Përmbledhje reagimesh lidhur me futbollistin serb që pranoi të luajë për Kosovën

0
679

Futbollisti 17 vjeçar nga Graçanica, Ilija Ivić, tashmë tre vjet luan për klubin e Flamurtarit në Prishtinë, ndërkaq gjatë muajit shkurt ka nënshkruar edhe kontratë profesionale, si një nga të rinjtë e talentuar në të cilët mund të llogaritet për të ardhmen. Por, pasi u ftua që të luajë për përfaqësuesen e Kosovës U19 kanë pasuar reagimet negative nga strukturat e Serbisë në Kosovë. Nëna e tij u pushua nga puna si “tepricë teknologjike“. Ajo ka punuar në Qendrën e edukimit kulturor në Graçanicë, institucion të cilin e financon Beogradi zyrtar. Megjithatë, pas këtij veprimi, Ilija ka hasur në mbështetje të gjerë nga institucionet, ambasadat ndërkombëtare dhe figura të tjera publike në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Twitter, reagoi duke thënë se marrëveshjet nuk rregullojnë problemet e racizmit dhe urrejtjes ndaj të tjerëve: “…një djalë 17 vjeçar në Graçanicë, Ilija Iviq, ishte cak i segregacionit nga Beogradi që ndikon mbi strukturat lokale vetëm pse dëshiroi të luante me shqiptarët. Vetëm marrëveshjet nuk mund të rregullojnë problemet e racizmit dhe urrejtjes ndaj të tjerëve. Lëreni Ilijan të luajë lirshëm për këdo që zgjedh”, kishte shkruar Kurti.

Ngjashëm reagoi edhe Ambasada amerikane duke thënë se Ivić me veprimin e tij ka inspiruar shumë të rinj në Kosovë. Përmes një postimi në Twitter theksoi se politika nuk ka vend në sport. “Urime për Ilija Ivićin. Ai po inspiron të gjithë të rinjtë në Kosovë që të punojnë shumë, të zhvillojnë talentin dhe të ndjekin ëndrrat e tyre. Politika nuk ka vend në sport. Ky është një moment për të festuar diversitetin dhe një sportist të talentuar në Kosovë. #Kosova është shtëpia juaj”, shkroi ambasada amerikane.

Përmes një postimi në Facebook, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, tha se ky futbollist bëri atë që pak njerëz e kanë pritur – tejkaloi paragjykimet e deritanishme duke vendosur ta përfaqësojë shtetin e tij në futboll. Megjithatë, ai kritikoi institucionet e Kosovës për të cilat tha se nuk ishin në nivel të përgjegjësisë ndaj vendimit madhor të futbollistit Ivić: “Veprimet e mëpasshme të institucioneve të Kosovës nuk ishin në nivel të përgjegjësisë karshi vendimit madhor të futbollistit Iviq. Nuk mjafton lëshimi i një komunikate nga Qeveria dhe FFK në përkrahje të futbollistit dhe familjes Iviq, por kërkohet të ketë veprime dhe mbështetje konkrete ligjore”, shkroi Haxhiu.

Edhe analisti Imer Mushkolaj kishte kërkuar që futbollisti i ri, Ilija Ivić, të përkrahet dhe të mbështetet nga të gjithë. Përmes një postimi në Facebook, Mushkolaj tha: “Kurrfarë krimi nuk ka bërë 17 vjeçari Ilija Ivić, futbollist i Flamurtarit, i cili ka zgjedhur të përfaqësojë ekipin kombëtar të Kosovës (U19). Ai është i lindur në Prishtinë, është shtetas i Kosovës dhe jeton në Kosovë. Ai nuk e ka të lehtë të ballafaqohet me mendësinë primitive të atyre që e linçojnë dhe i hakmerren familjes së tij. Ilija nuk meriton përbuzje, por mbështetjen tonë.”

Bashkangjitja e Ilias me Flamurtarin ka nxitur reagime të shumta në mediat serbe. Tabloidi pro-qeveritar, Informer, e ka përshkruar vendimin e Ilias me fjalët “shpërtheu bomba”. Po ashtu, ata hapën një sondazh online, ku i ofronin lexuesve tri opsione përgjigjesh: “Turp i qoftë”, “E tradhtoi Serbinë” ose “Nuk mund të bënte zgjedhje më të keqe”.

Vendimi i Ilija Ivić-it për t’iu bashkuar Flamurtarit është mirëpritur nga qytetarë të Kosovës. Rina Asani, studente në Universitetin e Prishtinës dhe tifoze e futbollit, shkroi në Twitter se Ilija është më se i mirëseardhur në ekipin e Kosovës nëse është mjaft i mirë. “Graçanica është Kosovë. Njerëzit atje jetojnë çdo ditë me ne, në paqe. Serbët, brenda dhe jashtë Kosovës, e kanë testuar tolerancën tonë disa herë, dhe kjo e ka dëshmuar civilizimin tonë të vërtetë”, shkroi Asani.

Shpend Thaçi, kosovar që jeton në Itali, tha se Ilija duhet trajtuar si të ishte familjar i yni dhe se të gjithë duhet të reagonin ndaj presionit që po i bëhej atij përmes prindërve të tij. “Duhet ta ngrisim zërin si ne qytetarët, si organet e shtetit. Madje, qoftë nevoja edhe në raportimin e rregullt në OKB ta përmendim”, shkroi Thaçi në një postim në Facebook.

“Nëse Ilija ka marrë një vendim të tillë dhe konsideron që kjo është për të rruga për sendërtimin e ëndrrës së tij, gjithsesi duhet përkrahur. Të gjithë ne kemi ndonjë ëndërr dhe presim rastin të na jepet për ta arritur atë. Ai konsideron që të luash futboll për reprezentacionin e Kosovës është rasti i tij për të arritur ëndrrën e tij. Ky është një veprim tejet i guximshëm dhe gjithsesi që duhet përkrahur”, shkruan Milenko Todorović në New Perspektiva.