Qeveria inkurajon bizneset të punësojnë staf multietnik

Një nga të fshehtat më të mira të Kosovës është se çdo mëngjes qindra qytetarë çohen dhe shkojnë në punë ku punojnë së bashku me qytetarë të komuniteteve të ndryshme etnike.

0
244

Në sektorin publik e në atë privat, ka vende të konsiderueshme pune ku punëtorët vijnë prej etnive të ndryshme në Kosovë. Por, përfaqësimi i tyre dhe qasja në tregun e punës nuk është ende i kënaqshëm.

Qeveria e Kosovës po kërkon ta çojë më tutje integrimin e komuniteteve joshumicë në tregun e brendshëm të punës. Zyra për Çështje të Komuniteteve (ZÇK), pranë zyrës së Kryeministrit, ka në dispozicion 1.5 milion euro për këtë qëllim. Kjo Zyrë do t’u ofrojë mbështetje financiare organizatave joqeveritare (OJQ) dhe bizneseve që ofrojnë mundësi aftësimi dhe punësimi për komunitetet jo shumicë.

“Gjysmë milioni euro do jenë për OJQ të cilat janë të interesuara për të ofruar mundësi aftësimi për punë, apo për të ofruar vend pune, dhe gjysma e kësaj shume, 250 mijë euro, është pikërisht për bizneset të cilat janë në pronësi të qytetarëve nga komunitetet e ndryshme jo shumicë”, shpjegon Elizabeth Gowing, këshilltare e kryeministrit, Albin Kurti, për çështjet e komuniteteve, e cila po udhëheq dialogun me qytetarët e komuniteteve joshumicë të Kosovës.

Sipas saj, për Qeverinë, punësimi i qytetarëve të komuniteteve joshumicë konsiderohet më i drejtë dhe shumë më efikas se sa ofrimi i mbështetjes financiare në baza të rregullta. 


Gowing tregon se tashmë kanë zhvilluar bisedime me disa biznese për forma të lehtësimit sa i përket tatimit, si pjesë të strategjisë për t’i motivuar bizneset për të punësuar qytetarë romë, ashkalinjë dhe të tjerë.


“Kemi kuptuar prej disa bizneseve që më shumë preferojnë një grant se sa stimulim përmes tatimit. Pra, jemi duke shikuar se si do stimulohen bizneset për punësim multietnik të stafit”, tha Gowing duke shtuar se këtë vit grantet janë alokuar për secilin komunitet. 


“Nëse dy OJQ të komuniteteve të ndryshme bashkëpunojnë, e kanë mundësinë me fitu një grant më të madh. Po synojmë bashkëpunim edhe mes OJQ-ve dhe bizneseve, me e pa ku janë përparësitë e bashkëpunimit”, tha Gowing.


Për integrimin e komuniteteve të ndryshme etnike, ZÇK-ja ka identifikuar pesë fusha të ndryshme në të cilat do të punojnë, dhe njëra nga to janë bizneset.


“Kemi plan për të identifikuar bizneset që kanë komunitete të ndryshme brenda stafit, një gjë që mendojmë se është nga të fshehtat më të mira të Kosovës, ku çdo mëngjes qindra qytetarë çohen dhe shkojnë në punë ku punojnë së bashku me qytetarë të komuniteteve të ndryshme etnike. Do të thotë, ka shumë biznese ku ka një staf divers, dhe kjo është një pasuri për Kosovën”, tha Gowing.  


Sipas saj, ndonëse nuk flitet shumë për këtë, në komuna, në ministri, por edhe në biznese të vogla, minimarkete në Kamenicë, e në banka, punojnë punëtorë që vijnë nga etnitë e ndryshme. Stafi multietnik, në vende pune si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, është një pasuri për Kosovën, konsideron ajo.


Bizneset përfitojnë nga shumëllojshmëria etnike

Banka Raiffeisen, e cila në Kosovë ka shtrirje në gjithë territorin, për New Perspektivën (NP) thanë se, prej 900 punonjësve sa ka kjo bankë, mbi 20 punonjës janë nga komunitetet joshumicë si dhe ndërkombëtar.

“Në zyrën qendrore të bankës si dhe në rajonet tjera janë të punësuar edhe punonjës nga komuniteti joshumicë dhe ndërkombëtar të cilët kanë një bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe profesional”, thonë në Raiffeisen Bank. 


Megjithatë, stafi i shumëllojshëm sjellë me vete edhe disa sfida për bizneset. Por për Qeverinë dhe ZÇK-në, e ardhmja e Kosovës duhet të jetë e tillë që bizneset të kenë staf multietnik dhe funksional.


E pyetur nga NP për vështirësitë në kumunikim ndërkomunitar në nivel biznesi, në veçanti me komunitetin joshumicë serb në Kosovë, Gowing tha se secili komunitet joshumicë i ka vështirësitë dhe karakteristikat e veta si komunitet.


