Midis de facto dhe de jure

Sipas deklaratave të të dërguarve të SHBA-së dhe BE-së, takimi në Ohër do të jetë finalizim i marrëveshjes për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, gjuhësisht e komplikuar kurse juridikisht mjaft e detajuar.

0
168

Në fund të shkurtit patëm rastin të shohim fillimin e një procesi të ri negociatash ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, bazuar në themelet e vjetra dhe sipas modelit të ri. Në gjithë këtë lojë fjalësh, në të vërtetë ka një qasje të re për të gjithë procesin e sendërtimit të asaj që u nënshkrua disa vite më parë në procesin e Brukselit me shtimin e disa dispozitave që do të ishin të detyrueshme për të dyja palët. Mirëpo, pikërisht në ato detaje, që iu shtuan platformës së re franko-gjermane dhe që u bënë baza e re e negociatave pas takimit të shkurtit në Bruksel, janë të fshehura ato pika të diskutueshme për të dyja palët. Edhe pse mund të thuhet se procesi i ri i negociatave në baza të reja është në fakt një rrugë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, shumë herë kemi dëgjuar se askush nuk e pret atë lëvizje dhe se negociatat që po zhvillohen nuk e kanë si pasojë të fundit atë lëvizje të Serbisë.

Pas bujës së madhe mediatike që shoqëroi negociatat në Bruksel më 27 shkurt,  interesi publik dukej se kishte rënë pas deklaratave nga të dyja palët se asgjë konkrete nuk ishte rënë dakord apo nënshkruar, por vetëm për pak kohë, takimi i ri i paralajmëruar për 18 mars po tërheq edhe më shumë vëmendjen e mediave, opinionit politik dhe atij diplomatik, por mbi të gjitha të vetë qytetarëve. Ky interesim është pjesërisht i madh edhe për shkak të titujve pompozë të gazetave, si dhe lajmeve në portale dhe televizione të cilët duke apostrofuar vetë takimin i japin rëndësi të madhe asaj për të cilën do të merret vesh në Ohër, sado e rëndësishme apo jo e rëndësishme të jetë ajo. Sigurisht, në gjithë atë betejë mediatike për titullin më ekskluziv të mundshëm, vetë qytetarët, në emër të të cilëve edhe po zhvillohen negociatat, mbeten të painformuar, me informacione të paqarta për gjithçka që po i shoqëron këto negociata. Në këtë mënyrë, ata mbeten në mëshirën e interpretimeve të ndryshme të rëndësisë dhe poentës së përgjithshme të negociatave kështu që është e pamundur të nxirret një përfundim i qartë nga kjo se çfarë të rejash na sjellin këto negociata.

Derisa pala serbe këmbëngul në AKS-në si bazë të negociatave dhe faktit që ajo nuk u formua as 10 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, nga ana tjetër, pala kosovare vazhdimisht insiston në njohjen reciproke si kushtin e vetëm për formimin e AKS-së së lartpërmendur. Gjykuar nga deklaratat e atyre që i koordinojnë ato negociata, e mbi të gjitha të përfaqësuesve të BE-së dhe SHBA-së, Asociacioni i komunave serbe do të duhet të formohet, por në çfarë forme dhe sipas cilit model kjo është një çështje e madhe. Përderisa pala serbe kërkon kompetenca të mëdha, pala kosovare kërkon një model sipas të cilit Komuniteti në fjalë do të kishte kompetenca mjaft të kufizuara saqë ekzistenca e tij do të ishte edhe e pahetueshme për autoritetet qendrore në Prishtinë.

Sipas deklaratave të të dërguarve të SHBA-së dhe BE-së, takimi në Ohër do të jetë finalizim i marrëveshjes për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, gjuhësisht e komplikuar kurse juridikisht mjaft e detajuar. Nëse udhëhiqemi nga vetë deklaratat si dhe nga bazat e takimit në Ohër, as në atë takim nuk do të ketë as nënshkrime dhe as marrëveshje përfundimtare për ndonjë gjë vendimtare, por sigurisht që ai takim paraqet një tjetër hap përpara në procesin e ri të negociatave sipas modelit të ri e me këtë pritet që nga ai takim të dëgjohet se në cilin drejtim realisht po shkon i gjithë procesi i përmendur dhe cilat janë vijat e kuqe të përmendura shpesh në të dyja anët që asnjëra palë nuk do t’i kalojë. Mund të thuhet se pritshmëritë e mediave janë të larta, politika dhe diplomacia presin diçka më konkrete ndërsa vetë qytetarët presin vetëm dhe vetëm një përgjigje të qartë se kah po shpie ky proces dhe çka janë të gjitha ato që nënkuptohen në të. Sepse pavarësisht paraqitjeve të shpeshta në media nga të dyja palët, është ende e paqartë se çka mbart në vete ky proces dhe çfarë mund të pritet pas takimit aq shumë të paralajmëruar në Ohër. E vetmja gjë që prej kohësh është e qartë për të gjithë është se nuk ka kthim në të vjetrën, sepse për këtë u pajtuan të gjithë pjesëmarrësit në negociata dhe kështu u krijua një lloj vakumi i cili lë vend për interpretime të ndryshme. Deklaratat e të gjithë aktorëve në procesin e negociatave të reja janë shumë optimiste, më specifike dhe të përcaktuara qartë në aspektin e pritshmërive, por askush nuk flet për detajet as publikisht e as në mënyrë të qartë. Mirëpo, ka kohë që është e qartë se nuk do të ketë njohje de jure dhe sipas deklaratave të koordinatorit të takimit, askush edhe nuk e pret këtë, por është gjithashtu e qartë se pjesët e platformës që dihen çojnë në përfundimin se në fakt është një njohje de facto, ose siç thuhet në mënyrë eufemiste, konstatim i realitetit ose normalizim i marrëdhënieve. Kështu që qytetarit të thjeshtë i mbetet që në atë hapësirë ​​mes gjithë këtyre deklaratave, pretendimeve, lajmeve dhe interpretimeve, të vendosë edhe një lloj të kuptuari të tij për gjithçka që po ndodhë rreth nesh dhe në emrin tonë, kështu që meqenëse është në emrin tonë, të paktën do të ishte normale që ne, që jemi shfrytëzuesit përfundimtarë të rezultateve të negociatave dhe takimeve, të informohemi në mënyrën e duhur.  

Natyrisht, takimi në Ohër nuk është i fundit dhe askush nuk e pret këtë – procesi i negociatave është vetvetiu i gjatë dhe i detajuar, por pasojat që sjellin takime të tilla janë në fakt ato që do të përbëjnë bazën për mbijetesën tonë në vazhdim për ne qytetarët e thjeshtë. Ndoshta do të kishte qenë më mirë që një nga pikat e rendit të ditës të takimit në Ohër të ishte edhe ajo se si do ta ndjenin këtë qytetarët në vete, sepse e gjithë kjo humb kuptimin nëse pasojat në terren janë të këqija. Në fund summa summarum, pritjet nga takimi në Ohër nuk janë as të larta e as të ulëta, porse do të mund të thuhej se janë të panjohura, por takimi është më datën 18, andaj të presim sepse gjithsesi nuk na mbetet asgjë tjetër.      

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.