Pikë të kaluarës

Në fund të ditës, sikur të ishim informuar pak më shumë, sikur të ishim më empatik, sikur të kujdeseshim më shumë për qeniet njerëzore e jo për përkatësinë e tyre etnike dhe fetare, këtë verdikt për Mladić-in do ta kishim pritur të bashkuar. Edhe çdo verdikt të radhës kundër kriminelëve të luftës.

0
498

Në fillim të qerhsorit të këtij viti, u shpall verdikti përfundimtar në rastin Ratko Mladić. Pas ankesës së tij ndaj vendimit të shkallës së parë, Trupi ankues i Mekanizmit për gjykatat penale në Hagë i hodhi poshtë të gjitha ankesat të cilat i paraqiti mbrojtja e Mladić-it. Pas aktakuzës së parë kundër Mladić-it, të ngritur në vitin 1995, dhe arrestimit të tj më 2011, këtë qershor ai u dënua me burgim të përjetshëm për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë.  

Për të satën herë, pavarësisht se kush gjykohet në Hagë, aktgjykimet shkaktojnë reagime të mëdha në tërë territorin e ish-Jugosllavisë. Derisa shumë prej tyre e përcollën këtë verdikt me tone pozitive, politikanët serbë nuk patën ndonjë reagim të veçantë. Përveç kësaj, në rrjetet sociale mund të shihej shumë mbështetje për Ratko Mladić-in. 

Më shumë se dy dekada pas luftërave, problemi i ballafaqimit me të kaluarën është ende i madh dhe vazhdon të shkaktojë përçarje më shumë sesa bashkim, edhe më tutje nuk i kemi informatat e njëjta për atë se çka dhe ku ka ndodhur. Më shumë se dy dekada, edhe më tej po luftojmë me fantazmat e të kaluarës. Ende nuk po na lënë që të vazhdojmë tutje. Këtë e dëshmoi edhe një herë edhe rasti i verdiktit për Ratko Mladić-in. 

Edhe pse solli edhe një polemikë, edhe një diskutim në internet dhe anim, ky rast ngre edhe pyetjen se kur, të gjithë ne së bashku, si regjion i cili ka përjetuar vite të tëra lufte, do të jemi në gjendje që të pajtohemi rreth faktit që lufta të gjithëve na ka marrë diçka, askujt nuk i ka sjellur diçka të mirë, e që kriminelët janë kriminelë pa marrë parasysh se cilës përkatësi etnike apo besimi fetar i përkasin.  

E tillë është situata me verdiktin për Ratko Mladić-in. E njëjta situatë e animeve ndodhi edhe në vitin 2017 kur u shpall aktgjykimi i shkallës së parë. Një tjetër përçarje edhe e mbrojtjes edhe  e arsyetimeve të ngjarjeve dhe mënyrës se si ato ndodhën dhe kush në të vërtetë ka të drejtë.

Derisa këto përçarje nëpër internet po zgjasin deri në pafundësi, duhet të shtrojmë pyetjen se çka na ka sjellur deri te kjo.  

Një nga problemet më të mëdha është mungesa e informatave dhe njohurisë se çka ka ndodhur gjatë luftërave të viteve të nëntëdhjeta. Ky problem nuk ka të bëjë vetëm me luftën në Bosnjë, është problem lokal edhe në Kosovë. Sa serbë e dijnë se sa kanë vuajtur shqiptarët? Sa shqiptarë e dijnë se se sa kanë vuajtur serbët? Jo mjaft. E fakt është që kemi vuajtur së bashku shumë më tepër se sa që është prezantuar. E njëjta situatë mund të merret për cilëndo luftë në ish-Jugosllavi. Mospasja e informatave për luftën, viktimat, konfliktet, masakrat… na sjellë deri tek situata që të kemi aq shumë përçarje “PËR” dhe “KUNDËR” Mladić-it, saqë është absolutisht e pabesueshme.  

Mirëpo, askush nuk mund të gjykojë mungesën e informatave. Për fat të keq, sistemi serb, e sipas të gjitha gjasave edhe çdo sistem tjetër në ish-yu, nuk ka bërë shumë që gjeneratat e reja të marrin vesh se sa e përgjakshme ka qenë kjo luftë. Përmes shkollimit dhe edukimit, rrallë mund të gjenden informata për shembull për Srebrenicën. Si rrjedhojë, është e vështirë – përveç nëse jeni thellësisht të interesuar për temën – të arrini deri te informacioni se çka me të vërtetë ka ndodhur gjatë atyre luftërave. Të gjitha bazohen në informatat për njërën palë dhe rrallëherë ka hapësirë për mendimin: e çka nëse ka më tepër informata ose këto informatat e mia nuk janë të sakta?

Një tjetër problem me ballafaqimin tonë me të kaluarën niset nga ndjenja e madhe se “vetëm ne jemi viktima” apo ajo që në gjuhën angleze quhet “self-victimization”. Në të vërtetë, pa marrë parasysh se çfarë përkatësie etnike kemi, disi nga lufta jemi mësuar se vetëm ne jemi viktima pa menduar shumë se çka i ka ndodhur të tjerëve. Përveç kësaj, ndjenja e imponuar nga përfaqësuesit politik se “vetëm ne po gjykohemi” shton “edhe më shumë vaj në zjarr”. Me vetë këtë fakt, aftësia jonë për empati ende pret që të hyjë në përdorim kur bëhet fjalë për vuajtjet e luftës së fundit.  

Në fund të ditës, sikur të ishim informuar pak më shumë, sikur të ishim më empatik, sikur të kujdeseshim më shumë për qeniet njerëzore e jo për përkatësinë e tyre etnike dhe fetare, këtë verdikt për Mladić-in do ta kishim pritur të bashkuar. Edhe çdo verdikt të radhës kundër kriminelëve të luftës. Në fillim të qershorit të këtij viti u shpall aktvendimi për krime ndaj qenieve njerëzore. U dënua dikush që verdiktin e ka merituar. I është vënë pikë vuajtjeve të rënda, Viktimat fituan drejtësinë. Shpresojmë që të gjithë do ta fitojnë atë. Kurse të gjithë kriminelët, ngado që vijnë ata, shpresojmë që do të marrin dënimin që e meritojnë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.