“Greqia tani është bërë më e madhe,” i kishte thënë ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, homologut të tij grek pas nënshkrimit të marrëveshjes së Prespës më 2017. Kur zgjidhin paqësisht mosmarrëveshjet me fqinjët e tyre, shtetet rriten në vend se të tkurren, i tha Dimitrovi audiencës në Samitin e Kosovës për Paqe dhe Demokraci, që u mbajt më 21-22 shtator në Prishtinë.
Samiti u organizua nga organizatat e shoqërisë civile New Social Initiative (NSI-Mitrovicë), Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS-Prishtinë), Sbunker (Prishtinë) dhe Atlantic Council (Uashington), dhe tuboi zyrtarë të lartë qeveritarë nga i gjithë rajoni, pjesëtarë rajonalë e ndërkombëtarë të shoqërisë civile dhe diplomatë ndërkombëtarë të vendosur në Kosovë.
Ndër folësit ishin edhe Odeta Barbullushi, këshilltare e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Jovana Marović, zëvendëskryeministre e Malit të Zi, Damon Wilson, kryetar dhe Shef Ekzekutiv i National Endowment for Democracy (NED) dhe Srdjan Majstorović, kreu i Bordit të Qendrës Evropiane për Politikë (CEP).
Samiti u mbajt pas daljes së një dokumenti jozyrtar, të publikuar në një portal të Kosovës, i cili me sa duket përmbante hollësitë e propozimeve të reja për dialogun Kosovë-Serbi, përfshirë heqjen (për momentin) nga tavolina të Asociacionit të Komunave Serbe dhe nxitjen e njohjes nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën.
Bashkimi Evropian ka mohuar fuqishëm se i ashtuquajturi ‘non-paper’ i publikuar në portalin Albanian Post më 18 shtator është autentik.
Vëzhgues të tjerë të Ballkanit po ashtu kanë vënë në dyshim autenticitetin e tij. Profesori i Universitetit të Gracit, Florian Bieber, ka theksuar se dyshon që ndonjëra nga pesë vendet mosnjohëse do ta ndryshonte pozicionin para se Beogradi ta bënte këtë zyrtarisht. Bieber tha se portali ishte i afërt me Ramën dhe mbase publikimi ishte një “perde tymi.”
“Në përgjithësi, ai duket sikur është shkruar nga Beogradi,” tha Bieber.
Ky samit shihet si mundësi e përvitshme për të tubuar shumë palë të interesit për të diskutuar mënyrat jo vetëm për ta shtyrë përpara dialogun Kosovë-Serbi, por edhe për të parë sesi ndikon ai në tërë rajonin.
Me një qëndrim që jehoi gjatë tërë konferencës, organizatorët shtruan motivet e tyre: “Agresioni rus në Ukrainë në fillim të këtij viti e ka bërë trishtueshëm të qartë se është koha të merren veprime të guximshme, si nga ana e BE-së për të zgjeruar zonën e paqes dhe prosperitetit, ashtu edhe nga ana e Kosovës e Serbisë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre dhe për të ecur përpara në procesin e integrimit.”
Asnjë përfaqësues zyrtar nga Kosova as nga Serbia
Qeveria e Kosovës nuk kishte dërguar ndonjë përfaqësues zyrtar për të folur. Ramadan Ilazi, udhëheqës i hulumtimeve në QKSS, theksoi se ky ishte një rast i humbur nga zyrtarët e Kosovës që të kuptojnë pikëvështrimet e ndryshme dhe për t’u angazhuar me palë të ndryshme të interesit nga i tërë rajoni.
As qeveria serbe nuk kishte dërguar ndonjë përfaqësues.
Damon Wilson, nga NED, theksoi në fjalimin e tij se Kurti po u jepte rusëve “grremçin e vetëm të njëmendtë në rajon,” me refuzimin e tij për të zbatuar Asociacionin e Komunave Serve. Wilson shtoi se qeveria e Kosovës duhej “t’i jepte oksigjen” skemës së Ballkanit të Hapur që po i bashkon Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, në një treg të vetëm dhe zonë udhëtimi të ngjashme me BE-në.
Por Jovana Marović, zëvendëskryeministrja e Malit të Zi, theksoi dyshimet që vendet e tjera në rajon – përfshirë Podgoricën – kishin në lidhje me qëndrueshmërinë e këtij projekti dhe sugjeroi se do të ishte më mirë që ai të shkrihej në një treg rajonal. Marović tha gjithashtu se marrëdhëniet Kosovë-Serbi po e mbajnë pezull tërë rajonin.
Odeta Barbullushi diskutoi rreth nevojës së vendeve të Ballkanit për t’u sjellë si “vende të BE-së” për nga vlerat dhe veprimet; dhe për t’u përqendruar në çështje si siguria në ushqime dhe energji. Lufta e Ukrainës është një moment vendimtar për rajonin, tha ajo, dhe tërë vendet e rajonit duhet të angazhohen më tepër dhe të kenë më shumë platforma për të angazhuar BE-në.
Procesi i Berlinit
Manuel Sarrazin, përfaqësuesi Special i qeverisë federale të Gjermanisë për Vendet e Ballkanit Perëndimor, iu drejtua samitit përmes një video-mesazhi.
Duke folur para takimit të radhës të Procesit të Berlinit për shtetet e Ballkanit Perëndimor, Sarrazin deklaroi: “Kancelari Scholz ka vendosur të rigjallërojë procesin e Berlinit. Dhe kjo nuk duhet nënvlerësuar. Unë dua të krijoj një vëmendje pozitive, të ngre pritshmëritë në rajon drejt Samitit të Berlinit që do të mbahet më 3 nëntor në Berlin.
Procesi i Berlinit tubon të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekje për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sarrazin ritheksoi mbështetjen për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe vijoi duke theksuar që, “ne, gjermanët, qëndrojmë plotësisht mbrapa rolit të Miroslav Lajčakut si lehtësues për dialogun dhe do të bëjmë atë që na kërkon ai të bëjmë për ta përkrahur. Ai është kuzhinieri, ne jemi djemtë në kuzhinë.”