Shënimi i muajit

0
1614

Intensiteti i dialogut midis Beogradit e Prishtinës në periudhën maj-tetor ka qenë më i ulëti qëkur ka filluar i tërë procesi para 4 vitesh, thuhet raportin e qeverisë serbe mbi dialogun që u bë publik në dhjetor. Për këtë, sipas saj, është dëshmi e dhëna se në këtë periudhë nuk është arritur asnjë marrëveshje e re dhe janë mbajtur vetëm dy takime të nivelit të lartë politik, ku përpjekjet kryesisht kanë qenë të orientuara drejt shqyrtimit të mundësive për kapërcimin e problemeve aktuale e jo bisedime për rifillimin e dialogut. Nga ana e saj ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri nuk po sheh qartësi të qeverisë së re të Kosovës në raport me dialogun. Derisa ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, thotë se dialogu do të (ri)fillojë në janar “me intensitet të shtuar”, njoftime nga Beogradi, të cilat i referohen kabinetit të shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, bëjnë të ditur se po bëhen përpjekje për raund të ri bisedimesh brenda muajit të parë të 2018-s, por vazhdimi i dialogut nuk shihet në horizont.

Një retrospektivë e shpejtë e disa prej momenteve kyçe të procesit të dialogut gjatë 2017-s mbase lë të kuptohet se si kemi ardhur deri te kjo pikë.

Udhëtimi inaugurues i një treni në linjën Beograd-Mitrovicë e Veriut me mbishkrime në më shumë se 20 gjuhë (edhe shqip) që thoshin se “Kosova është Serbi” ngriti tensionet në janar deri ne pikën e vlimit. Ky zhvillim, të cilin Mogherini e quajti ‘moment të vështirë për rajonin,’ e shtyri Brukselin të intensifikonte angazhimin me takime të nivelit më të lartë mes palëve.

Një mur që u ngrit papritmas në dhjetor të vitit 2016 në pjesën veriore të Mitrovicës, jo larg urës kryesore, u hoq me marrëveshje brenda një të dielë në shkurt. Ndonëse Lista Serbe kishte paralajmëruar për këtë muaj themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në mënyrë të njëanshme – nëse Prishtina nuk bën hapa deri atëherë – një gjë e tillë nuk u bë as në shkurt e as gjatë gjithë vitit. Presidenti Thaçi citohet se ka thënë që vetë ai do ta përshpejtoi formimin e Asociacionit gjatë 2018-s.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Mogherini, zgjodhi marsin për ta vizituar Ballkanin ku tha se kishte parë një rajon të “ekspozuar ndaj shtresave te ndryshme te sfidave dhe tensioneve” që “lehtë mund të shndërrohet në fushë shahu” për fuqitë e mëdha. Për urën kryesore mbi Ibër tha se do të shndërrohet nga një simbol i ndarjes në simbol të dialogut dhe kontakteve midis njerëzve – diçka që ende nuk ka ndodhur. Po këtë muaj, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën  kërkoi “të pezullohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj”, i cili ishte ndaluar në Francë në janar në bazë të një fletarresti të vjetër të lëshuar nga Serbia.

prill, kur u shënua përvjetori i katërt i “Marrëveshjes së Parë të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve” midis Kosovës e Serbisë, u krijua përshtypja se po i hapej rruga vazhdimit të dialogut pas vendimit të gjykatës franceze për të mos e ekstraduar Haradinajn në Serbi dhe zgjedhjes së Aleksandar Vučić-it për president të ri të Serbisë. Me zgjedhjen e Vučić-it president u intensifikuan parashikimet se dialogu do të bartet në nivel presidentësh.

Muaji maj e përcaktoi kahjen e zhvillimeve politike në Kosovë për gjysmën tjetër të vitit pas miratimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë dhe caktimit të zgjedhjeve të përgjithshme për fillim të  qershorit.

I gjithë qershori në Kosovë u dominua nga zgjedhjet e jashtëzakonshme ndërsa në Serbi, me rastin e inaugurimit në detyrën e presidentit, Vučić tha se dëshiron të nisë një dialog të brendshëm rreth Kosovës. Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn, ua kujtoi palëve se përparimi në dialog është parakusht për BE.

