Sesioni i rregullt i vjeshtës i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me numrin 77 ishte shumë aktiv. Të gjitha shtetet pjesëmarrëse kishin interesat e tyre për të zhvilluar sa më shumë takime dypalëshe ashtu që të përpiqen të bindin palën tjetër për disa prej qëndrimeve apo interesave të tyre politike ose të përpiqen që të mbajnë gjendjen ekzistuese. Disa vende u morën këtë herë me çështjen e ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në territorin e Ukrainës, e disa të tjera u interesuan për problemet e tyre ekzistuese. Natyrisht dihet se cilat shtete tashmë qe njëzet vite po merren vetëm me problemet e veta. Sigurisht ia keni qëlluar, fjala është për shtetet e Gadishullit Ballkanik. Secili prej këtyre shteteve po vuan dhimbjen e vet, dhe dhimbjen më të madhe po e vuan Serbia me Kosovën. Sipas raportimit të të gjitha mediave, lufta diplomatike ishte e madhe dhe e përpunuar me plan. Po krijohet përshtypja se po shkohet ose për gjithçka ose asgjë. Presidenti i Republikës së Serbisë arriti në Nju Jork shumë më herët se sa kur ishte planifikuar të mbahej Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ashtu që me ambasadorin e Serbisë në Amerikë, Marko Đurić, të përgatis terrenin për bisedime dypalëshe me shtetet tjera. Sipas shkrimit të shumë mediave, delegacioni serb ka kryer aktivitete intensive diplomatike në Nju Jork, gjë të cilën e konfirmoi edhe ministri i Jashtëm, Nikola Selaković, në deklaratën e tij për media, duke theksuar se ka mbajtur gjithsej 100 takime në margjinat e seancës së 77-të; prej tyre, 95 me ministra të jashtëm, dhe se janë nënshkruar 12 marrëveshje, protokolle dhe memorandume me përfaqësuesit e vendeve me të cilat ka pasur mundësi të takohet. Selaković ka konfirmuar po ashtu se ka biseduar me përfaqësuesit e vendeve që e kanë njohur Kosovën, si dhe me ato që nuk e kanë bërë këtë dhe „të cilat edhe një herë e kanë konfirmuar mbështetjen dhe përkushtimin e tyre në mbrojtjen e parimit vital të paprekshmërisë së integritetit territorial dhe sovranitetit të shteteve ndërkombëtarisht të pranuara anëtare të OKB-së.“
Ajo që mund të theksohet si rezultat i kësaj lufte diplomatike është informacioni i publikuar edhe nga ministri Selaković se ka marrë një notë tjetër për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe se Serbia do të vazhdojë të bëjë punën e saj. Ajo që kemi kuptuar pas kësaj Asambleje të Përgjithshme është se Perëndimi po punon intensivisht në ofrimin e ndihmës logjistike për Prishtinën në marrjen e njohjeve të reja të pavarësisë dhe se Prishtina është në rrugën e saj për t’u njohur nga tri vende afrikane dhe tri aziatike.
Mirëpo, duhet pranuar se deklarata e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, megjithatë ka mbetur mjaft mbresëlënëse, edhe pse qëndrimi i Shqipërisë zyrtare në lidhje me statusin e Kosovës është përgjithësisht i njohur. Përveç deklarimit se është e nevojshme që Beogradi zyrtar ta njohë sa më shpejt pavarësinë e Kosovës, si dhe që është e nevojshme që Kosova të bëhet anëtare e nismës Ballkani i Hapur, ai theksoi se është e domosdoshme që të pranohet kërkesa e Shqipërisë për të paraqitur një raport të ri me prova dhe fakte, i cili është në kundërshtim me raportin e Dick Martit, i cili qëllimisht e portretizoi UÇK-në në një kontekst negativ, si dhe vetë historinë e Kosovës. Sipas mendimit të tij, ky raport është trillim dhe fantazi. Duke pasur parasysh këtë kërkesë të fundit të Edi Ramës si dhe marrëdhëniet e mira deri tani mes tij dhe Presidentit të Serbisë, është për t’u pritur që marrëdhëniet të dëmtohen në kuptimin politik sepse kjo deklaratë bie ndesh me politikën zyrtare të Serbisë lidhur me gjithçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës gjatë luftës, dhe atë çfarë e përshkroi Dik Marti në raportin e tij.
Në periudhën kohore në vijim do të shohim se sa nga të gjitha ato që janë dakorduar dhe nënshkruar do të përmbushen dhe respektohen në të ardhmen, por edhe nëse nuk do të respektohet gjithçka që është dakorduar dhe nënshkruar, shtatori i ri do të vijë kur do të caktohet Asambleja e re e Përgjithshme e OKB-së, kështu që do të fillojmë gjithçka nga e para.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.