“Ne flasim për diversitet, por jemi shovinistë,” thotë Avni Mustafa, kryetar i OJQ-së Roma Versitas, në një prezentim të filmit dokumentar Trapped by Law të regjisorit Sami Mustafa, në kuadër të Manifesta 14.
Në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, si është jeta për minoritetet? Shenja e re e Newborn-it, e cila çdo vit ngjyroset me një mesazh të ri social a politik, këtë vit thotë “No New BR (Broken Republic)/Jo më Republikë të thyer” me ngjyrën e kaltër e të verdhë të flamujve të Kosovës e Ukrainës. Këtë vit, sipas disenjatorëve të saj, mesazhi është një shenjë përkrahjeje për Ukrainën si dhe kundërshtim ndaj Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (AKS), që zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, ka thënë se do të zbatohet “me a pa” mbështetjen e qeverisë Kurti.
Qeveria amerikane më 31 janar organizoi bisedime ndërmjet përfaqësuesve të komunitetit serb të Kosovës, përfshirë pjestarë të partive opozitare, të Srpska Listës, OJQ-ve dhe përfaqësuesve të qeverisë së Kosovës.
Krejt këto pasuan dorëheqjet e serbëve në veri nga institucionet e qeverisë së Kosovës dhe javët e tëra me barrikada, tani të larguara me kërkesë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, hap ky i pritur me shumë zemërim nga komuniteti serb në Kosovë.
Unë bisedoj rregullisht me minoritetet për atë se çfarë po ndodh dhe në vijim ju sjell disa prej komenteve që kam dëgjuar kohëve të fundit.
Miljana Bulatović, themeluese e galerisë Akvarius, qendër arti, kafene dhe hapësirë për performancë, në Mitrovicën e Veriut
“Si mund të jetë ky shtet pa asnjë të drejtë për minoritetet dhe gratë?” Bulatović dhe unë biseduam në muajin dhjetor kur Akvarius qe mbyllur për shkak të barrikadave dhe gjatë një sërë rastesh dhune ndaj grave në Kosovë; mu para se të flisnim, një grua shtatzënë ishte vrarë para Klinikës Gjinekologjike në Prishtinë.
“Ajo çfarë duhet të bëjë Kurti është të ndalë largimin e të rinjve të të gjitha komuniteteve nga Kosova,” thekson Bulatović. “Kjo narrativë, veç për grupet kriminale, grupet kriminale, ju lutem shumë. Nuk ka të bëjë veç me grupet kriminale.
“Por si jetojnë njerëzit tuaj atje? A e pyet veten çdo mëngjes kur zgjohesh? Ç’po bën Miljana në veri? Si e kalon një pjesë të ditës? Çfarë bën ajo atje? Unë ndodhem në Kosovë. Kam pasaportë të Kosovës. Jam qytetare e Kosovës. Jo, askujt s’i intereson; [ata] thjesht duan poena. [Kurti] do poena politikë. Edhe presidenti ynë [Vučić] do poena; gjithçka është politike.”
Mirjeta Qehaja, piktore nga Prishtina, e cila do të jetë një nga katër artistet që do ta përfaqësojnë Kosovën në Egjipt në Forumin Botëror të Arteve në muajin mars
E pyeta Mirjetën konkretisht për përvjetorin e sivjetmë të pavarësisë.
“Paj, sa për 15-vjetorin e pavarësisë, natyrisht që jam e lumtur dhe krenare sepse jam kosovare! Ndoshta s’jam shqiptare, por jam kosovare. Flas shqip dhe kam tradita shqiptare. Nuk duhet të flasim keq [për] shqiptarët sepse jo të gjithë janë të këqij. Në Kosovë ka njerëz që nuk i duan minoritetet, por sigurisht që jo të gjithë janë të njëjtë.”
“Shoqja ime më e mirë është shqiptare… Dhe, po, ne egjiptianët në Kosovë jemi të njëjtë si shqiptarët. Ndoshta kemi origjinë të ndryshme, por ne jemi asimiluar këtu. Dhe e vetmja që jemi pak ndryshe nga shqiptarët në Kosovë është: Ngjyra e Lëkurës.”
Miodrag Miličević, Drejtor Ekzekutiv i OJQ-së Aktiv, Mitrovicë e Veriut
“Dua të shoh më shumë përfaqësim të minoriteteve në Prishtinë,” më tha Miličević më herët këtë muaj teksa po debatonim për rolin e OJQ-së Aktiv me Manifesta 14.
Por është më e vështirë t’i bësh të rinjtë t’u bashkohen projekteve. Ai pohon se edhe para kësaj krize të fundit, kjo po ngjante për një numër arsyesh dhe se studentët serbë po i humbisnin mundësitë si pasojë e mospjesëmarrjes me institucione të caktuara apo duke mos qenë pjesë e Kosovës.
“Kriza e fundit krijon perceptimin publik se janë të rrezikuar nga shqiptarët, të rinjtë janë të rrezikuar nga shqiptarët, posaçërisht nga qeveria vetë sepse kjo është narrativa publike që është ndërtuar në kanale përmes mediave kryesore, dhe ato media tabloide të afërta me qeverinë [serbe]. Dhe thjesht ndihen të rrezikuar nga disa prej veprimeve të ndërmarra nga qeveria e Kosovës.”