Që në fillim të korrikut, lehtësuesja e Dialogut, Federica Mogherini ftoi presidentët Thaçi dhe Vučić, në një takim, që u cilësua joformal, për të dalë pastaj me kumtesën se ata kishin rënë dakord të punojnë për fillimin e një faze të re të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizim të marrëdhënieve dhe pajtim. Raporti më i fundit zyrtar i Kosovës rreth gjendjes në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, i cili iu dorëzua BE-së gjatë këtij muaji thotë se “disa nga marrëveshjet janë bllokuar plotësisht siç janë: marrëveshjet për energjinë, drejtësinë dhe diplomat. Të tjerat janë ndërprerë në faza të ndryshme të zbatimit siç janë: marrëveshja për kadastrën, shuarja e “mbrojtjes civile”, rivitalizimi i Urës së Mitrovicës, rivitalizimi i rrugës kryesore në Mitrovicën veriore, shpërbërja e plotë e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë. Ndërsa disa të tjera i janë nënshtruar vonesave siç janë: asociacioni, reciprociteti në targat e regjistrimit.”

Presidentët Thaçi dhe Vučić u takuan përsëri në gusht, “ranë dakord për hapat final për zbatimin e  marrëveshjes së Drejtësisë të arritur në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja,” dhe “konfirmuan se  marrëveshja do të implementohet në tërësi më 17 tetor 2017.” Marrëveshja u arrit në shkurt 2015, kur u nënshkrua nga kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vučić.

shtator, tre muaj pas zgjedhjeve, u votua qeveria e re e Kosovës, me ç’rast kryeministri i sapozgjedhur, Ramush Haradinaj, në fjalimin e tij të parë në parlament tha se “dialogun me Serbinë e kemi pa alternativë edhe pse kemi një histori tragjike.” Haradinaj foli edhe për hapjen e një dialogu të brendshëm për të kuptuar, siç tha, “ndjenjën e qytetarëve, të popullit në tërësi, për këtë dialog.” Dialog të brendshëm kishte paralajmëruar para tij, në qershor, edhe Aleksandar  Vučić, me rastin e inaugurimit në postin e presidentit të Serbisë.

Integrimi në gjyqësi i cili ishte paraparë të bëhej në fillim të vitit (më 10 janar) përfundimisht filloi të zbatohej në tetor pasi gjyqtarët dhe prokurorët serbë dhanë betimin para presidentit Thaçi (neutral ndaj statusit, sipas kryeministres serbe, Ana Brnabić). Po këtë muaj në Serbi filluan të mbahen takimet në kuadër të dialogut të brendshëm për Kosovën.

“Këto ditë do të shënojmë një vit nga takimi i fundit në nivel ekspertësh,” tha drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Đurić, në fillim të nëntorit. Sipas tij, në sistemin institucional të Prishtinës më “nuk ekziston instanca e ngarkuar për dialog, sepse në qeverinë e sapokrijuar të Kosovës nuk ka as ministri, as zyrë e as ndonjë shërbim që do të merrej me këtë punë”. Kryeministri Haradinaj, gjatë qëndrimit të tij të parë në Bruksel, tha se “duhet të ketë përfshirje të SHBA-së” në dialog. Edhe presidenti Thaçi e konsideron të domosdoshëm rolin e SHBA-së në fazën e re të Dialogut, dhe tha se pas takimit të tij me zëvendëspresidentin Mike Pence, Uashingtoni ka konfirmuar se do të marrë pjesë në këtë proces. Në vizitë në Moskë, presidenti Vučić deklaroi se kishte marrë konfirmim nga presidenti Vladimir Putin për gatishmërinë e Rusisë që të përfshihet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit nëse do të ketë përpjekje për të përfshirë SHBA-në në të.

Në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2017, kryeministri Haradinaj paralajmëroi një platformë për “fazën finale të dialogut” dhe për këtë, tha, “jemi konsultuar edhe me presidentin dhe me kryeparlamentarin.” Për këtë fazë finale, në konferencën përmbyllëse të vitit me gazetarë, presidenti Thaçi tha se nënkupton “ose njohje direkte për Kosovën që do të përfundonte me njohje reciproke, ose përfundim të procesit me të drejtën e Kosovës për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.” Nga ana e tij presidenti Vučić njoftoi se do t’i bëjë publike propozimet e tij për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në fillim të muajit prill dhe shtoi se të dyja palët do të duhet të bëjnë kompromise.