Se fjala ‘dashuri’ (love) në tenis nënkupton zero e mësuan 22 djem e vajza të reja nga komunitetet shqiptare, serbe, rome, kroate dhe gorane të Kosovës. Por, ata mësuan se ky kuptim do të thotë të luash edhe me zero pikë për “dashurinë për lojën”, pavarësisht rezultatit të tyre të humbjes.
Këta të rinj u mblodhën në komunën e Graçanicës më qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për vlerat e jetesës në një shoqëri multi-etnike .
Ky kamp tenisi u organizua nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, më idenë që pjesëmarrësit të njiheshin me moshatarë të tyre nga komunitete të ndryshme, të mësonin dhe kuptonin më mirë kulturat e të tjerëve. E që, sipas tyre, rrallë kanë shansin për të bashkëvepruar më njëri-tjetrin.
‘‘Kampi i tenisit u tregua i suksesshëm në krijimin e një ambienti të sigurt në të cilin pjesëmarrësit mund të mësonin nga njëri-tjetrin, të krijonin miqësi ndërkulturore dhe të rrisnin dialogun. Si rezultat, aktiviteti i tenisit ndihmoi në forcimin e marrëdhënieve ndër-komunitare midis pjesëmarrësve edhe përtej kohëzgjatjes së projektit dhe ndihmoi në nxitjen e një mirëkuptimi në lidhje me nevojën për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të qenë të suksesshëm, pavarësisht nga përkatësia e komunitetit,’’ thonë nga zyra e OSBE-së.
Nënkryetari i Komunës së Graçanicës, Saša Danić, shprehet i lumtur që ishin nikoqir të këtij aktiviteti, i cili, sipas tij, nuk është i pari dhe thekson bashkëpunimin e mirë në zhvillimin e aktiviteteve të ngjashme.
‘‘Komuna siguroi fusha tenisi, dhoma zhveshjesh dhe një sallë alternative në rast të motit të keq. Siguruam edhe përkthyes. U përpoqëm t’u siguronim fëmijëve të gjitha kushtet në kamp dhe fëmijëve nuk u mungoi asgjë. Unë sinqerisht mendoj se kemi pasur sukses në këtë,’’ tha Danić për New Perspektiva.
Për trajneren e tenisit ne këtë kamp, Marija Djordjević, ishte shumë kënaqesi të punonte më fëmijë më prejardhje nga komunitete të ndryshme.
‘‘Sporti bashkon njerëz të kombeve dhe feve të ndryshme. Ata mësuan se çfarë është tenisi, çfarë lloj sporti është në të vërtetë. Kemi mësuar dhe punuar në teknikë në tenis dhe palestër,’’ shprehet Djordjević.
Po ashtu ajo thotë se nga ky kamp kanë dalë shumë fëmijë të talentuar që ajo do të përpiqet t’i ndihmojë në zhvillimin e tyre si sportistë.
“Shumë fëmijë e duan këtë sport, gjë që më bën shumë të lumtur. Dhe ne vazhdojmë të punojmë. Në kamp unë nuk isha vetëm një trajnere por edhe shoqja e tyre. Të gjithë fëmijët, pavarësisht se kush janë dhe nga vijnë, më kanë hyrë shumë në zemër,’’ tregon trajnerja.
Edhe nga OSBE thonë se pjesëmarrësit vazhdojnë të mbajnë kontakte dhe të sterviten se bashku.
‘‘Po, janë në kontakt të rregullt pasi ata vazhdojnë të stërviten së bashku në ambiente të ndryshme sportive të mbyllura brenda komunës së Graçanicës, të cilat janë vënë në dispozicion nga drejtori i rinisë dhe sportit, pa pagesë. Objekti i cili përdoret më së shumti është Qendra Sportive në Livagjë.’’
Ne kemi bërë përpjekje t’i kontaktojmë edhe disa nga pjesëmarrësit por kjo ishte e pamundur këto ditë pandemie. Por, në kohën e zhvillimit të aktiviteteve, ata i thanë Radio KFOR-it se kanë kaluar shumë mirë gjatë këtij kampi të tenisti.
“Kam marr pjesë në këtë kamp dhe jam argëtuar shumë. Unë tashmë di të luaj tenis dhe këtu kam mësuar disa baza shumë të rëndësishme. Do të vazhdoj të stërvitem, do të angazhohem dhe do të përpiqem të jem më i miri ”, ishte shprehur Tarik Hoxha.
Edhe një pjesëmarrëse tjetër ishte shprehur e lumtur për ato që kishte mësuar.
”Kam kaluar një kohë të mrekullueshme në këtë kamp, kam mësuar shumë, kam takuar miq të rinj dhe do përpiqem të jem më e mira”, ka thënë Iva nga Graçanica.
Danić thotë se pjesëmarrësit e këtij kampi mësuan për tenisin, magjinë dhe sekretet e tij dhe se komuna është gjithmonë e hapur për aktivitete të tilla.
‘‘Pjesëmarrësit e këtij kampi patën mundësinë të mësojnë se sa bukur dhe normale është të luash, të mësosh dhe të punosh së bashku,’’ tha ai.
Gjatë këtij kampi janë zbatuar masat antikovid, përveç faktit se vetë loja e tenisit e kërkon distancen, njëri lojtar është në një skaj, tjetri në skajin tjetër të fushës.
Ky kamp tenisi u zhvillua nga fundi i gushtit deri ne mes të shtatorit vitin e kaluar në kompleksin sportiv “Dragan Džajić” në Graçanicë. Organizatorët thonë se disa pjesëmarrës vazhdojnë edhe më tej ushtrimet në këtë sport.