Rasti i therjes me thikë të dy të rinjve serbë ende në fazën e gjykimit

Sipas Policisë së Kosovës dhe misionit të OSBE-s, sulmi me thikë ndaj dy personave të nacionalitetit serb - Slobodan Savić (26) dhe Marko Mirković (18), në dhjetor të vitit të kaluar, është bërë për motive të ulëta dhe të gjithë të involvuarit kanë qenë nën ndikim të alkoolit. Rasti është ende në fazën e gjykimit në gjykatën e Vitisë

0
1281

Sulmi me thikë ndaj dy personave të nacionalitetit serb, Slobodan Savić (26) dhe Marko Mirković (18), në fshatin Gërnçar në komunën e Kllokotit, është ende në fazën e gjykimit. Rasti kishte ndodhur në dhjetor të vitit 2016 dhe, sipas policisë, deri tek incidenti kishte ardhur kur dy grupe të mysafirëve, njëri serbë dhe tjetri shqiptarë, nën ndikimin e alkoolit kanë filluar të fjalosen ndërmjet vete. Fjalosja ka përshkallëzuar kur i dyshuari shqiptar ka sulmuar me thikë dy të rinjtë serbë. Me këtë rast, tre persona janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Gjilanit. I lënduari, Savić, kishte pësuar një plagë me thikë në zonën e majtë të abdomenit, ndërsa Mirković ishte goditur në gjoks. Të dyshuarit e përfshirë në këtë rast janë arrestuar.

Policia e Kosovës (Drejtoria Rajonale në Gjilan) ka treguar për ngjarjen e ndodhur dhe arsyet që çuan deri tek incidenti. Zëdhënësi i Policisë, Ismet Hashani, ka thënë për “New Perspektiva” se më 17 dhjetor janë njoftuar për një rast, “lëndim trupor” që ka ndodhur në fshatin Gërnçar, të komunës së Kllokotit, rreth orës 01:00 në kafeterinë e quajtur “Shaci Bar”.

“Në këtë rast dy persona janë lënduar, të dy serbë viktima të këtij rasti, të cilët kanë kërkuar ndihmën e mjekut. Po ashtu nga përleshja i lënduar ka qenë edhe njëri nga të dyshuarit”, thotë Hashani.

Sulmi, për motive të ulëta

Me vendim të gjykatësit, tre të dyshuarve u ishte shqiptuar masa e ndalimit prej një muaji.

“Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e zhvilluara i ka lokalizuar të dyshimtit, tre shqiptar dhe një serb që të gjithë shtetas të Kosovës të cilët janë arrestuar nga Policia e Kosovës. Pasi janë intervistuar fillimisht kanë qenë të ndalur për 48 orë e pastaj me vendim të Gjykatësit të procedurës paraprake ndaj tyre ka qenë e shqiptuar masa e ndalimit prej një muaji”, ka theksuar Hashani.

Ai e ka përjashtuar mundësinë që sulmi të jetë bërë për motive ndëretnike. Sipas Hashanit, të gjithë ata kanë qenë nën ndikimin e alkoolit. 

“Nga intervistat dhe hetimet e zhvilluara është kuptuar se motivet e incidentit kanë qenë të ulëta dhe të gjithë të involvuarit kanë qenë nën ndikim të alkoolit, dhe nuk ka pas motiv tjetër”, është shprehur Hashani. Sipas Policisë së Kosovës, rasti me “kallëzim penal” kundër katër personave të dyshimtë, tre shqiptarë dhe një serb është dërguar në prokurorinë e shtetit me 18 dhjetor 2016.

Përkundër interesimit të “New Perspektivës”, prokuroria e shtetit nuk ka ofruar informata në lidhje me hetimet e tyre për rastin.

Ecurinë dhe procedurën e mëtejme që është ndjekur përkitazi me rastin e ka përcjellë misioni i OSBE-s në Kosovë. Nga informacionet që kanë grumbulluar, OSBE e ka përshkruar në detaje rastin se si ka ardhur deri tek incidenti si dhe reagimin e organeve të sigurisë.

OSBE: Rasti në fazën e gjykimit

Misioni i OSBE-së thotë se më 19 dhjetor 2016 e ka kontaktuar zyrtarin përkatës të Policisë së Kosovës për të kërkuar më shumë informata për rastin.

“Bashkëbiseduesi deklaroi se dy grupe të mysafirëve ishin ulur dhe kanë qenë duke pirë ndaras, kur nën ndikimin e alkoolit kanë nisur të fjalosen. Në grupin e parë ishin shqiptarë të Kosovës dhe serbë të Kosovës të ulur së bashku në një tavolinë, ndërsa tryeza tjetër përbëhej vetëm nga serbë të Kosovës. Bashkëbiseduesi ynë përjashtoi mundësinë të ketë qenë motiv etnik. Policia e Kosovës ka hapur rastin kundër tre meshkujve shqiptarë të Kosovës dhe një serbi të Kosovës, për vrasje në tentativë”, thuhet në përgjigjen e zyrës së OSBE-s.


Ndërkaq më 16 janar 2017, sipas OSBE-s, është ngritur aktakuzë kundër katër të pandehurve.

Një ditë më vonë, është mbajtur seanca fillestare, ku të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm. Gjykata ua ndërpreu masat e paraburgimit duke i lënë në arrest shtëpiak. Sipas procesverbalit të seancës fillestare, të gjithë të pandehurit u përfaqësuan nga avokatë mbrojtës “ex-officio”. Avokatët “ex-officio” angazhohen në përfaqësimet kur palët nuk kanë mundësi të paguajnë vet avokatë. Seanca dëgjimore është mbajtur në gjuhën shqipe me përkthim në serbisht.

“Misioni i OSBE-së mësoi nga gjykata se avokatët mbrojtës të të pandehurve kanë paraqitur kërkesë për hedhjen poshtë të aktakuzës për shkak të mungesës së mjaftueshme të provave, megjithatë gjykata e ka hedhur poshtë kërkesën dhe do të procedojë me rastin në përputhje me rrethanat”, thotë OSBE-ja.


Pas incidentit në Kllokot, reagime të shumta ka pasur nga përfaqësues të serbëve në Kosovë. Ata kanë kërkuar zbardhjen e rastit dhe vënien e përgjegjësve të sulmit para drejtësisë. Duke qenë se incidenti ka ndodhur në një vend publik, e ashtuquajtura zyrë për Kosovë në qeverinë e Serbisë ka thënë se nuk mund të ketë justifikim për mos efikasitet të organeve të sigurisë.

“Ata duhet të punojë që të dëshmojnë se serbët janë të barabartë para ligjit. Brutaliteti i sulmeve mbi serbët po shtohet në kohën kur ka rritje të paqëndrueshmërisë politike dhe sulmeve politike mbi popullin serb, të shoqëruar edhe me incidente të tilla”, thuhet në reagimin e kësaj zyre.

Sipas tyre, incidentet e tilla imponojnë sfida të vazhdueshme për të garantuar siguri më të madhe për komunitetin serb në Kosovë.

Më 20 qershor të këtij viti, Misioni i OSBE ka vizituar degën e gjykatës në Viti dhe ka konstatuar se rasti është ende në fazën e gjykimit, pa ndonjë zhvillim të ri.