Propozimi i BE-së në vend të njohjes së ndërsjellë

Propozimi i BE-së për marrëveshjen drejt normalizimit midis Kosovës e Serbisë meriton vlerësim duke qenë edhe në terma krahasimorë një zgjidhje më e mirë se opsionet e së kaluarës.

0
105

Propozimi i BE-së “Marrëveshja mbi rrugën drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë”, apo siç njihej deri së voni Plani franko-gjerman, mbetet një dokument gjerësisht i diskutuar dhe mbi të gjitha një alternativë relevante për rregullimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Në fakt, një dokument i tillë ka mundësinë që të veprojë si një alternativë mbi njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve. Së pari, ky dokument deri më tani është quajtuar si një lloj “njohje de facto mes shteteve”. Më tej, një dokument i tillë është i rëndësishëm sepse bën hap përpara në konceptin e sovranitetit shtetëor duke kontribuar në zgjidhjen e sfidave të deritanishme në këtë drejtim. Po ashtu, propozimi ka edhe një komponent të të qenit ndoshta oferta më e mirë për të dy shtetet deri më tani në kuadër të dialogut.

Vlen të theksohet që sipas vetë kryeministrit Albin Kurti dhe shumë ekspertëve, Propozimi I BE-së shërben në fakt si njohje mes dy shteteve. Më konkretisht, duke aluduar në karakterin gjithëpërfshirës të këtij dokumenti në funksion të normalizimit të raporteve mes dy shteteve, Kurti është shprehur: “Nuk është i menduar si një propozim për marrëveshje finale. Por është një normalizim që ende nuk është normalizim i plotë, meqenëse parasheh, mund të themi, njohjen de facto. Njohjen de facto e kemi aty”. Duhet theksuar që termi njohje de facto bazohet në faktin se një dokument i tillë parasheh një sërë pikash që do të zbatoheshin e që përfshijnë paprekshmërinë e kufijve të dy shteteve, njohjen dhe respektimin e simboleve shtetërore, mospengimin e palëve në integrimet evropiane, dhe po ashtu një aranzhim të veçantë për komunitete që në përgjithësi presin që në mënyrë praktike të normalizojnë raportin mes dy shteteve.

Vlera e Propozimit të BE-së ndoshta më së shumti ndërlidhet me faktin që paraqet një dokument që është dizajnuar në mënyrë të atillë që i shërben çështjes së eliminimit të pengesave në definimin e sovranitet të shteteve. Duhet patur parasysh që çështja e sovranitetit ka qenë një ndër aspektet definuese të këtij procesi në përgjithësi dhe në përgjithësi edhe cak kryesor i sulmeve politike të shtetit serb kundrejt atij të Kosovës. Sipas kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviq, fryma konstruktive në pranim të kësaj marrëveshje do të bënte që të uleshin tensionet e prodhuara në Veri të Kosovës dhe të vazhdohej përpara. Opinionisti Dedë Preqi po ashtu rithekson rëndësinë e vendosjes së palëve në pozita të barabarta në kuadër të këtij procesi. Ai u shpreh duke thënë: “Pse Kosova, duhet ta pranojë planin franko-gjerman, edhe pse në të, nuk gjendet njohja e ndërsjellë, me përshtypjen se nga një plan i tillë përgjegjësitë do të merren parasysh nga një instancë njerëzore me arsye të thjeshta por të shëndosha, që ka për qëllim të rregullohen marrëdhëniet në mes palëve në mënyrë të barabartë, të cilat Kosova, i vë në rend të parë, duke kërkuar rrugët paqësore dhe për ta zhdukur problemin e një historiku famëkeq që kanë këto dy vende me shekuj në mes vete.” Në këtë mënyrë kemi të bëjmë me një përpjekje konsensuale dhe ligjërisht obliguese për të sjellë përmirësim konkret raportesh mes shteteve.


Propozimi i BE-së meriton vlerësim duke qenë edhe në terma krahasimorë një zgjidhje më e mirë se opsionet e së kaluarës. P.sh. Marrëveshja e Uashingtonit e realizuar dy vite më parë mes Kosovës dhe Serbisë ndonëse përbënte një përpjekje për normalizim të raporteve mes dy shteteve, ishte një dokument që në përgjithësi ishte më pak gjithëpërfshirës se Propozimi i BE-së. Po ashtu, në ndërlidhje me atë që u theksua më lartë në këtë artikulli, Propozimi i BE-së bën më shumë sa i përket definimit të sovranitetit dhe barabartësisë mes dy shteteve. Në këtë drejtim, kjo marrëveshje përbën ndoshta kornizën më të vlefshme sa i përket vendosjes së raporteve të dy shteteve në një bazë më solide.

Ndonëse procesi i dialogut vështirë që mund të arrijë objektivin bazë të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, Propozimi i BE-së ofron bazën ligjore dhe legjitimitetin e duhur për të vepruar si një dokument që rregullon statusin e dy palëve në proces duke bërë hapa të rëndësishëm në normalizimin e raporteve mes shteteve, që, me fjalët e Kryeministrit Kurti, është pothuajse një njohje de facto e shtetit të Kosovës.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.