Fluturimi nga Londra për në Beograd u vonua për më shumë se një orë. Me të zbritur nga aeroplani, në aeroportin që mban emrin Nikolla Teslla, hasa në një zonjë të re që mbante një mbishkrim me emrin tim. U ndala dhe u prezantova disi shpejt e shpejt. Isha i habitur. Ani pse e dija që Kuvendi i Serbisë e kishte siguruar transportin prej aeroportit për të gjithë pjesëmarrësit e seminarit Rose-Roth të cilin Asambleja Parlamentare e NATO-s po e organizonte bashkë me ligjvënësit serbë, seminar ky ku isha i ftuar të flisja, pritja në derë të aeroplanit ishte befasi. Meqë po udhëtoja për Beograd me pasaportë të Republikës së Kosovës, dhe gjithë mendjen e kisha te kalimi i kufirit, gjegjësisht kontrolli i pasaportave dhe problemet eventuale që do të shfaqeshin aty, përcjellja zyrtare ishte në fakt befasi e këndshme. Pas një bisede të zakonshme për fluturimin, bashkë me zyrtaren e protokollit të Kuvendit vazhduam të prisnim Raffaello Pantucci-n, një pjesëmarrës tjetër të seminarit i cili, siç e kuptova, kishte qenë në të njëjtin aeroplan me mua.
Tek kabinat e kontrollit të pasaportave u drejtuam në anën e djathtë ku shenjat tregonin qartë se ishte dalja për personat zyrtarë. Policit kufitar ia dhash të gjitha dokumentet: pasaportën e Kosovës, meqë kisha arritur përmes një fluturimi ndërkombëtar; letërnjoftimin e Kosovës, meqë hyrje-daljet e kosovarëve në Serbi bëhen vetëm me letërnjoftim dhe jo me pasaportë, dhe kartelën e rezidencës belge. Një dosje të trashë dokumentesh që për çdo rast i kisha me vete, ku mes tjerash përfshihej ftesa për seminar, axhenda, lista e pjesëmarrësve dhe gjithë informatat kontaktuese për organizatorët, nuk qe e nevojshme ta dorëzoja. Kjo për shkak se ishim në përcjellje të protokollit të Kuvendit nikoqir dhe zyrtarja e protokollit veçse i kishte njoftuar autoritetet për ardhjen time. Polici kufitar, që ishte në të tridhjetat e hershme, ishte shumë i sjellshëm. Verifikimi i pasaportës britanike të Raffaellos zgjati krejtësisht dy minuta. Megjithatë, me të parë dokumentet e mia, polici veç sa nuk e kapi kokën. Jo domosdoshmërisht se i erdhi rëndë ta shihte mbishkrimin Republika e Kosovës por, sipas të gjitha gjasave, ishte hera e parë që po merrej me procedurën e kalimit të kufirit për dikë nga Kosova dhe thjeshtë nuk dinte si të vepronte.
Pasi që i shikoi të gjitha dokumentet duke i rrotulluar një nga një dhe pasi që u konsultua me kolegen e tij aty pranë, na kërkoi falje që procedura e kalimit tim të kufirit po zgjaste pak dhe u zhvendos në zyrat e policisë duke na lënë të prisnim. Unë, për kureshtje, fillova ta matja kohën, teksa që të tre, hapnim rrugë për pilotë e perso-nel kompanish ajrore që e përdornin të njëjtën pikë kalimi. Rreth 15 minuta më vonë, polici u kthye bashkë me dy kopje të një vërtetimi të shtypur si është më së keqi, në një printer të cilit pa dyshim i ishte hargjuar ngjyra, ku pos të dhënave të mia personale tregohej vendkalimi kufitar dhe kohëzgjatja e qëndrimit tim në Serbi. Për më tepër, në të njëjtin dokument shkruhej qartë se lëshimi i këtij vërtetimi nuk mund të nënkuptonte njohjen e statusit politik të Kosovës. Çfarë kujdesi i jashtëzakonshëm, thash me vete. Vërtetimi u vulos dhe u nënshkrua, u kontrollua disa herë radhazi dhe në fund, bashkë me dokumentet tjera, m’u dorëzua bashkë me porosinë që të mos e humbisja.
Në rast se humbet vërtetimi, sqaroi polici në serbisht, do të duhej të lajmërohesha në stacionin më të afërm të policisë. Kështu, i gjithë kalimi kufitar zgjati 22 minuta, dy për Raffaellon dhe 20 të tjerë për mua.
Rrugës prej aeroportit po ia sqaroja procedurën kolegut të ri nga Londra. E ndërlidha me seminarin, meqë në të do të flisja pikërsisht për të ardhmen e dialogut Kosovë – Serbi, apo, për të qenë politikisht korrekt dialogun Beograd – Prishtinë, përmes të cilit u mundësua që kosovarët të lëvizin për dhe nëpër Serbi. Gjithë kjo procedurë e veçantë për të kaluar kufirin, përkundër organizimit e përcjelljes, përkundër normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve që i atribuohet Marrëveshjes së Brukselit, mendova. Trajtimi mbase do të ishte edhe më i veçantë nëse do të ateroja në Beograd i vetëm, për çështje tjera, private apo profesionale. Nuk e di, por mendja ma thotë se procedura nuk do të zgjaste veç 20 minuta. Sigurisht se do të zgjaste më shumë. Sigurisht se kalimi do të ishte edhe më i veçantë. E e veçanta, në thelb, pra në definicion, është krejtësisht e kundërt me normalen. Çfarë normalizimi, pyeta me zë!