Janari u mbyll me një takim të organizuar nga ambasada amerikane në Prishtinë për të diskutuar krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, që parashihet me Marrëveshjen e Brukselit, të vitit 2013. Në takim morën pjesë zyrtarë të qeverisë së Kosovës, udhëheqës të partive politike dhe pjestarë të shoqërisë civile.
Një ditë më parë, po në Prishtinë, organizata gjermane, Friedrich Ebert Stiftung (FES), bëri publik një draft-statut të sajin për Asociacionin, për të cilin thanë se “janë kujdesur që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me Marrëveshjen e Brukselit”.
Po atë ditë, në një shkrim me titull “Është koha për themelimin e Asociacionit…”, bashkëautorët, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, theksonin se “zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin është obligim i mbetur, ligjërisht i detyrueshëm, ndërkombëtar, për të cilën kërkohet veprim nga Kosova, Serbia dhe BE-ja dhe një zotim ekzistues nga Shtetet e Bashkuara në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Escobar edhe më parë e ka theksuar se “gjëja më e rëndësishme që SHBA-ja do, është të shohë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.”
Chollet dhe Escobar qëndruan në Prishtinë dhe Beograd në javën e dytë të janarit, ndërkaq Escobar iu bashkua disa ditë më vonë edhe të dërguarit të BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak, kur bashkë me këshilltarë gjerman, francez e italian (Jens Plötner, Emmanuel Bonne dhe Francesco Maria Talò), vizituan Prishtinën dhe Beogradin.
I gjithë ky aktivitet diplomatik po zhvillohet me qëllimin për t’i shtyrë palët që të pranojnë propozimin evropian/planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quan “platformë për diskutim të mëtutjeshëm” ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, “kornizë të re negociuese”.
Kurti tha se propozimi ishte bazë e mirë për diskutim por se nuk kishte pasur një ultimatum të tipit “merre ose lëre” ndërkaq Vučić tha se atij i ishte thënë “duhet ta pranoni këtë plan”. Të dy ata kanë pranuar se diplomatët perëndimorë u kishin folur për pasojat që mund të ketë mospranimi i propozimit. Derisa Kurti tha se “mund ta kenë thënë në mënyrë implicite që mbështetja për Kosovën që pritet, nuk do të mund të jetë e tillë nëse Kosova nuk cilësohet si konstruktive,” Vučić tha se i kishin thënë që nëse nuk e pranon planin franko-gjerman, Serbia do të përballet me bllokim në integrim evropian, ndalim të investimeve dhe masa gjithëpërfshirëse, në kuptimin politik dhe ekonomik.
Propozimi, i cili zyrtarisht ende nuk është bërë publik ndonëse media të ndryshme kanë njoftuar se kanë pasur qasje në të, iu paraqit palëve për herë të parë në shtator të vitit të kaluar. Një tekst i përditësuar i planit iu dorëzua palëve në fillim të dhjetorit, në të njëjtën ditë kur edhe nisi të përshkallëzohej situata, e cila kishte filluar të tensionohej pas largimit të përfaqësuesve të serbëve të veriut nga të gjitha institucionet e Kosovës, që rezultoi me 20 ditë barrikada, ngritje të gadishmërisë ushtarake në Serbi, sulme ndaj policisë së Kosovës dhe EULEX-it – situatë që u vlerësua si më e keqja në dhjetë vitet e fundit.