Një zë për të pazëshmit

Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka hartuar një strategji për drejtësinë tranzicionale që thekson mundësinë që zërat e viktimave të dëgjohen në një forum publik, konkretisht në Komisionin e të Vërtetës dhe Pajtimit. Nëse do të ndodhë, kjo do t’u ofronte pak lehtësim të vuajtjeve dhe do t’i ndihmonte rehabilitimit të viktimave.

0
599

Pak ditë para se të nisën gjykimi ndaj ish eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, Zyra e Alex Whiting, Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë ka publikuar një version më pak të redaktuar të aktakuzës ku janë zbuluar emrat e  shumë viktimave civile shqiptarë dhe serbë, përfshi edhe ushtarë e policë serbë të zënë peng gjatë luftës.

Versioni i aktakuzës ndaj ish-presidentit, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëluftëtarëve të tij zbulon detaje të rrahjeve të supozuara, vrasjeve dhe një varri masiv, si dhe identitetin e disa viktimave.

Në mesin e 70 viktimave të publikuara, rreth gjysma e emrave janë civilë shqiptarë gra e burra nga regjione të ndryshme të Kosovës të vrarë në rrethana të errëta gjatë viteve 1998-2000. Por shumë pak nga të mbijetuarit ose familjet e tyre kanë folur deri më tani.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare n Kosovë thotë se pas publikimit të emrave të viktimave në aktakuze, ka  pasur një reagim negativ nga përkrahësit e të akuzuarve. ”Kjo ka ndodhur rëndom edhe në rastet e mëhershme të akuzimit për krime lufte të pjesëtarëve të UÇK-së” thotë ai.

Në listën e viktimave shumë prej tyre kanë emra të rinj për të cilët nuk është folur më herët ngase asnjë nga familjet e tyre nuk ka folur kurrë publikisht për ata që u vranë në rrethana të pandriçuara gjatë kohës së luftës. Historitë e tyre lidhen me 31 qendra të supozuara  ndalimi të UÇK-së në gjithë Kosovën.

Të akuzuarit kanë hedhur poshtë akuzat dhe vazhdojnë të mohojnë fajësinë për  krime kundër civilëve dhe kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat që u ngarkohen.

Në përshkrimin e aktakuzës këta njerëz nuk kanë dhënë shumë dëshmi për motivin që u ndodhën në ato vende e rrethana, e disa nga ata as që e kanë ditur.  Sipas përditësimit të Zyrës së Viktimave, aktualisht 140 persona të njohura si viktima tashmë janë regjistruar të marrin pjesë në proceset gjyqësore, por shumë të tjerë mbeten në mëdyshje, duke u frikësuar nga ndëshkimi i mundshëm nëse zbulohet identiteti i tyre.

Në Kosovë, thashethemet janë po aq të rrezikshme sa edhe faktet. Të të bëhet me gisht si dëshmitar i mundshëm i prokurorisë deri më tani  është parë si turp për personin dhe familjen e tij, pavarësisht nëse ka qenë viktimë. Prandaj që të gjitha viktimat janë regjistruar si anonime,  duke mbajtur sekret identitetin e tyre.

“Fakti se nje përqindje e konsiderueshme e numrit total te viktimave, identiteti i tyre ende qëndron i redaktuar apo i mbuluar për publikun jep një mesazh të qartë për pozitën e tyre të rrezikuar në këto procese,” thotë Alija.

Shumë nga viktimat e përmendura në aktakuzë, përfshi edhe femra, janë të rinj në të njëzetat, përderisa disa të tjerë janë të moshuar. Ka prej tyre edhe policë dhe ushtarë serbë të zënë peng. Trupat e shumë prej tyre u gjetën gjatë dhe pas luftës, por dhjetëra të tjerë janë ende të zhdukur. Aktakuza përfshin histori të shkurtra por tronditëse  për shumë prej tyre. Më shumë se dy dekada më vonë emrat e tyre përbëjnë atë që aktakuza e përfshin si krime kundër njerëzimit dhe krime lufte sipas të Drejtës Ndërkombëtare.

Në materien e aktakuzës kanë mbetur ende shumë emra të redaktuar që ndërlidhën me disa nga pjesët kyçe të ngjarjeve që rëndojnë mbi të akuzuarit. Por nuk janë vetëm 6 të akuzuarit që tashmë ndodhen në Hagë. Në historitë e ndalimeve, torturimeve dhe vrasjeve aktakuza përmend shumë emra të tjerë të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, shumë nga të cilët tashmë janë intervistuar si të dyshuar apo dëshmitarë. Disa të tjerë janë akuzuar në procese të tjera gjyqësore gjithashtu.

Javën e kaluar, Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave e Dhomave të Specializuara konfirmoi se janë pranuar  kërkesa të reja  për të marrë pjesë si viktima në  gjykim, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave pjesëmarrëse në rastin e Thaçit dhe të tjerëve në 140, shumica prej tyre shqiptarë të Kosovës.

“Por ato ende nuk kanë një zë,” thotë Nora Ahmetaj një hulumtuese në fushën e drejtësisë tranzicionale në Kosovë.

Në gjykatat e mëhershme u ftuan të dëshmonin vetëm ata që konsideroheshin të dobishëm për të faktuar të vërtetën dhe madje ata nuk mund të kërkonin kompensim për vuajtjet dhe dëmin që pësuan.

Për herë të parë viktimat kanë qasje dhe do të kenë të drejtën për të marrë pjesë në procedurë, do të kenë mbështetjen e një avokati. 

Gjykata gjithashtu ka përfshirë urdhëresat për dëmshpërblime individuale dhe kolektive të viktimave, një gjë që nuk ka ndodhur më herët në gjykatat vendase as kur viktimat kanë qenë shqiptare dhe të akuzuarit ish-policë e ushtarakë serbë.

“Derisa nuk do të dëgjohen, nuk do të ketë një narrativë të ndryshuar,” thotë Ahmetaj.

Qeveria e Kosovës vitin e kaluar ka hartuar një strategji për drejtësinë tranzicionale që thekson mundësinë që zërat e viktimave të dëgjohen në një forum publik, konkretisht në Komisionin e të Vërtetës dhe Pajtimit. Nëse do të ndodhë, kjo do t’u ofronte pak lehtësim të vuajtjeve dhe t’i ndihmonte rehabilitimit të viktimave.

(Teksti është botuar për herë të parë në dwp-balkan.org)