Sfida e pajtimit në një shoqëri dhe sistem arsimor të segreguar

Gjersa literatura shkencore mbi Luftën e Kosovës, ndërhyrjen ndërkombëtare dhe shtetndërtimin është gjithnjë në rritje, ka pasur pak fokus në rolin e arsimit si mjet pajtimi. Edhe atyre pak studimeve të përqendruara mbi arsimin, në Kosovë apo në shoqëritë e tjera të pasluftës, në përgjithësi u shpëton roli i edukatorëve/mësimdhënësve.


(Përvoja e mësimdhënësve të historisë në Kosovë me mësimdhënien për luftën)

Arsimi mbetet instrument thelbësor për kombndërtimin dhe progresin socio-ekonomik. Veç tjerash, arsimi është bërë instrument përherë e më jetik për ballafaqimin me të kaluarën, pajtimin dhe ngritjen e një qytetarie demokratike në shoqëritë e paskonfliktit. Rëndësia e mësimit të historisë në veçanti njihet ndër specialistët e politikëbërjes dhe studiuesit që merren me sfidat e pajtimit në shoqëritë e paskonfliktit. 

Në rastin e Kosovës, arsimi është tejet i rëndësishëm në përpjekjet për të kuptuar rrënjët e segregacionit etnik në vitet 1990 si dhe sfidat pas Luftës dhe pas Pavarësisë për të integruar komunitetet joshumicë në sistemin politik dhe shoqërinë e Kosovës.

Përkundër përpjekjeve të njëpasnjëshme të UNMIK-ut dhe të institucioneve të Kosovës për të integruar të gjitha komunitetet në shtetin dhe shoqërinë e Kosovës, në realitet, arsimi mbetet një nga fushat më të segreguara në Kosovë, me nxënësit serbë të Kosovës që ndjekin mësimet si pjesë e sistemit arsimor të Serbisë.

Ky realitet paraqet sfida serioze për orvatjet për të arritur pajtim dhe për të ngritur një regjim demokratik qytetarie në Kosovë. Të dyja sistemet arsimore, në gjuhën shqipe i Kosovës dhe në gjuhën serbe i Serbisë, që ekzistojnë në Kosovë, funksionojnë në objekte të ndara dhe kanë planprograme dhe tekste shkollore të ndryshme. Veç kësaj, kur bëhet fjalë për mësimin e historisë dhe konfliktet e së shkuarës, ato vijojnë t’i zgjasin jetën historive dhe narrativave përjashtuese (nacionaliste) ndaj njëra-tjetrës rreth së kaluarës në përgjithësi dhe rreth Luftës së Kosovës në veçanti. 

Gjersa literatura shkencore mbi Luftën e Kosovës, ndërhyrjen ndërkombëtare dhe shtetndërtimin është gjithnjë në rritje, ka pasur pak fokus në rolin e arsimit si mjet pajtimi. Edhe atyre pak studimeve të përqendruara mbi arsimin, në Kosovë apo në shoqëritë e tjera të pasluftës, në përgjithësi u shpëton roli i edukatorëve/mësimdhënësve.

Përvoja e mësimdhënësve të historisë në Kosovë që ligjërojnë për luftën

Një studim i fundit nga autori kryesor i këtij artikulli hulumton përvojat e mësimdhënësve të historisë në sistemin shqiptar në Kosovë. Disa prej gjetjeve të këtij studimi që më së shumti bien në sy, e që përfshijnë një numër mësimdhënësish në Kosovë, diskutohen në vazhdim.

Pothuajse asnjë trajnim për trajtimin e temave të ndjeshme

Trajtimi i temave të ndjeshme që mund të nxitin emocionet e nxënësve, të krijojnë shqetësim dhe mbase reagime negative në klasë, duket si një luzmë aftësish të cilat duhet t’i fitojnë mësimdhënësit e historisë në shoqëritë e paskonfliktit, sepse këtoj lloj situatash janë shumë të zakonta në shoqëritë me histori të afërme konfliktesh të dhunshme. Do të ishte e kuptueshme që këto të jenë pjesë e didaktikave apo ndoshta të kursit të psikologjisë/pedagogjisë, po që se ka ndonjë në programin e Trajnimit Fillestar të Mësimdhënesve. Mjerisht, asnjëri prej këtyre mësimdhënësve nuk ka deklaruar se ka pasur ndonjë trajnim rreth trajtimit të temave të ndjeshme gjatë trajnimit të tyre fillestar të mësimdhënies.

