëses së Manifesta-s: “Për dallim nga edicionet e mëparshme të Manifesta-s, këtë herë kemi marrë një vendim të vetëdijshëm që të investojmë në praktikat e artistëve vendës e rajonalë. 64% për qind e pjesëmarrëve ishin nga Ballkani Perëndimor dhe 39% për qind nga Kosova. Nga tërë pjesëmarrësit, 25% ishin kolektive. Manifesta 14 e ka përmbushur barazinë gjinore në programin artistik; 56% e pjesëmarrësve ishin gra, 3% jo-binar dhe 41% burra.”
Nga 200 vullnetarë, 53 vinin nga komunitetet pakicë. Kishte 113 artistë që kontribuuan. 48 syresh ishin nga Kosova. Nga pakicat e Kosovës ishin: 3 romë, 2 serbë (jokosovarë) dhe 1 ashkali, 8 të padefinuar. Siç vuri në pah kuratorja Catherine Nichols: “Teksa ishin të përfshirë artistë nga Serbia, përzgjedhjen e artistëve nuk e kam bërë duke i dalluar si serbë të Kosovës. Fjala vjen, më ka pëlqyer shumë vepra e Barbara Prenka-s [e lindur në Gjakovë], por edhe veprat e tjera ishin të rëndësishme në kontekstet e llojllojta që kanë evoluar pos saj. Nuk do të kisha dashur ta përfshija atë sa për sy e faqe. Më mirë do të prisja një mundësi tjetër që ajo ta shfaqë veprën e saj në një kontekst të qëlluar. Isha shumë e lumtur në fund kur pashë se ajo u bë pjesë e Manifesta-s 14: në projektin e Arkivit Dytësor që ishte në ekspozitën Good as Hell: Voicing Resistance në Galerinë Kombëtare të Kosovës.”
Manifesta 14 pati gjithashtu një luzmë partnerësh nga Kosova dhe gjithandej rajoni për të garantuar shumëllojshmëri.
Miodrag Millićević, Drejtor Ekzekutiv i OJQ-së Aktiv, partner i Manifesta-s 14 nga Mitrovica Veriore, theksoi se donte të kishte ndryshime në atë që ishte planifikuar të organizohej për pakicat, që të mos barteshin vetëm në Graçanicë apo në zonat e tjera me pakica. Millićević-i donte konkretisht që pakicat të përfaqësoheshin brenda Prishtinës. Aktiv pati një debat “të gjallë” me Manifesta-n, dhe Aktivi organizoi debate me shqiptarë e serbë të Kosovës në Prishtinë. Më e rëndësishmja, ata sollën Shkollën e Rokut të Mitrovicës – organizatë që përfshin muzikanët të rinj nga të gjitha bashkësitë – për një koncert në Prishtinë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit.
Millićević-i tha gjithashtu se shumë artistë të cilët i ftoi, nuk donin të merrnin pjesë, ngase disa artistë – edhe serbë, edhe shqiptarë – mendonin që bashkësia ndërkombëtare dhe donatorët duhet t’i mbështetin ata drejtpërsëdrejti dhe jo Manifesta 14.
Artistë të tjerë, si egjiptasja e Kosovës, Mirjeta Qehaja, egjiptasja e parë që ka diplomuar nga programi i Arteve të Lira të Universitetit të Prishtinës, shquhet për seritë e pikturave për Holokaustin Rom, që merret me gjenocidin kundrejt bashkësive rome, sinti, dhe për aktivizmin i saj në Kosovë në emër të romëve, ashkalive dhe egjiptasve nuk ishte përfshirë. ERIAC – me bazë në Berlin – partner i Manifesta-s 14 që përzgjodhi artistë romë, zgjodhi Fahrie Mehmetin, piktore autodidakte (Vëllai i saj po ashtu pati një performancë rrëfimi).
Qehaja tregoi për komunikimin e saj me ERIAC, dhe tha se ajo iu drejtua atyre që të përfshihej, por ERIAC thotë se mesazhi i saj duket të mos ketë bërrijtur tek ta. Nichols thotë: “I kam shqyrtuar gjithë emrat në listën e artistëve që më ka dhënë ERIAC. Me sa mbaj mend, pjesa më e madhe e emrave në listë ishin emra artistësh që jetonin dhe vinin nga vendet e tjera, jo të Kosovës. ERIAC shfrytëzoi mundësinë e Manifesta-s 14 që në fakt të nxirrte në pah artistë të ri për regjistrin e tyre, ngaqë ishin befasuar vetë që nuk kishin një grup të madh emrash nga Kosova për t’i përzgjedhur.”
Megjithatë, Manifesta 14 nuk përfshiu shumë performues dhe grupe performuese të ndryshme rome, ashkali dhe egjiptase, me artistë pakicash, duke përfshirë PykëPresjen nga Prizreni. “Grupi përfshin Blerta Hazirajn, Sezgin Boynik-un, Tevfik Rada-n dhe Somer Špat-in, tre prej të cilëve identifikohen si turq të Kosovës dhe gjuhë të parë e kanë turqishten. Ata janë të angazhuar shumë për çështjen e nacionalizmit turk në ish-Jugosllavi,” tha Nichols.
Teuta Hoxhës – aktiviste e shoqërisë civile – i kishin kërkuar të themelonte një Komitet të Diversitetit, për të garantuar përfshirjen e komuniteteve pakicë. “Gjithë karriera ime në shoqërinë civile ka qenë në një rrreth multietnik dhe një kërkesë e tillë më erdhi fort natyrshëm, sepse Manifesta është diçka që ndodh një herë në jetë, dhe jep kontribut për të gjithë, pa dallim etnie. Prandaj, ata që punojnë në Manifesta duhej t’u përkisnin të gjitha grupeve etnike në Kosovë.”
Hoxha vijoi duke thënë se prioritet i saj ishte “të kishte sa më shumë që mundej pjesëtarë të komunitetit rom, për një arsye shumë të thjeshtë: ata janë komuniteti më i margjinalizuar në Kosovë. Ata nuk kanë kushte të barabarta, nuk kanë vëmendjen e nevojshme të të gjitha institucioneve dhe, kësilloj, nuk u ofrohen mundësi të barabarta me bashkëmoshatarët e tyre.”
Sidoqoftë, Manifesta nuk ka mbaruar. Në shkurt u hap Qendra për Praktikë Narrative – një bibliotekë, vend pune, vend takimesh si dhe vend për të gjitha projektet dhe ekspozitat e komuniteteve. Në bibliotekën Hivzi Sylejmani, afër komunës së vjetër të Prishtinës, është vendosur në mënyrë të përsosur në këtë lagje multietnike të kryeqytetit. Manifesta iu është afruar banorëve të cilët kanë kërkuar posaçërisht që hapësira të jetë multetnike dhe aty ka libra në gjuhët serbe, boshnjake, turke, angleze dhe shqipe. Hapësira mund të përdoret falas dhe është e hapur nga e hëna në të premten, nga ora 10:00 deri 18:00.
Veç tjerash, Manifesta do të përkrahë organizime të tjera multietnike për të paktën tri vitet e ardhshme në këtë hapësirë, duke përfshirë ngjarje artistike, ndërmjetësime kulturore, rrëfime, dhe të paktën një ekspozitë të madhe vjetore bashkëkohore të artit.