“Nuk kisha me e veçuar komunitetin serb, ka edhe komunitete tjera, dhe secili ka veçantitë e veta. Disa janë më të zhvilluar nga ana biznesore, disa kanë vështirësi gjuhësore, disa kanë vështirësi ekonomike, dhe duhemi me i trajtuar secilin komunitet sipas kërkesave të tyre”, tha ajo.


Ndërsa në OJQ-në vendore Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (Initiative for Agricultural Development of Kosovo – IADK) thanë se ende në Kosovë ekzistojnë situata ku bashkëpunimi i ndërsjellë mes komuniteteve është i ndikuar nga situata periodike në aspektin politik.


“Në vartësi të zhvillimeve të tilla politike, vërehet edhe ndikimi dhe angazhimi i komunitetit joshumicë, ku nganjherë mund të ndihen të pasigurtë duke hezituar pjesëmarrjen në aktivitetet që ofron organizata”, thanë për NP në IADK.


Megjithatë, IADK tha se ka bërë dhe bën përpjekje që, përpos mbështetjes në aspektin ekonomik, të krijojë edhe mundësi bashkëpunimi.


“Duke inkurajuar bashkëpunimin në mes të shqiptarëve dhe komuniteteve joshumicë të cilët nuk paragjykojnë etnitetin, kanë filluar bashkëpunimin në shitblerjen e prodhimeve bujqësore për të prodhuar produkte të ndryshme të frutave dhe perimeve, të cilat tanimë edhe janë plasuar në treg”, thanë në IADK.


Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) vlerëson se në përgjithësi nuk ka probleme në komunikim ndërkomunitar në nivel biznesi.


“Në përgjithësi OEK vlerëson se nuk ka probleme në komunikim dhe bashkëpunim, do të thotë, bizneset komunitare kanë bashkëpunim të rregullt dhe pa asnjë barrierë”.


NP u interesua të dijë se çfarë ka bërë Oda Ekonomike e Kosovës, OEK, për vënie të kontakteve më të mira biznesore ndërkomunitare.


“OEK ka implementuar edhe projekte që kanë pasë synim rritjen e bashkëpunimit në mes të bizneseve të komuniteteve të ndryshme. OEK gjithashtu, gjithmonë u ka ofruar hapësira në evente të ndryshme siç janë panairet tradicionale të OEK (i përgjithsmëm dhe ai bujqësor); ka mundësuar pjesëmarrjen e këtyre bizneseve edhe në eventet B2B me biznese të ndryshme; pjesëmarrje në trajnime të ndryshme të organizuara në OEK”, u përgjigjen nga OEK.


Në kuadër të projektetve që IADK zbaton, ata thanë se përkrahin të gjithë pa dallim, duke përfshirë edhe komunitetet joshumicë. Sipas tyre, përkrahja është e larmishme, si në aspektin e ofrimit të granteve, të mirave materiale në fushën e bujqësisë dhe përpunimit, me qëllim përfshirjen e tyre në aktivitete ekonomike, ashtu edhe në organizimin e programeve trajnues për ngritje të kapaciteteve teknike dhe profesionale.


Një tjetër OJQ vendore, Oda e Afarizmit e Kosovës (OAK) tha se e arrijnë qëllimin e tyre për krijimin e një ambienti sa më të favorshëm të të bërit biznes në vend “duke iu qëndruar sa më afër bizneseve pavarësisht përkatësisë etnike”. 


Në pyetjen e NP se pse, megjithatë, në anëtarësinë e kësaj OJQ-je dominon komuniteti biznesor i etnisë shumicë, asaj shqiptare, OAK thotë se fakti që deri tani nuk kanë në anëtarësinë e tyre bizneset e përfaqësuara nga komunitetet jo shumicë nuk do të thotë që e përjashtojnë mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen.


Në ZÇK thonë se janë duke mbledhur informacione se çka mund të bëjnë më shumë që të ndihmojnë bashkëpunimin ndërkomunitar.


“Qeveria është e interesuar të shohë se çka mund të bëjë për të motivuar diversitetin për të mirën e qytetarëve, por edhe për të mirën e bizneseve, sepse dëshmohet në hulumtimet botnore, se bizneset që kanë diversitet në staf kanë përparësi, sepse përfitojnë nga këndvështrime të ndryshme”, deklaron Gowing. 


Për përfitime të biznesit nga një staf i shumëllojshëm pohojnë edhe në Raiffeisen Bank.


“Padyshim që shumëllojshmëria e punonjësve në një biznes ka përparësitë e saj të cilat ndikojnë në: rritjen e kreativitetit dhe inovacionit, njohjën e kulturës së tregut dhe të klientëve, fitimin e njohurive të reja, zhvillimin profesional etj. Për këtë edhe ne si bankë e kemi strategji shumëllojshmërinë”, thonë në Raiffeisen Bank.