Multiperspektiviteti i devijuar

Multiperspektiviteti është një nga “konstruktet” më të njohura që diskutohen kur bëhet fjalë për mësimdhënien bashkëkohore të historisë. Ka shumë definicione e kuptime të multiperspektivitetit, por aspektet e saj kryesore janë të përmbledhura mirë në punimin e Stradling-ut më 2003, dhe aty thuhet se multiperspektiviteti është një proces që nënkupton “të kuptuarit se edhe ne kemi një perspektivë e cila është filtruar nëpër kontekstin tonë kulturor, pasqyron pikëvështrimin dhe interpretimin tonë se çfarë ka ngjarë dhe përse, pikëpamjen tonë se çfarë është e çfarë nuk është e rëndësishme, dhe mund të pasqyrojë edhe paragjykime a anime të tjera” (f. 13). Zbatimi i multiperspektivitetit në klasë më të shumtën e herave nis me paraqitjen e burimeve të ndryshme e shpeshherë kundërthënëse rreth ngjarjes së njëjtë dhe me fillimin e diskutimeve për dallimet. Kjo duhet të çojë te zhvillimi i vetëdijes së nxënësve për ekzistencën e këndvështrimeve dhe mënyrave të ndryshme për të konstruktuar ngjarjet historike. Kjo duhet t’u ndihmojë studentëve të zhvillojnë shkathtësi të caktuara të të menduarit historik dhe mund të jetë tepër e dobishme në kontekstet e paskonfliktit ku shpesh shpërfillen perspektivat alternative. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në studim vijuan trajnime të multiperspektivitetit dhe disa syresh përdorën qasjet e multiperspektivës në orë mësimi. Megjithatë, mbështetur në mënyrën sesi i përshkruajnë përvojat e tyre, shumë prej tyre siç duket e keqkuptojnë dobinë kryesore të kësaj qasjeje. Teksa disa pjesëmarrës njoftuan mbi sfidimin e disa paragjykimeve për grupin tjetër, shumë prej tyre përdorin narrativat  historike të krijuara nga grupi tjetër për të “dëshmuar” vërtetësinë dhe legjitimitetin e versionit të ngjarjeve të grupit të vet.

Mësimdhënësit si burim primar

Shumica e pjesëmarrësve kanë njëfarë përvoje personale të konfliktit të dhunshëm. Kjo situatë, sado e zakonshme në shoqëritë paskonfliktuale, çel një hapësirë për praktika me gjasë problematike. Në rastin e pjesëmarrësve në studim, të gjithë raportuan mbi përdorimin e  përvojave vetjake apo të familjes për t’ia shtuar një “dimension njerëzor” historisë së fundit. Shumica thanë se kjo ishte nxitur nga nxënësit të cilët shpeshherë pyesnin “si ka qenë vërtetë gjatë luftës.” Shumica e pjesëmarrësve njoftuan se i kishin përshtatur rrëfimet e tyre të kohës së luftës varësisht nga mosha e nxënësve me të cilët punojnë në mënyrë që të mos i traumatizojnë. Veç tjerash, shumë pjesëmarrës censuruan dhe redaktuan mësimet e tyre varërisht nga njohuritë që kishin për qytezën/lagjen ku japin mësim. Fjala vjen, kur në një klasë të caktuar kishte nxënës të “familjeve të cilat kanë vuajtur shumë,” e dinin këtë nga emri i familjes dhe i kapërcenin disa prej përmbajtjeve që ishin të ngarkuara emocionalisht.

Kujtimet e bashkëjetesës

Së fundmi, pas bisedave me mësimdhënës të historisë të moshave të ndryshme, ishte e mundur të nxjerrim ca dallime ndërmjet mënyrës sesi mësimdhënësit e gjeneratave më të vjetra (të vjetër aq sa ta kenë përjetuar dhe të kenë punuar para lufte) dhe mësimdhënësit e gjeneratave më të reja (vetë fëmijë të vegjël gjatë luftës) ligjërojnë për Luftën e Kosovës.

Me fjalë të tjera, pjesa më e madhe e mësimdhënësve të vjetër deklaruan se kanë përfshirë në mësimet e historisë ndonjë rrëfim për bashkëjetesën paqësore para luftës. Shumica deklaruan se e bëjnë këtë për të treguar sesi në luftë, njerëzit e zakonshëm vuajnë në të gjitha anët. Në anën tjetër, këto lloj përvojash nuk i kanë në dispozicion mësimdhënësit e gjeneratave më të reja.

Në përgjithësi, mungesa e trajnimit të duhur për trajtimin e temave të vështira, mënyra specifike e përdorimit të multiperspektivitetit në klasa dhe mbështetja e madhe në përvoja vetjake krijon një tablo të ndërlikuar të peizazhit të mësimit të historisë në Kosovë. Më e rëndësishmja, këto të gjetura çojnë deri te mësime shumë të ndryshme të historisë së Luftës së Kosovës. Varësisht se sa i vjetër është mësimdhënësi apo kush janë nxënësit e tjerë në klasë, nxënësit e Kosovës që ndjekin orët e historisë në gjuhën shqipe mund të mësojnë rrëfime krejt të ndryshme për Luftën e Kosovës. Kjo, në shkallë të lartë, pengon potencialin e mësimit të historisë për të lehtësuar pajtimin.

Radoljub Jovanović ka mbaruar studimet PhD në të Drejtat e Njeriut: Sfidat Etike, Shoqërore dhe Politike (Konflikti dhe Kulturat e Paqes) në Universitetin e Deustos. Si bursist i programit Kosovo Research and Analysis Fellowship, ai ka hulumtuar sfidat e mësimdhënies së historisë së fundit të dhunshme në Kosovë.

Gëzim Krasniqi është ligjërues i Nacionalizmit dhe Sociologjisë Politike dhe bashkëdrejtues i Programit Master për studime të Nacionalizmit në Perspektivën Globale, në Universitetin e Edinburgut, Britani e Madhe.