Derisa historia e deritanishme e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë lë hapësirë për skepticizëm mbi idenë gati utopike për njohje të përbashkët mes dy vendeve, është e rëndësishme që të konsiderohet çdo alternativë. Një alternativë e tillë është i ashtuquajturi plani franko-gjerman që “parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë” duke bërë përpjekje për të gjetur një zgjidhje që deri diku balancon kërkesat e dy shteteve. Një strategji e tilë nuk është assesi perfekte por duhet të konsiderohet për faktin që ofron një lloj zgjidhje, një lloj konkludimi për një proces që parimisht është karakterizuar nga një mungesë pothuajse absolute e progresit.
Argumenti i parë për të mbështetur planin franko-gjerman është se paraqet një lloj pakete mjaft gjithëpërfshirëse lidhur me raportet mes Kosovës dhe Serbisë pasi në përgjithësi përfshin shumicën prej temave problematike mes dy shteteve. Për shtetin e Kosovës, në veçanti, kjo pako rregullon (ose tenton të rregullojë) çështjen problematike të sovranitetit territorial ndërsa në anën tjetër përfshin edhe respektimin e kërkesave për minoritetin serb në Kosovë. Duhet theksuar që këto çështje parimisht kanë qenë pjesë e agjendës së dialogut por që në rastin konkret plani franko-gjerman përbën një përpjekje më solide ose më të strukturuar nga ana e Bashkimit Evropian për t’iu qasur çështjeve më të rëndësishme mes Kosovës dhe Serbisë. Një qasje e tillë është veçanërisht e rëndësishme për një proces të fragmentuar si dialogu sepse siguron që pjesa tjetër e bisedimeve të jetë jo vetëm më e stukturuar por njëkoësisht edhe më kohezive.
Është po ashtu interesante të theksohet që plani franko-gjerman e ka edhe një lloj elementi të konsensusit pasi ka mbështetje jo vetëm të palës evropiane por njëkohësisht përkrahet edhe nga SHBA. Në këtë drejtim, ndonëse procesi i dialogut ka patur si aktorë të njëkohshëm si Bashkimin Evropian edhe SHBA-të, mund të flitet edhe për momentet kur një proces i tillë ka marrë një lloj kahjeje unilaterale. Marrëveshja e Uashingtonit, në shtator të vitit 2020, përbënte një përpjekje nga ana e ish-presidentit Donald Trump për të sforcuar arritjen e një marrëveshje mes dy shteteve (dhe në fakt një gjë e tillë, ndonëse më pak gjithëpërfshirëse, ishte arritur) duke përfaqësuar një prirje të SHBA-së për të marrë nën kontroll procesin e dialogut në përgjithësi. Në këtë drejtim, plani franko-gjerman është i rëndësishëm edhe sa i përket një legjitimiteti më të gjerë në krahasim me tentimet e mëparshme për të konkluduar procesin e dialogut dhe si i tillë do të duhej të rriste presionin te palët e përfshira për t’u konsideruar.
Plani franko-gjerman duhet vlerësuar edhe nga këndi i pragmatizmit. Më saktë, procesi i dialogut, shikuar nga fillimi, është karakterizuar nga një progres shumë i vogël e pothuajse aspak përmbajtësor në raportet mes dy shteteve. Një gjë e tillë është një argument i rëndësishëm për të konsideruar prakticitetin e këtij tentimi ndërkombëtar për të përmirësuar raportet e deritanishme të shteteve. Ndonëse ky plan është i fokusuar te disa kompromise të lartëcekura dhe integrimet evropiane të të dy shteteve, e nuk përfshin njohjen reciproke të tyre, prapëseprapë përfaqëson një përpjekje më të konsoliduar për progres eventual në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet të theksohet se edhe pse një dokument i tillë nuk përmban njohjen reciproke mes shteteve, një gjë e tillë të paktën deri më tani nuk duket fare në horizont dhe në këtë pikë është më pragmatike që të paktën të zgjidhen disa çështje që gjithsesi janë të një rëndësie vitale.
Vështirësitë në gjetjen e zgjidhjeve në procesin e dialogut kanë bërë që një proces i tillë të jetë përgjithësisht joefektiv. Në këtë drejtim, plani franko-gjerman si alternativë meriton të konsiderohet duke u bazuar në atë që një dokument i tillë është gjithëpërfshirës, gëzon legjitimitet dhe mbi të gjitha ka edhe një element pragmatizmi. Duke patur parasysh këto karakteristika të këtij dokumenti dhe sfidat në raportin mes Kosovës dhe Serbisë, plani franko-gjerman përbën një përpjekje e cila megjithatë meriton të konsiderohet.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.
Plani franko-gjerman për Kosovën dhe Serbinë si alternativë
Vështirësitë në gjetjen e zgjidhjeve në procesin e dialogut kanë bërë që një proces i tillë të jetë përgjithësisht joefektiv. Në këtë drejtim, plani franko-gjerman si alternativë meriton të konsiderohet duke u bazuar në atë që një dokument i tillë është gjithëpërfshirës, gëzon legjitimitet dhe mbi të gjitha ka edhe një element pragmatizmi.