Një marrëveshje shumë e pritur, dhe e paralajmëruar një muaj më parë, u arrit në qershor.
Më 21 qershor, kryenegociatorët, Besnik Bislimi, i Kosovës, dhe Petar Petković, i Serbisë, u takuan në Bruksel dhe miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë.
Lajmin e bëri të ditur lehtësuesi i bisedimeve, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak, i cili e quajti atë hap të madh përpara. Në reagimin e tij të parë publik, Bislimi tha se miratimi i Udhërrëfyesit “mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullator të Kosovës”. Petković zgjodhi të theksojë, mes tjerash, se (kompania) Elektrosever do të furnizojë më vete konsumatorët e energjisë elektrike, se nuk do të ketë faturim retroaktiv dhe se është hapur rruga për bisedime rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pika e parë e udhërrëfyesit thotë se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), organ i pavarur, i cili ka për detyrë të rregullojë aktivitetet në Sektorin e energjisë në Kosovë, do t’i lëshojë një licencë për furnizim Elektrosever-it dhe do të sigurojë respektimin e kushteve të parapara me licencë, në pajtim me kornizën ligjore dhe rregullatore të Kosovës.
Tri ditë më vonë, Bordi i ZRRE-së, pas shqyrtimit të aplikacionit të ndërmarrjes “Elektrosever” miratoi kërkesën për t’i dhënë licencën “për furnizim me energji elektrikë për konsumatorët në katër Komunat veriore të Republikës së Kosovës”. Në njoftim thuhet se “me dhënien e kësaj licence pritet fillimi i plotësimit të kushteve të cilat janë paraparë ne marrëveshjen e fundit të nënshkruar në Bruksel dhe përfundimisht normalizimi i faturimit dhe inkasimit të energjisë së konsumuar.”
Në javën e fundit të qershorit, Lajčak qëndroi në Prishtinë dhe më pas në Beograd, në një vizitë për të cilën tha se kishte për qëllim përgatitjet “për takimin e ardhshëm të krerëve dhe për të folur për përparimin dhe normalizimin e marrëdhënieve”. Por, disa vendime që ndërkohë miratoi qeveria e Kosovës duket se krijuan “një situatë të re”, siç e quajti Lajčak.
Fjala është për vendimet që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa të lëshuara në Serbi për qytetet e Kosovës, që nga përfundimi i luftës deri në prill të këtij viti, “t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS”. Po ashtu, si masë reciprociteti, qeveria miratoi vendimin “sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë”.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se “sipas marrëveshjeve nga dialogu për lirinë e lëvizjes – nga viti 2011 dhe 2016 – Kosova ka të drejtë t’i heqë nga përdorimi targat KM. Por, është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për implementimin e këtij plani dhe që ai të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të afërt me qytetarët dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane.”
Në vendimin e qeverisë së Kosovës është caktuar afati i regjistrimit nga data 1 gusht deri më 30 shtator dhe obligohet Ministria e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi.
Vendosja e reciprocitetit nga ana e qeverisë së Kosovës është pjesë e objektivit të saj final për njohje reciproke në angazhimin e saj në Dialogun me Serbinë.
Njohja reciproke si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse në këtë proces u theksua qartë këtë muaj nga kancelari gjerman Olaf Scholtz, kur qëndroi në vizitë në Prishtinë e Beograd, në gjysmën e parë të qershorit. Ai tha se është e qartë që “marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së.”
Po ashtu, edhe Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme (AFET), me rastin e miratimit të raporteve të Komisionit Evropian mbi Serbinë dhe Kosovën, e përfshiu njohjen reciproke si bazë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve, e cila është kyçe për të dyja vendet që të përparojnë në rrugët e tyre respektive evropiane.