Serbia dhe qasja e saj e vjetëruar në raport me realitetin e Kosovës

Kërkesa e fundit per kthim te trupave serbe në Kosovë, protestat nga strukturat ilegale dhe mungesa e konstruktivitetit në pëgjithësi rreth çështjes së Kosovës dëshmojnë se si shteti serb e ka shumë të vëshirë për të pranuar realitetin e ri të një Kosove të pavarur dhe me ambicie për të shtrirë sovranitetin.

0
126

Derisa përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë dizajnuar që të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut që konsiderohet si qasja e duhur në këtë drejtim, tensionet e fundit të shfaqura në Veriun e Kosovës dëshmojnë që, përkundër kësaj alternative, shteti i Serbisë duket që ende nuk është shkëputur nga “fantazmat” e së kaluarës – qasjes së tyre militariste kundrejt shtetit të Kosovës, edhe në një kohë kur kemi të bëjmë me një realitet krejt të ri. Veprime të tilla dëshmojnë që shteti serb vazhdon që jo vetëm të mospranojë por, mbi të gjitha, të minojë sovranitetin e Kosovës dhe që nuk nuk arrin të shkëputet nga e kaluara. Për më tepër, këto veprime dëshmojnë që Serbia nuk përfill pritjet e procesit të dialogut ose që edhe e injoron fare si proces që do duhej të stabilizonte raportet mes shteteve.

Së fundmi, shteti i Serbisë bëri një kërkesë te KFOR-i për kthimin e 1000 trupave serbe në Kosovë. Në këtë drejtim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh që një veprim i tillë nga ana e Serbisë shprehte “nostalgjinë” e Serbisë për të kaluarën dhe, mbi të gjitha, demonstronte edhe pafuqinë e kësaj të fundit. Më saktë, Kurti ishte shprehur për Serbinë duke thënë që:  “ata e kanë bërë një kërkesë KFOR-it me sa di, tash natyrisht ajo është një kërkesë jo reale e cila flet më shumë për ata sesa për vendin tonë, kurrë nuk ka pasur nevojë për ushtarë serbë në Republikën e Kosovës, kurrë nuk ka pasur nevojë për ushtarë serb në shekullin e 20-të e as 19-të, tash kërkesa e tyre më shumë tregon se ata kanë ngelur në shekullin nëntëmbëdhjetë dhe njëzet.” Ai më pas shtoi se një kërkesë e tillë është “më shumë shprehje e pafuqisë sesa fuqisë së tyre” dhe si e tillë dëshmon se si Serbia ende është e preokupuar në dëshirën e tyre, tashmë utopike, për të bërë çdo gjë të mundur për të minuar e mundësisht edhe për të anuluar sovranitetin gjerësisht të pranuar të Kosovës.

Duhet patur parasysh që një kërkesë e tillë e Serbisë në mënyrë të pashmangshme ka një konotacion negativ militarist. Duhet patur parasysh se ngjarjet në Veriun e Kosovës dhe tensionet e diskurset mes shteteve që jo shumë vite më herët kanë patur një konflikt tejet të rëndë (ndonëse termi i saktë do ishte që kishte ndodhur agresion ndaj Kosovës) i japin një lloj kuptimi të veçantë një kërkese të tillë nga ana e Serbisë. Lëvizje të tilla tregojnë se Serbia jeton me të kaluarën militariste dhe me prirje shoviniste përmes shprehjes së nevojës irracionale për trupa serbe në një shtet të pavarur dhe mbi të gjitha në një shtet që realisht çështjen e mbrojtjes territoriale nuk e ka problem përderisa ekzistojnë mjaftueshëm trupa të KFOR-it me potencialin e vazhdueshëm për t’u shtuar. Në këtë drejtim, Serbia duhet ta ketë të qartë që deklarata të tilla nuk u kontribuojnë as atyre si palë dhe mbi të gjitha shërbejnë si rikujtim për komunitetin ndërkombëtar që ky shtet e ka vështirë ta injorojë ambicien historike për të ndërhyrë në Kosovë.

Deklaratat e tilla nga Serbia dhe lejimi i veprimeve anti-institucionale nga strukturat ilegale në Kosovë dëshmojnë që shteti serb i është qasur vetëm formalisht procesit të dialogut dhe që në praktikë vazhdon të ndjekë një qasje që nuk shprehë ndonjë tendencë për normalizim raportesh me Kosovën. Veprime të tilla dëshmojnë një lloj konsistence të Serbisë sa i përket jokonstruktivitetit në raport me shtetin e Kosovës. Njëkohësisht, veprime të tilla janë argument shtesë për mungesën e efektivitetit të dialogut si proces në tërësi dhe vullnetit të palëkundur serb për të minuar në çdo mënyrë çdo përpjekje për konsolidim të shtetësisë së Kosovës. Kjo normalisht është një qasje e vjetëruar në raport me Kosovën nga e cila shteti serb nuk është duke mundur të largohet.

Duhet patur parasysh që shteti serb ka demonstruar një lloj konsistence sa i përket qasjes së tyre ndaj Kosovës. Bëhet fjalë për mungesën e shkëputjes nga ambiciet e vjetëruara shoviniste për të ndërhyrë direkt në sovranitetin e Kosovës. Kërkesa e fundit për kthim të trupave serbe në Kosovë, protestat nga strukturat ilegale dhe mungesa e konstruktivitetit në pëgjithësi me çështjen e Kosovës dëshmojnë se si shteti serb e ka shumë të vëshirë për të pranuar realitetin e ri të një Kosove të pavarur dhe me ambicie për të shtrirë sovranitetin.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.