Shënimi i muajit

2
347

Përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave kanë vazhduar edhe në muajin maj në Bruksel. 

Siç kishte paralajmëruar, i dërguari i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak zhvilloi takime me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atë të Serbisë, Petar Petković, për të vazhduar diskutimet të cilat nuk kishin prodhuar një marrëveshje brenda afatit gjashtëmujor, siç ishte synuar kur ato filluan në tetor të vitit të kaluar

Rezultatet e takimeve më 13 maj, Lajčak i cilësoi si të përziera. “Është për keqardhja që nuk është arritur marrëveshje për targat, megjithatë kemi bërë përparim në çështje të tjera, përfshirë energjinë,” tha Lajčak dhe shtoi se puna do të vazhdojë.

Petković tha se “për tema të caktuara ka hapësirë për marrëveshje, por për të rënë dakord duhet edhe pala tjetër, e cila duhet të pajtohet, ndërsa ajo i refuzon të gjitha. As sot nuk erdhi deri te takimi i drejtëpërdrejt me Bislimin, sepse ai refuzoi të bisedonte për Bashkësinë e komunave serbe dhe çështjen e të pagjeturve, për të cilat ne insistuam”.

Por Bislimi thotë se “për targat janë prezantuar disa opsione në përputhje me standardet evropiane. Pala kosovare ka zgjedhur opsionin e vet, por ka munguar nga pala serbe. Ata i kanë kërkuar edhe gjashtë muaj shtesë, për shkak të zhvillimeve pas zgjedhjeve”. Ai e quajti kërkesën e palës serbe joserioze dhe tha se nuk kanë qenë të sinqertë.

Në Komisionin për Punë të Jashtme të parlamentit të Kosovës, Bislimi njoftoi se pala kosovare ka paraqitur “udhërrëfyes që parasheh hapat që nga licencimi i Elektroseverit” dhe shtoi se janë në rrugë të mirë për “rezultate konkrete në mënyrë që veriu të futet brenda sistemit të Kosovës të faturimit, distribuimit.” Bislimi tha se është diskutuar edhe për çështjen e të pagjeturve, në hartimin e një deklarate-dokument për rritjen e intensitetit.

Gjatë kësaj periudhe, Lajčak takoi përsëri kryeministrin Albin Kurti, dhe presidentin, Aleksandar Vučić, këtë herë në margjinat e Forumit të Bratisllavës, GLOBSEC 2022. Në njoftimet për takimet e tyre, po ashtu të ndara, me Lajčakun, edhe Kurti edhe Vučić theksuan rëndësinë e qasjes konstruktive në vazhdim të dialogut. 

Disa ditë më parë, Lajčak kishte takuar edhe të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Uashington, ku tha se kishte zhvilluar “një numër konsultimesh intenzive dhe produktive” mbi bashkëpunimin BE-SHBA në Ballkanin Perëndimor dhe rrugën përpara në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Angazhim konstruktiv të palëve në Dialog kërkuan këtë muaj ministrat e Jashtëm të G7-s dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, që u mblodhën në Gjermani “në një mjedis strategjik dhe të sigurisë të ndryshuar fundamentalisht” për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës, që e cilësuan si moment vendimtar për shekullin XXI që mbartë pasoja dramatike përtej Evropës.

Në deklaratën e tyre, mes tjerash, ata i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë “që të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE, t’i zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara pa vonesë, dhe të normalizojnë marrëdhëniet e tyre përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, që do të mundësojë realizimin e perspektivave të tyre respektive evropiane, do t’i kontribuojë stabilitetit rajonal dhe në dobi të të gjithë popujve në rajon”.Ministrat e Jashtëm të G7-s dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së vlerësuan Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për rreshtimin e plotë të politikave të tyre të jashtme me BE-në, përfshirë sanksionet dhe zbatimin e tyre dhe i bënë thirrje Serbisë që të bëjë të njëjtën gjë.

Deri më tani, Serbia nuk ka bërë një hap të tillë. Përkundrazi, nga fundi i majit, Vučić zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, me ç’rast ishin pajtuar për zgjerimin e bashkëpunimit tregtar-ekonomik dhe “që Rusia të vazhdojë të furnizojë Serbinë ma gaz natyror”, për tri vitet e ardhshme.

Në një reagim ndaj këtyre njoftimeve, BE tha se “në rrethanat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe ndaj rendit ndërkombëtar, BE pret nga Serbia që si vend kandidat të mos forcojë edhe më shumë lidhjet e saja me Rusinë“.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha po ashtu se “nga vendet kandidate pritet po ashtu që gradualisht t’i përshtatin politikat e tyre ndaj vendeve të treta me qëndrimet dhe politikat e miratuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe masat kufizuese”.

Dy javë më herët, edhe vetë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, pas një takimi të Këshillit për Politikë të Jashtme, tha se Serbia duhet, sa më parë që munden, të zbatojë sanksionet kundër Rusisë. Ai tha se mbajtja e lidhjeve të ngushta me regjimin e Putinit nuk ishte më kompatibile me ndërtimin e një të ardhme të përbashkët me Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, Kosova ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, hap që u komentua nga Serbia si shkelje e marrëveshjes së Uashingtonit. Por Departamenti amerikan i Shtetit tha se Kosova dhe Serbia i përcaktojnë vetë përparësitë e tyre në politikën e jashtme. Në një shkrim, Joanna Hanson, e New Perspektivës, thotë se “procesi nuk do të jetë i shpejtë dhe nuk duhet pritur një anëtarësim të shpejtë, por është në interes të shteteve të tjera evropiane që ta kenë Kosovën me vete”.