Sa janë të përfaqësuar serbët e Kosovës në mediat kosovare në gjuhën shqipe? Cilat janë vështirësitë që hasin gazetarët dhe si mund të ndryshojë gjendja? Këto ishin disa prej çështjeve që u diskutuan në një debat të zhvilluar nga New Perspektiva.
Milica Andrić Rakić e organizatës së shoqërisë civile, New Social Intitiative, thotë se në mediat në gjuhën shqipe ka mungesë të konsiderueshme të pranisë së komunitetit serb dhe të opinioneve të tyre.
“Unë besoj se qëndrimet tona nuk përfaqësohen sa duhet dhe koha e cila na kushtohet nuk është e mjaftueshme për të shpjeguar në mënyrë të plotë pozitën e komunitetit serb në Kosovë, dhe kjo mendoj se ka ndikim të madh në perceptimin e komunitetit shumicë, por edhe në disa prej vendimeve të qeverisë,” thotë Andrić Rakić.
Sipas saj, moskuptimi i plotë i situatës në Veri – se me çfarë çështjesh ballafaqohen atje – është edhe shkaktar i mossuksesit për të zgjidhur çështjen e targave që nga shtatori i vitit të kaluar.
Mediat e të dyja komuniteteve raportojnë pothuajse ekskluzivisht për ngjarjet që kanë të bëjnë me komunitetin e tyre, ndërsa në mediat në gjuhën shqipe rrallë gjen informacion për problemet që serbët kanë në jetën e tyre të përditshme, p.sh. në Graçanicë, pak kilometra larg Prishtinës, apo në Partesh e Ranillug, te Gjilani.
Edhe në rastet kur bëhen përpjekje, sfidë të posaçme përbëjnë qasja te komuniteti serb, pengesat gjuhësore por edhe stigma, thotë Kreshnik Gashi, redaktor menaxhues në Kallxo.com.
“Kemi shumë raste kur përpiqemi të raportojmë madje edhe për gjërat e vogla në këto komunitete dhe ata e shohin si problem që të flasin me mediat, ngase nuk ndihen të sigurt të flasin me një gazetar shqiptar, sepse besojnë se nuk ndodhen aty për interesin e publikut,” thotë Gashi.
Ai shton se duhet punuar me komunitetin që t’u bëhet me dije se gazetarët ndodhen aty për hir të interesit publik, jo për interesin e ndonjërit prej komuniteteve.
Vështirësi tjetër përbën qasja e gazetarëve tek institucionet – për gazetarët serbë te institucionet qendrore ndërsa për gazetarët shqiptarë tek institucionet lokale në komunat me shumicë serbe.
Bashkë me çështjen e besimit të ndërsjellë dhe të sigurisë, pengesa më e madhe është ajo e mosnjohjes së gjuhës, derisa përkthimet kërkojnë mjete të konsiderueshme. Si zgjidhje të vetme afatgjatë sa i përket kësaj, Andrić Rakić e sheh mësimin e gjuhëve të njëri-tjetrit në shkolla të mesme dhe fillore, që për të duket një e ardhme shumë e largët.
“Pa i thyer pengesat gjuhësore, media nuk mund të bëjnë ndonjë gjë të madhe që nuk kërkon fonde të mëdha, ngase, siç pohova, shkoqitja e deklaratave të shkurtëra, nga pesëmbëdhjetë sekonda nga fjalitë nuk është e mjaftueshme që të shpjegohen të gjitha hollësitë e disa prej çështjeve me të cilat përballet komuniteti serb në Kosovë, qoftë në veri a në jug,” thotë ajo.
Ka raste si p.sh. ato të Balkan Investigative Reporting Network (BIRN) kur ekipe të përbashkëta të gazetarëve shqiptarë dhe serbë punojnë në reportazhe të njëjta, me politikë të njëjtë redaktuese, thotë Gashi. Por ai thekson se televizioni publik ka mundësi për ta mbushur këtë boshllëk edhe sa i përket përkthyesve, edhe gazetarëve në të dyja gjuhët, si dhe ka mjete financiare që i merr nga taksapaguesit.