Kur Amerika të kërkojë diçka, Kosova s’duhet të pyes ‘pse’ por ‘si’, tha së fundi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kjo është pak a shumë logjika e pushteteve të kaluara, e shprehur banalisht nga një gazetar i afërt me ta kur deklaroi që nëse Amerika i thoshte “mos flej me gru tri ditë” ai s’do të flinte tre muaj. Për fat të mirë, Kurti duket më i arsyeshëm dhe po t’i kërkohej të mos flinte tri ditë, s’do të flinte bash tri ditë, pa e ekzagjeruar.
Shakatë mënjanë, a u votua Kurti që të adoptonte të njëjtën logjikë si pushtetet e kaluara?
Ai po kritikohet sot në Kosovë vazhdimisht për ndërrim fjalësh sa i përket kësaj çështjeje. Për fat të keq, kryeministri s’duket që ka gatishmëri të përballet me një akuzë të tillë dhe prandaj s’e zë në gojë. Por, ai nuk u votua për qëndrimet e tij për dialogun, Serbinë, UÇK-në, Amerikën, KFOR-in, Bashkimin Kombëtar apo çfarëdo budallallëku të shprehur dikur.
Është e vërtetë se kryeministri jo që ka kërkuar të mos nënshkruhet teksti i Rambouillet-së por as të mos shkohet në Konferencën në fjalë. Është e vërtetë se kryeministri ka qenë kundërshtues i procesit negociator të Vjenës. Është e vërtetë se kryeministri ka qenë kundërshtues i dialogut teknik pa kërkimfalje dhe dëmshpërblime nga Serbia. Më e rëndësishmja, është e vërtetë se ka ndryshuar qëndrimet rrënjësisht. Por, këto ishin e janë fjalë e qëndrime krejtësisht jodomethënëse.
Siç e kemi parë vazhdimisht e vazhdimisht në Kosovë, rolet politike pozitë-opozitë janë dukshmërisht të performuara kur bëhet fjalë për interesat strategjike kombëtare të vendit. Ai që është në opozitë mund të jetë jashtëzakonisht fantazues, siç ishte Kurti e siç është një pjesë e opozitës së sotme, por ky përbën thjesht aktrim – tamam si në teatër – që nuk përkthen fjalët në vepra dhe ku ndarja me realitetin është më bindëse se në çfarëdo shfaqje të keqe. Në anën tjetër, ai që është në pushtet domosdo rimerr kursin e paracaktuar nga fuqitë e mëdha. Pra, s’ka reciprocitet, s’ka kërkimfalje, s’ka dëmshpërblime e në anën tjetër ka dialog. Për çka marrin rrogë gjithë ata deputetë opozitarë? Ose, gjithë ata deputetë të pushtetit? Mos është Kosova një shtet i rremë që ekspozohet si i tillë tamam kur bën vaki ndonjë gjë e madhe? Epo, ndoshta përnjëmend kur na kërkon Amerika diçka s’duhet të pyesim “pse” por “si”.
Liderët në Kosovë – pozitë, opozitë – duhet ta kenë të ndaluar të flasin për ‘tema të mëdha’ deri në momentin kur do të kenë guxim të mjaftueshëm të përcaktojnë vetë rrugën e vendit përpara.
Albin Kurti u votua të bënte diçka për ekonominë e vendit. Të bënte diçka, thjesht diçka, meqë askush s’e beson që mund të bëjë shumë, meqë edhe këtu ka aktrim e shtirje. Pra, Kurti u votua që të ndalte deri në një masë kërdinë që po bën pasiguria e paperspektiva ekonomike. T’i ndalte hovin pabarazisë në rritje. Dhe kjo është pika ku duhet hapur sytë, e jo në riluajtjen e vazhdueshme të së njëjtës shfaqje.
Tash për tash, kryeministri nuk po shtiret se ka më shumë pushtet se që ka. Duket si një aktor i lodhur nga aktrimi i tij, që lëngon të ikë nga shfaqja e të rilidhet me atë që më pak arbitrarçe se shfaqja konsiderohet ‘realitet’. Dhe, qoftë vetëm për një lodhje të tillë që shpreh më shumë vërtetësi (nëse s’i kthehet sërish budallallëqeve të mëhershme) meriton të shihet për këta muaj më pozitivisht.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.