Me siguri keni pasur mundësi të lexoni një numër të pafund tekstesh për luftën në Ukrainë gjatë dy muajve të fundit saqë pas rreshtave të parë të këtij teksti do të mendoni: “O jooo… edhe një tekst për luftën! Deri kur më kështu!?” Dhe deri diku keni të drejtë, me të vërtetë ka shumë njerëz që edhe në më shumë tekste kanë përpunuar temën e Ukrainës, saqë vërtetë kemi përshtypjen se secili, kudo, dhe në çdo rast po flet vetëm për këtë.
Por në cilën pjesë ky konstatim edhe nuk qëndron? Nuk qëndron në kuptimin e ndryshimeve që vetë kjo luftë po shkakton në mbarë botën! Ndërsa jemi dëshmitarë se sa shpejt po ndodhin këto ndryshime dhe në cilat sfera të jetës. Ato po ndodhin aq shpejt dhe në aq shumë nivele saqë edhe po të shkruanim të gjithë vetëm për këtë, vështirë se do të mund t’i mbulonim të gjitha temat (lexo: pasojat që kanë dalur nga lufta në Ukrainë).
Nëse fokusohemi në një kuptim më të ngushtë në rajonin tonë, mund të shohim se gjatë dy muajve të kaluar kemi lëvizur nga ajo që Serbia po bëhet si e vdekur dhe po pret që kjo të kalojë, deri tek histeria në Kosovë rreth asaj se gjoja ajo është tani drejtpërdrejt e rrezikuar ushtarakisht nga Serbia, të gjitha ato shqetësime dhe ajo frikë rreth furnizimeve me burime energjetike, e deri tek opinionet shumë të ndara në mesin e popullatës (të paktën në Serbi) për mbështetjen e njërës apo tjetrës palë në luftë.
Pa dashur të sjell një gjykim vlerësues për këtë konflikt, le të shohim se si i gjithë ky pështjellim mund të ndikojë në Kosovë për sa i përket statusit të vetë Kosovës, statusit të negociatave të Brukselit dhe marrëdhënieve me Serbinë. Dhe këtu, para së gjithash, dua në mënyrë të qartë të theksoj një gjë: Kosova për momentin, veçanërisht në lidhje me luftën në Ukrainë, nuk është e rrezikuar ushtarakisht nga Serbia në asnjë mënyrë dhe kjo ishte ekskluzivisht një zhurmë populiste nga ana e autoriteteve të Kosovës që të fitohet pak popullaritet lidhur me temën aktuale. Serbia është aktualisht e çorientuar për shkak të politikës së saj të kahershme për të flirtuar me të gjithë dhe për të mos u përcaktuar mes dy palëve më shumë se qartësisht kundërshtare, ashtu që tani as ajo vetë nuk di se çka të bëjë. Nëse kësaj i shtojmë se ajo gjendet në një vakum paszgjedhor, pa asnjë institucion pushteti i cili nuk është në mandat teknik, pyes veten se në çfarë mënyre Serbia aktualisht përbën kërcënim për këdo tjetër përveç vetvetes?!
Dhe pikërisht një qëndrim i tillë i Serbisë mund të jetë booster në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, më shumë se vetëm vullnet i mirë deklarativ i të dy palëve në negociata dhe më shumë se të gjitha marrëveshjet detyruese të arritura deri tani që janë vetëm qëllim në vetvete.
Pikërisht në një situatë të tillë, Serbia duhet të vendosë se nga cila anë do të anojë, shtyrje më nuk ka. Duket se ekziston vetëm një zgjedhje e mundshme, dhe jo ajo që shumica e njerëzve në Serbi e mbështesin, e ky është kthimi i pashmangshëm drejt perëndimit. Këtë na e tregon edhe ndryshimi i papritur i narrativave në mediat proqeveritare, takime të çuditshme politike dhe deklarata të palëve kundërshtare në skenën politike serbe, diplomatë të rinj, veprimi i të cilëve tashmë po shihet qartë. Nëse të gjithave që u thanë më sipër ia shtojmë edhe qëndrimin e qartë të Presidentit të Rusisë se si Republikat Popullore të Donetskut dhe Luhanskut kanë të drejtën e vetëvendosjes pikërisht për arsyen se pala kundërshtare këtë të drejtë ia ka njohur Kosovës, kjo është një porosi e qartë për Serbinë dhe perëndimin – Rusia shikon interesin e saj, jo interesin e drejtësisë dhe të drejtave. Befasi, apo jo? 🙂
E gjithë kjo tregon se diçka që, sipas Perëndimit, është dashur të ndodhë shumë kohë më parë në Serbi, do të ndodhë në të ardhmen më të afërt. Kjo është dobësia më e madhe e Serbisë dhe një hapësirë për presion ndaj saj në zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura me Perëndimin, kurse çështja e Kosovës është gjithsesi njëra nga çështjet më të rëndësishme dhe më të vështira.
Pra, këto – do të jem mjaft i pasjellshëm të them – llafosje të zyrtarëve të vegjël të të dy palëve në negociata i shërbejnë vetëm vetes dhe kanë një rreze veprimi më së largu deri në spin politik të brendshëm. Gjëra të mëdha po ndodhin në një terren tjetër, në “Frontin Lindor”, dhe kjo është pikërisht koha kur sovraniteti deklarativ i të gjitha vendeve, demokracia dhe e drejta për të zgjedhur ekspozohen plotësisht dhe mbetet thelbi – e ai është: mjaft kemi luajtur lojën e demokracisë, kohët janë të vështira, të vegjëlit nuk pyeten për ASGJË!
Është koha për marrjen e vendimeve dhe asnjë nga ato vendime nuk është i lehtë për askënd në botë. Po, fjalë për fjalë, për askënd! Si nga ana lindore ashtu edhe nga ajo perëndimore e këtij konflikti vetëm po llogariten humbjet, po numërohen viktimat (edhe në njerëz edhe ato ekonomike) dhe po dridhen të brendshmet nga vjeshta dhe dimri që po vjen… më së paku nga të ftohtët!
A jemi të gatshëm?
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.