Mes dy zjarresh

Në të gjithë këtë ndarje të letrave në nivel botëror, askush nuk mundi të qëndronte neutral. Kjo është një lojë tejet e rëndë pokeri ku është e vështirë të vlerësohet se kush do të jetë fituesi. Në këtë lojë, Serbia deshi të “mbajë taketuken” dhe të jemi sikur të pranishëm pa marrë ndonjë anë, por definitivisht nuk ia doli ta bëjë këtë.

0
207

Këto ditë jemi dëshmitarë të një lufte e cila po zhvillohet në territorin e Ukrainës. Edhe pse gjithçka nisi me synimin për të përfunduar në një periudhë të shkurtër kohore, e për shkak të aspiratave të Ukrainës drejt integrimit euroatlantik, krijohet përshtypja se gjërat kanë dalë jashtë kontrollit.

Kemi hyrë thellë në muajin e dytë të kësaj lufte të pakuptimtë, megjithëse të gjithë do të pajtohemi se asnjë luftë nuk ka pasur kuptim, dhe fundi i saj assesi nuk po shihet gjëkundi. Pamjet që qarkullojnë në rrjete sociale, media dhe gazeta janë të tmerrshme. Numri i viktimave si në njërën ashtu edhe në palën tjetër dita ditës sa vjen e shtohet e askush as për një sekond nuk është përpjekur sinqerisht që t’i jap fund kësaj lufte. Fuqitë perëndimore dhe Amerika, duke e armatosur vetëm sa po e shtyjnë Ukrainën e shkatërruar në tmerr dhe vuajtje edhe më të mëdha, që Amerika të testojë nervat edhe ashtu të shtërnguara të Federatës ruse si dhe të shohë se sa larg është Rusia e gatshme të shkojë në konflikte të amatosura. Nga ana tjetër, as vetë Rusia nuk është në një pozitë të lakmueshme sepse ka mbetur e rrethuar nga armiqtë. Të gjithë partnerët perëndimorë kanë vendosur sanksione ndaj saj, madje edhe shtetet mike, tek të cilat Rusia tradicionalisht ka qenë në gjendje të mbështetet në çdo moment, filluan ngadalë por sigurt t’ia kthejnë shpinën. Në veçanti në tokën evropiane.  

Në të gjithë këtë ndarje të letrave në nivel botëror, askush nuk mundi të qëndronte neutral. Kjo është një lojë tejet e rëndë pokeri ku është e vështirë të vlerësohet se kush do të jetë fituesi. Në këtë lojë, Serbia deshi të “mbajë taketuken” dhe të jemi sikur të pranishëm pa marrë ndonjë anë, por definitivisht nuk ia doli ta bëjë këtë. 

Kjo situatë sigurisht nuk i shkon për shtati Serbisë sepse gjithçka që po ndodh në Ukrainë po shkon diametralisht në drejtim të kundërt në krahasim me atë që ka ndodhur në Kosovë. Së pari, Rusia, e cila mbështet integritetin e Serbisë, pikërisht ka aneksuar Krimenë dhe ka pushtuar rajonet Donetsk dhe Luhansk dhe, ashtu siç qëndrojnë gjërat, orekset e Federatës Ruse nuk janë ndalur me kaq. Tutje, vendet prej të cilave varet ardhmëria jonë në kuadër të Bashkimit Evropian janë pikërisht ato shtete që i kanë vendosur sanksione Rusisë dhe që i kanë dhënë një ultimatum pa kushte Serbisë që, nëse ajo nuk e harmonizon politikën e saj të jashtme me politikën e Bashkimit Evropian, do të vuajë pasoja të rënda të cilat do t’i ndiejë në lëkurën e saj për një kohë të gjatë. Sido që të jetë, jam i mendimit se neve na mjaftojnë problemet tona, si dhe duhet më parë ta zgjidhim problemin në oborrin tonë dhe jo të zgjidhim politikën botërore. Ka ardhur koha që shtetet e vogla të bëhen si “të vdekura” dhe, sipas mundësive, thjesht të tundin kokën në shenjë pohimi, sepse ndryshe as nuk do të mund të mbijetonin. Është e domosdoshme që ato të përpiqen të kalojnë nën radar derisa kjo luftë fatkeqe të përfundojë.

Ndoshta, kur kjo të përfundojë dhe kur fuqitë botërore të gjejnë një zgjidhje për këtë situatë dhe një formë të re të ndarjes së territoreve, të gjitha shtetet që gjenden në situata të ngjashme, ku pjesë të shteteve të tyre janë të aneksuara apo të okupuara, do të kenë mundësi të gjejnë zgjidhje për zgjidhjen përfundimtare të raporteve të tyre reciproke dhe atë si në aspektin territorial ashtu edhe atë politik, sepse jam i mendimit që definitivisht në konfliktet e ardhshme do të zbatohet modeli i zgjidhjes së konflikteve midis dy shteteve pikërisht në mënyrën se si do të zgjidhet ky skenar ruso-ukrainas. Ka ardhur koha, e nuk duhet shumë mençuri për të konkluduar një gjë të tillë, që e drejta ndërkombëtare është në gjunjë dhe që pikërisht tani po krijohet një rend i ri i cili defintivisht nga themeli do t’i ndryshojë të gjitha.          

 
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.