Përse Kosova duhet ta respektojë marrëveshjen për Asociacionin

Një statut mund të hartohet dhe të negociohet për t’u miratuar në një moment të duhur. Negociatat nuk do të jenë të lehta, por për ta nisur procesin duhet një draft.

0
1660

Diskutimi që po zhvillohet rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka dy anë. Themelimi i tij është pjesë e një marrëveshjeje të ratifikuar nga Kosova dhe, kësisoj, Kosova ka obligim ligjor që ta zbatojë atë. Tjetra është se asnjëherë nuk është dashur të ketë dakordim për të ngase është antikushtetues dhe Serbia nuk ka të drejtë të kërkojë një organizatë të tillë. Argumentet në të dyja anët janë të kuptueshme, por ky i dyti, politik, është i dëmshëm për një Kosovë të pavarur dhe sovrane, e cila do që t’i bashkohet BE-së dhe të shihet si partnere e respektuar ndërkombëtare.

Vendimi i vitit 2013 për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe (AKS) ishte vendim që u mor nga pala e Kosovës dhe ajo e Serbisë. Me sa e dimë, ai nuk ishte kërkesë e bërë nga BE. Nuk duhet harruar këtë. Vendimi mund të jetë marrë nga përfaqësuesit e një qeverie tjetër të Kosovës, por ishte marrë nga Kosova dhe Serbia. Ka qenë dëshirë e tyre atëherë që të ketë një AKS.

Nëse Kosova nuk e zbaton pjesën e saj të marrëveshjes, nuk mund të pritet që ana tjetër ta zbatojë të vetën. Ajo që është më me rëndësi, Kosova nuk do të konsiderohet nga të tjerët si partnere serioze në negociatat e ardhshme sepse nuk do t’i besohet se do t’i respektojë marrëveshjet që nënshkruan.

Kosova duhet të gjejë një mënyrë të qartë se si ta realizojë zotimin për AKS-në. Ekzistojnë dy korniza për të. Ajo në marrëveshjen e vitit 2013, e cila midis tjerash, thotë:

Strukturat e Asociacionit/Bashkësisë do të themelohen mbi bazat e njëjta si të statutit ekzistues të Asociacionit të Komunave të Kosovës, p.sh. Kryetari, nënkryetari, Kuvendi, Këshilli.

Kjo ndihmon që t’i jepet një strukturë e qartë hartimit të statutit të ri. Nuk është e ngjashme me atë që ekziston në Republika Srpska.

Struktura e dytë që duhet të ndiqet është vendimi i Gjykatës Kushtetuese më 2015, i cili thekson qartë se Asociacioni duhet të krijohet, ndonëse marrëveshja e Brukselit përmban formulime që janë antikushtetuese dhe kjo duhet të zgjidhet. Qeveria aktuale Kosovës nuk është treguar e sinqertë për këtë dhe mëton se Gjykata Kushtetuese ka vendosur ndryshe.

Duket sikur kryeministri Kurti po tenton të kthehet në fillim të negociatave, por duhet të mos harrohet se serbët e Kosovës tashmë kanë të drejta të gjera dhe kontroll ekskluziv në fushat si shëndetësia, arsimi, që janë të drejta të tyre kushtetuese të Kosovës. Statuti duhet të mbështetet në to dhe nuk kërkon asgjë shtesë.

Megjithatë, tashti duket se Kurti është pajtuar me krijimin e një asociacioni. Ai ka thënë se e pranon propozimin franko-gjerman, tani të njohur si propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili me sa e dimë, meqë teksti i tij nuk ëshë në domenin publik, përmban zotimin për implementimin e Marrëveshjes së Brukselit.

Një statut mund të hartohet dhe të negociohet, i gatshëm për t’u miratuar në një moment të duhur. Negociatat nuk do të jenë të lehta, por për ta nisur procesin duhet një draft.