Takimi i së shtunës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, në qytetin e Ohrit duket që do të shërbejë si një prelud për takimet e ardhshme në funksion të definimit të zbatimit të Propozimit të BE-së – Marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, apo siç është quajtur deri më tani Plani franko-gjerman. Kjo së pari pasi funksionalizimi i plotë i kësaj marrëveshje supozohet të ndodhë në praninë e shteteve që e inicuan si të tillë. Më pas, ende duket që ekzistojnë vështirësi në mënyrën e zbatimit praktik të çështjes së Asociacionit. Po ashtu, ky takim pritet vetëm që të jetë udhërrëfyes praktik i zbatimit të marrëveshjes së BE-së dhe modaliteteve të saj.
Supozohet që nënshkrimi final i marrëveshjes së propozuar të BE-së do të duhej të ndodhte ne praninë e shteteve që e kanë nisur një projekt të tillë. Prandaj, sipas gazetarit Muhamet Hajrullahut, në këtë takim palët vetëm se do të dakordohen mbi aneksin e zbatimit të marrëveshjes. Ai është shprehur që pret të jetë Parisi vendi i nënshkrimit të marrëveshjes “pasi fillimisht kjo nisi nga plani Franko-Gjerman dhe pastaj përfundoi në një plan të miratuar nga të gjitha shtetet e Bashkimit Europian”. Në këtë mënyrë, duket që takimi i Ohrit nuk perceptohet si takim i cili pritet të ketë rol përfundimtar sa i përket zbatimit formal të marrëveshjes mes dy shteteve.
Një tjetër temë sensitive sa i përket takimit të Ohrit dhe specifikisht përpjekjeve për zbatim të marrëveshjes së bazuar në planin franko-gjerman është mënyra e funksionimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe që në këtë pikë perceptohet si një temë jo e qartë. Për shembull, sipas analistes Alma Lama, takimi i Ohrit “do të hapë për diskutim modalitetet për asociacionin që çon drejt një autonomie për serbët e Kosovës” duke bërë një hap shtesë në drejtim të formësimit të mënyrës së funksionimit të kësaj marrëveshjeje. Duhet shtuar se në këtë drejtim, shteti i Serbisë ka kërkuar më shumë qartësi mbi atë se si pritet të implementohet një proces i tillë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet që asociacioni në kuadër të kësaj marrëveshjeje pritet të ndikojë në rritjen e autonomisë për serbët e Kosovës dhe si i tillë do të dëmtojë sovranitetin e shtetit të Kosovës. Çështja e asociacionit është njëra ndër temat qendrore në këtë debat dhe vetëm qartësimi i saj i mëtejshëm do të dëshmojë mbi efektet reale të marrëveshjes mes shteteve.
Në përgjithësi, bazuar në deklaratat e shumë akterëve politikë dhe analistëve, ky takim shërben ndoshta praktikisht si një lloj tranzicioni për takimin e radhës që në fakt pritet të jetë i një rëndësie substanciale sa i përket arritjes së marrëveshjes mes dy shteteve. Takimi i Ohrit duket që më shumë ka të bëjë me diskutimin e modaliteteve të marrëveshjes mes dy shteteve dhe mbi të gjitha zbatimit praktik të saj. Sidoqoftë, ky takim sipas të gjitha gjasave nuk pritet të jetë i një karakteri final dhe që takimet që do pasojnë do jenë vitale sa i përket përpjekjeve për finalizim të marrëveshjes. Kjo nënkupton që një takim i tillë mund të mos jetë ndoshta edhe veçanërisht produktiv, por, të paktën, mund të kontribuojë në arritjen e marrëveshjes mes shteteve.
Takimi në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë është një përpjekje shtesë në drejtim të zbatimit konkret të propozimit të BE-së ose Planit franko-gjerman por që nuk duket të jetë një takim i një natyre definitive. Në fakt, ky takim duket që do të kontribuojë në qartësimin e disa çështjeve në këtë drejtim të cilat më pas do të finalizohen në njërin nga shtetet kryesore të Bashkimit Evropian. Lidhur me këtë, ndonëse nuk duhet patur pritshmëri të larta për këtë takim, të paktën është mirë që ky takim të jetë konstruktiv.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.
Mbi rëndësinë e takimit të Ohrit
Takimi në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë është një përpjekje shtesë në drejtim të zbatimit konkret të Propozimit të BE-së ose Planit franko-gjerman por që nuk duket të jetë një takim i një natyre definitive.