Më 23 nëntor, kryediplomati evropian, Josep Borell, cicërroi se Kosova dhe Serbia – nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – arritën marrëveshje për targat. Kjo marrëveshje i dha fund një situate që po përshkallëzohej në veri të Kosovës. Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova ra dakord që të mos e zbatojë vendimin e saj për konvertimin e targave nga qytetarët që kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia, e Serbia të mos lëshojë më targa të reja me akronime të qyteteve të Kosovës, dhe që të përqendrohen plotësisht mbi propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes tyre.
Takimi mbi gjashtë-orësh në mes të kryenegociatorëve të të dy shteteve përkoi me ditën e fundit të afatit shtesë për marrëveshjen mbi targat, para se Kosova të fillonte gjobitjen e shoferëve me targa që i konsideron ilegale.
Me kërkesë të SHBA-së, Kosova e pati shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e veturave me targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Para këtij takimi, më 21 nëntor, në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, me ndërmjetësimin e BE-së. Mediet raportuan se edhe pas 8 orë bisedimesh, nuk ishte arritur ndonjë marrëveshje.
Josep Borell, në një konferencë pas takimit, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka pranuar marrëveshjen që të suspendohet vendimi i Qeverisë për targat.
Presidenti Vučić dhe kryeministri Kurti, edhe pas 8 orë diskutimesh, nuk kane arritur marrëveshje. “Presidenti Vučić e pranoi sot [propozimin] por, me keqardhje, kryeministri Kurti jo,” ka theksuar Borrell.
Ai shtoi se do t’i njoftojë ministrat e jashtëm të BE-së dhe partnerët ndërkombëtarë për sjelljen e palëve në dialog e për dialogun në përgjithësi. Ai veçanërisht ka qenë kritik ndaj Kosovës që nuk po i respekton marrëveshjet ndërkombëtare.
“Do të informojë shtetet anëtare të BE-së, kolegët e mi ministra të jashtëm, dhe partnerët tanë për sjelljen e palëve dhe mungesën e respektit ndaj obligimeve të tyre ligjore ndërkombëtare – dhe më duhet thënë, kjo vlen veçanërisht për Kosovën. E di, kjo dërgon një sinjal shumë negativ politik”, ka thënë Borrell.
Pas kësaj deklarate, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami cicërroi se “në takimin urgjent të dialogut, Kosova ka propozuar që të pezullojë fazat e mëtutjeshme të konvertimit të targave, në këmbim që Serbia më të mos lëshojë targa ilegale dhe BE-ja të fillojë procesin e bisedimeve bazuar në propozimin e fundit të mbështetur nga Gjermania dhe Franca”. Sipas tij, ishte “e çuditshme” pse kjo u refuzua.
Kryeministri Kurti në një konferencë për media pas takimit tha se kryediplomati Borrell kishte hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Kurti tha se korrigjimi i “gabimit të Borrellit është i domosdoshëm”.
Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, reagoi pas këtyre deklarimeve të kryeministrit Kurti. Ai tha se “çdo pretendim se BE-ja po heq dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e mbështet Gjermania, Franca dhe SHBA-ja, është i pasaktë”.
Mosarritja e një marrëveshjeje në takimin e parë dhe këto deklarata, u përcollën me shumë kritika ndaj kryeministrit Kurti, meqë ai nuk e kishte pranuar as kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyerjen e zbatimit të vendimit për targat për 10 muaj. Refuzimi i Kurtit dhe deklaratat ndaj Borellit u panë nga opozita si sjellje e papërgjegjshme dhe e dëmshme. Për refuzimin e kërkesës së parë të SHBA-së, kryeministri Kurti tha se sikur ta pranonte atë kërkesë, do të ishte “pranim se Kosova është e dështuar”.
Nga ana tjetër, Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, tha se “Bashkimi Evropian duhet të pyesë veten se çfarë mund të bëjë për t’i çuar negociatat në fazën ku merren parasysh çështjet më të vështira – sovraniteti dhe njohja. Është e qartë se kryeministri Kurti e ka humbur durimin me procesin që çdo disa muaj bie në një krizë që Bashkimi Evropian e rregullon me një marrëveshje të përkohshme.”
Pas arritjes së marrëveshjes më 23 nëntor, mediat raportuan se Michael Martens, gazetar i Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), ka njoftuar se kishte realizuar një intervistë me kryeministrin Albin Kurti, ku ky i fundit kishte treguar se ka bërë kompromis për çështjen e targave pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, se situata në veri të Republikës së Kosovës “mund të përkeqësohet rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”.
“Ambasadori amerikan ‘ka më shumë informacione se unë për situatën në veri’, citohet të ketë thënë Kurti pa dhënë më shumë detaje.
Arritja e marrëveshjes u interpretua edhe si ‘plus’ për Serbinë pasi do të prezantohej si arritje në përditësimin e radhës të Kapitullit të 35-të për Serbinë në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, edhe pas arritjes së marrëveshjes, mediat po raportojnë që serbët e Kosovës po vazhdojnë t’i regjistrojnë automjetet me targa të lëshuara nga Serbia. Këtë, Reporteri e quajti “mashtrim të Kurtit”.
Të gjithë sagën për targat, Nacionale e quajti “dramë e kotë e Kurtit” meqë në fund e pranoi marrëveshjen për targa, të cilën e kishte kundërshtuar me këmbëngulje gjatë nëntorit.