Sot, nga perspektiva e vitit 2021, kur e rikujtojmë fundin e shekullit të kaluar, rrallëherë mendojmë për çfarëdo tjetër përveç luftës e cila një dekadë të tërë shkatërroi qytetarët dhe shtetet e ish-Jugosllavisë. Me ankth dhe trishtim kujtojmë se si u shpërbë shteti, i cili dikur shërbente si shembull për shumë gjëra. Me një trishtim edhe më të madh kujtojmë jetët e pafajshme të humbura dhe vuajtjet. Në po atë kujtesë të njëjtë kemi edhe faktin se këto ngjarje të dhimbshme u ndikuan edhe nga krijimi famoz i kufijve brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë së dikurshme dhe anëtarëve të saj.
Të njëjtat ato kujtime fusin frikë në jetën e përditshme në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Jo vetëm për shkak të kujtesës, por sepse rivizatimi i kufijve përmendet përsëri si një opsion.
Në të vërtetë, më 16 prill doli ai “non paperi-i” famoz i cili paraqet një dokument diplomatik jozyrtar. Ky dokument, me titullin “Ballkani Perëndimor – rruga përpara”, i cili, sipas të gjitha gjasave, i ka ardhur si rekomandim Bashkimit Evropian nga kabineti i kryeministrit slloven, Janez Janša, shkaktoi komente të furishme si në hapësirat e ish-Jugosllavisë ashtu edhe nga ana e komunitetit ndërkombëtar, para së gjithash, Bashkimit Evropian.
Në këtë dokument, fokusi kryesor është në ndryshimin e kufijve ekzistues midis shteteve në Ballkan, para së gjithash të shteteve të ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Sipas “non paper-it”, Kosova dhe Shqipëria do të bashkoheshin – por veriu i Kosovës do të kishte status të veçantë, Serbia në kufijtë e vet do të përfshinte territorin e Republika Srpskës, derisa pjesët e Bosnjës me shumicë kroate do t’i takonin Kroacisë ose do të kishin një autonomi të veçantë, kurse Bosnja do të mbetej me popullatën boshnjake. Thënë më shkurt, një ide për kthim në vitet e nëntëdhjeta pa menduar fare.
Ky dokument tronditi shumë vetë në Ballkan, por edhe shkaktoi reagime të shumta nga jashtë. Shikuar këtë nga perspektiva e shteteve që për ata kufij luftuan, për të cilat vendosja e një paqeje ende të brishtë ose e një gjendjeje të një konflikti të ngrirë ishte një proces tejet i vështirë dhe i gjatë, ky dokument nuk është gjë tjetër veçse provokim për lidhjet ende të paqëndrueshme ballkanike midis politikanëve dhe shteteve.
Shtrohet pyetja: si erdhëm deri tek situata që aq shumë vite pas luftës dikush ende mendon që të ndryshojë kufijtë midis shteteve të ish-Jugosllavisë? E dyta, edhe pse kanë kaluar aq shumë vite, situata dhe marrëdhëniet midis shteteve janë gjithçka por jo të mira, sa që ideja e ndryshimit të kufijve në Ballkan mund t’i bie në mend vetëm dikujt që nuk e njeh situatën dhe regjionin. Pra, kujt i ra ndër mend ideja që ndryshimi i kufijve mund të kryhet me rrugë paqësore? Nëse është e vërtetë që ky dokument vjen nga kreu i qeverisë së Sllovenisë, si është e mundur që dikush që e ka kaluar tmerrin e viteve të nëntëdhjeta të mendojë që pa probleme, në mënyrë paqësore dhe lehtësisht mund të ndryshohen kufijtë në Ballkan? Një veprim i tillë do të na çonte atje ku nuk besoj që dikush do të donte të kthehej ndonjëherë – në situatë ku edhe një herë luftohet për shkak të kufijve. Në fund të fundit, a thua e kaluam tërë këtë që të jetojmë nëpër shtete të krijuara sipas kufijve etnik? Nuk do t’a thosha këtë.
Është e vërtetë që shtetet ish-jugosllave kanë kaluar nëpër konflikte të përgjakshme kah fundi i shekullit të kaluar, e vërtetë është që kanë kaluar dy dekada nga konfliktet e fundit, por nuk është kjo kohë në të cilën kushdoqoftë pa probleme mund të flasë dhe imponojë ide që vetëm mund të rrënojnë paqen ekzistuese, negative. Përveç kësaj, kushdo që ka menduar se kufijtë në Ballkan mund të ndryshohen paqësisht dhe brenda natës ose është i painformuar ose nuk ia do të mirën këtij regjioni.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.