Mediat mbi mosmbajtjen e takimit Kurti-Vučić

1
181

Ndonëse një takim në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, u paralajmërua se do të zhvillohej gjatë pjesës së dytë të korrikut, një gjë e tillë nuk ndodhi. 

Kryeministri Kurti e fajësoi për këtë presidentin Vučić. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ai tha se Vučić po e shtyn vazhdimisht takimin, pasi nuk dëshiron të distancohet nga presidenti rus, Vladimir Putin.

“Jam gjithmonë i gatshëm që të udhëtoj për Bruksel, për takimin e radhës dhe një takim i tillë ishte në plan që të mbahet më 19 korrik, por nuk u mbajt, pasi Beogradi zyrtar e refuzoi atë dhe kërkoi një shtyrje mbi njëmujore”, tha Kurti. Ai paralajmëroi se një takim mes të dyja palëve mund të ndodhë në fund të gushtit.

Në anën tjetër, më herët në korrik, duke iu përgjigjur raportimeve të mediave serbe se një takim ishte planifikuar, Vučić kishte thënë se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se, në fakt, ishte Kurti ai që po ikën nga takimet.

“S’është e vërtetë. Nuk më ka pyetur askush. Nuk iki unë nga ndonjë takim, kryesisht ai ka ikur nga takimet. Unë nuk ik”, kishte thënë Vučić.

Vučić, po ashtu, e shpalli ‘të dështuar’ dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se prej dialogut “nuk ka gjë” derisa të jetë Kurti, pasi ai “ka vendosur të mos dialogojë”.

Në fund të qershorit, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčak, kishte qëndruar në Kosovë dhe në Serbi për ta përgatitur një takim mes dy liderëve. Në një konferencë për media në Prishtinë ai tha se ekziston momentumi për takimin e Kurtit dhe Vučićit. Sipas Lajčakut, ndonëse të dytë privatisht thonë se kanë gatishmëri për të shkuar në Bruksel, veç vajtja e tyre nuk është e mjaftueshme.

“Për takimin e tretë kemi dashur të sigurohemi që të prodhojmë diçka. Kjo është çka njerëzit presin”, kishte thënë Lajčak duke shtuar se tashmë “është e qartë se dialogu nuk ka alternativë” dhe se “duhet të ketë progres”.

Por, më 29 qeshor, para se Lajčak të udhëtonte për në Serbi, qeveria e Kosovës miratoi vendimin për mundësitë e riregjistrimit të veturave me targat e lëshuara nga autoritetet e Serbisë me targa RKS (Republika e Kosovës).

Qeveria e Kosovës, po ashtu, kishte miratuar udhëzimin për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, sipas të cilit, të gjithë personat që kanë dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të duhet të pajisen me një çertifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

Këto zhvillime ndryshuan planet e Lajčakut. 

“Unë kam ardhur në rajon për t’u përgatitur për takimin e ardhshëm të krerëve dhe për të folur për përparimin dhe normalizimin e marrëdhënieve. Tani duhet ta zgjidhim këtë situatë”, kishte thënë Lajčak.

Ndërkohë që vazhduan përpjekjet për t’i sjellë në tavolinë Kurtin e Vučićin për ta çuar para dialogun — si kusht bazik për integrimin evropian të të dyja shteteve — Këshilli Evropian hapi zyrtarisht negociatat për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut. 

Ky zhvillim erdhi disa javë pas mbajtjes së Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor në fund të qershorit ku udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin shprehur të frustruar për mungesën e progresit në rrugën e tyre për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. 

Samiti rriti shpresat në Kosovë se mund të jipen sinjale pozitive për liberalizimin e vizave, 

por në konkluzat e samitit nuk përmendej liberalizimi i vizave për Kosovën, por vetëm theksimi i urgjencës për të bërë përparim të prekshëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, veçanërisht në Dialogun Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. 

Eksperti i çështjeve të Ballkanit, Florian Bieber, kishte thënë se mosliberalizimi i vizave për Kosovën është një nga “turpet e BE-së” dhe se kjo s’ka të bëjë me dialogun me Serbinë.

“Bllokada për liberalizmin e vizave nuk është nga Brukseli, nuk vjen nga BE-ja, por po vjen nga shtetet anëtare. Dhe vjen nga ministritë e Brendshme të këtyre shteteve. Pra, nuk vjen nga ministrat e Jashtëm. S’mendoj se ka të bëjë me dialogun me Serbinë; është i bazuar në paragjykime për një kërcënim të migrimit të shqiptarëve të Kosovës, disa stereotipa për krimin e organizuar dhe gjëra të tilla që po e mbajnë procesin pezull, sipas asaj që kuptoj”.

Bieber, po ashtu kishte thënë se Kosova duhet të aplikojë këte vit për statusin e vendit kandidat në BE, ndonëse “për fat të keq nuk ka vullnet politik për këtë punë në BE, porse duhet të shtyjmë para zgjidhje të tjera”.

Analisti, Agon Maliqi, tha se hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të shërbejë për “të na përkujtuar se Kosova nuk ka për ta bërë as edhe një hap të madh përpara në konsolidimin e shtetësisë në arenën ndërkombëtare”. Sipas tij, “kjo gjendje paranoje dhe frymë populiste na e ka shtrembëruar krejtësisht peceptimin e dinamikave dhe interesave në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe na e ka zhvlerësuar rëndësinë e aleancave për arritjen e synimeve”.

Në anën tjetër, në fillim të korrikut, Parlamenti Evropian miratoi rezolutën ku thuhej se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjellë”. Kjo ishte hera e parë që në një dokument të institucioneve evropiane u përmend njohja reciproke.