Mediat mbi pranimin e planit franko-gjerman

0
156

Në fillim të shkurtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi në Twitter se e pranon propozimin e Bashkimit Evropian, i njohur edhesi propozimi franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “duke e konsideruar atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”.

Kjo erdhi pasi një takimi që pati kryeministri Kurti me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčak, në Prishtinë.

Angazhimi i ndërkombëtarëve në Kosovë dhe Serbi është intensifikuar gjatë këtij viti, kur me të dyja vendet po negociohet propozimi evropian/plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ndonëse përmbajtja e këtij plani nuk është bërë publike, disa medie kanë raportuar se plani nuk parasheh njohje reciproke. Paralelisht, nga të dërguarit ndërkombëtarë, po kërkohet themelimi i Asociacionit në bazë të marrëveshjes së arritur në vitin 2013 në mes Kosovës dhe Serbisë. 

Pranimi i propozimit nga Kurti ka nxitur reagime nga partitë opozitare. 

Në një konferencë për media, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se kryeministri Kurti i ka bërë dëm Kosovës duke e hequr nga tavolina marrëveshjen përfundimtare me njohjen reciproke me Serbinë.

“Propozimi që deri tash ka qenë në tavolinë ishte marrëveshje finale, ligjërisht e obligueshme, me garanci ndërkombëtare e me njohje reciproke. Momenti kur kryeministri ka rihapur 33 marrëveshje, ka ndryshuar. Dëmi që i është bërë Kosovës është nga kryeministri i Kosovës, i cili ka kërkuar një proces tjetër të ndryshëm nga ajo që ka qenë në marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare, që ka qenë e pranuar edhe nga Serbia”, ka thënë ai.

Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokrartike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e kritikoi Kurtin për mungesë transparence në dialog me Serbinë. 

“Asnjëherë nuk ka qenë dialogu si proces më i mbyllur dhe më jo transparent me Serbinë, sikurse është tani, ku as qytetarët, as opozita dhe as opinioni publik nuk e dinë se kujt kryeministri Kurti dhe qeveria e tij po i thonë PO në një restorant, pa e ditur askush në Kuvend të Kosovës se çfarë përmbajnë këto plane dhe çfarë po pranojnë e cili është rezultati i përfundimtar”.

Në anën tjetër, ndonëse nuk dihet nëse krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është pjesë e propozimit, Radio Evropa e Lirë kishte raportuar se propozimi “vë theksin mbi zbatimin e të gjitha obligimeve që kanë marrë palët, deri më tash, në dialogun e tyre për normalizimin e marrëdhënieve”, pra, edhe marrëveshjen e 2013, që flet për krijimin e Asociacionit.

Kjo ka bërë që disa të konsiderojnë se me pranimin e këtij propozimi, Kurti e ka pranuar edhe krijimin e Asociacionit. 

Opinionisti Baton Haxhiu, në një intervistë për T7 tha se plani franko-gjerman ka në pikën e 9-të edhe themelimin e Asociacionit:

“Kur thuhet ne e pranojmë, për ata që e dinë se cfarë ka brenda marrëveshja, që ne nuk e dijmë, pika 9 flet për Asociacionin. Fakti që Asociacioni është në një pikë, kur e pranon planin franko-gjerman, e pranon edhe Asociacionin”.

Ndërkohë në një seancë të Kuvendit të Kosovës, disa ditë para se të njoftonte se e kishte pranuar propozimin franko-gjerman, kryeministri Kurti prezantoi 6 kushte të qeverisë për themelimin e Asociacionit. Kjo u pa si veprim që dëshmon se kryeministri po e pranon Asociacionin, të cilin e kishte kundërshtuar kategorikisht ndër vite apo si blerje kohe në mes të një presioni të shpeshtuar diplomatik.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e quajti këtë “ndryshim radikal” të tij në këtë pikë, duke shtuar se kushtet e tij “janë arsyetime për një tranzicion prapa votuesve të vet.” 

Agon Maliqi tha se qëndrimi i shprehur nga Kurti është hap përpara dhe mundësi që të lëvizet nga pozicioni “i ngurtë” i kreut të Qeverisë kosovare sa i përket Asociacionit.

“Është një lëvizje e pozicionit në kuptimin se tashmë Asociacioni bëhet i pranueshëm. Është një ‘po’ e kushtëzuar. Kushtet janë reale, në kuptim që janë pozicion i arsyeshëm fillestar i Kosovës. Mendoj se brenda atyre kushteve ka hapësirë që të arrihet deri te një lloj asociacioni që është i pranueshëm”.

Ndërkohë, kryetari i PDK, Memli Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, kërkoi të dijë më shumë rreth planit franko-gjerman dhe përfshirjes së Asociacionit në të.

“Ku mbetën kushtet e tij? Cilat prej tyre u plotësuan e cilat jo? A janë përfshirë në këtë plan edhe kushtet e Serbisë? A është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit? Mbi të gjitha, a e përfshinë kjo marrëveshje njohjen e ndërsjellë?”, shkroi ndër tjerash ai.

Ndërkohë, në Twitter, këshilltari special i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet, shkroi se zbatimi i planit franko-gjerman do të sigurojë përfitime të rëndësishme për Kosovën e Serbinë.

“Fola me kryeministrin Albin Kurti sot. Ne mirëpresim vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të rëndësishme për të dy vendet”.