Bashkë me rekapitullimet vjetore që në fund të dhjetorit iu bënë Dialogut dhe procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, pati edhe njoftime për përpjeket që po bëheshin për një raund të ri bisedimesh – me intensitet më të shtuar, u tha – që në muajin e parë të 2018-s.
Në gjysmën e parë të janarit qeveria e Kosovës, me propozimin e kryeministrit, emëroi shefin e ri të delegacionit kosovar për bisedimet me Serbinë. Shefi i stafit të kryeministrit, Avni Arifi, zëvendëson Edita Tahirin, ish-ministren për Dialog, në postin i cili mbeti bosh pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Isa Mustafës në maj të vitit të kaluar që çoi vendin në zgjedhje të parakohshme. Vetëm një ditë më vonë u njoftua se më 16 janar do të vazhdonte dialogu teknik në Bruksel, pas një ndërprerje prej më shumë se një viti. “Presim angazhim konstruktiv nga të dyja palët dhe një qasje të orientuar drejt rezultateve,” u citua se kishte thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijančič, për takimet në të cilat do të trajtoheshin “pjesë të marrëveshjes së Brukselit që ende nuk janë implementuar.” Një ditë para rifillimit të dialogut grupi i ri negociator i Kosovës zhvilloi një takim më shumë se tre orësh me zyrtarët e BE-së. Në kumtesën e qeverisë u tha se “grupi i ri negociator është i përkushtuar që procesi i dialogut të zhvillohet me transparencë të madhe në raport me qytetarët”. Sipas një njoftimi të mëpastajmë të kryeministrit Haradinaj, çështjet që pritej të trajtoheshin ishin: liria e lëvizjës, bashkëpunimi rajonal, menaxhimi i integruar i kufirit, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë, revitalizimi i urës në Mitrovicë, Drejtësia dhe Energjia.
Megjithatë, të martën, kur duhej të fillonin bisedimet mes delegacioneve, nga Mitrovica e Veriut u njoftua se në orët e mëngjesit ishte vrarë politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanović. Kjo shtyri ekipin negociator serb që të ndërpresë negociatat dhe të kthehet urgjentisht në Beograd. Vrasja e Ivanović-it u dënua gjërësisht nga udhëheqësit e Kosovës, të Serbisë dhe nga përfaqësuesë të bashkësisë ndërkombëtare. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, zhvilloi bisedë telefonike me presidentët Thaçi dhe Vučić dhe u “bëri thirrje të gjitha palëve që të tregojnë gjakftohësi dhe përmbajtje dhe t’i lënë sundimin e ligjit dhe drejtësinë të kryejnë punën e vet”. Se çfarë nënkupton humbja e Ivanović-it të paktën për një pjesë të komunitetit serb të Kosovës, Nevena Radosavljević e përmbledhë këtë në New Perspektiva në blogun “Të shtëna mbi të ardhmen”.
Një ditë më vonë, edhe presidentët Thaçi e Vučić zhvilluan bisedë telefonike me njëri-tjetrin. Komunikimi direkt mes tyre në lidhje me vrasjen e Ivanović-it dhe marrëveshja e tyre për vazhdimin e dialogut u përshëndet nga BE. Por, drejtori i zyrës së qeverisë serbe për Kosovë, Marko Đurić thotë se nuk do të ketë dialog në Bruksel, derisa nuk dihet kush janë përgjegjësit për vrasjen e Ivanović-it. Vrasja e Ivanović-it ishte shkas për vizitë të presidentit serb në Kosovë, e cila kaloi pa asnjë incident. Presidentit Thaçi i erdhi mirë që homologu i tij serb, gjatë qëndrimit në Kosovë, kishte theksuar disa herë “rëndësinë e dialogut, si rrugën e vetme për normalizim dhe pajtim”. Javën tjetër ata u takuan në Davos, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, ku përsëri biseduan për vazhdimin e dialogut dhe, sipas presidentit Thaçi, edhe për “domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje historike ndërmjet dy shteteve”. Marrëveshjen historike presidenti Vučić e sheh si një kompromis të cilin e përshkroi kështu: “Të humbim më së paku që duhet e të fitojmë më së shumti që mundemi. Dhe shumë herë kam thënë se situata në të cilën ne dhe Prishtina merremi vesh duhet të jetë e tillë që edhe njëra palë edhe tjetra të jemi ngapak të pakënaqur dhe të hidhëruar. Nëse dikush mendon se dikush mund të fitojë çdo gjë, e tjetri të mos fitojë asgjë – mendoj se kjo është rrugë e gabuar dhe nuk do të çojë kurrë deri te ndonjë zgjidhje.”
Për një marrëveshje në fund të Dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit – në këtë rast “marrëveshje e detyrueshme ligjore” – foli edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd. Ai tha se Strategjia e re e BE-së për Ballkanin Perëndimor, e cila do të paraqitet javën e ardhshme, “me siguri do të përshkruajë rrugën deri te një marrëveshje e detyrueshme ligjore midis Serbisë dhe Kosovës si një përbërës të domosdoshëm.”