Me fillimin e vitit të ri u vërejt një angazhim më i madh i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, ndërkohë që në Prishtinë po bëheshin më shumë se tre muaj që vazhdonin negociatat për një koalicion të ri qeverisës. Derisa BE shtoi përpjekjet për ringjalljen e bisedimeve të ndërprera efektivisht para dy vitesh, amerikanët pretenduan suksese me arritjen e marrëveshjeve të reja midis dy vendeve.
Nga mesi i janarit, përfaqësuesi i ri i Lartë i BE-së, Josep Borrell, zhvilloi biseda telefonike me presidentët Hashim Thaçi e Aleksandar Vučić rreth rëndësisë së rifillimit të bisedimeve dhe përsëriti qëllimin e tij për të vizituar të dyja vendet në javët në vazhdim.
Vetëm pesë ditë më vonë, në ambasadën amerikane në Berlin, u arrit një marrëveshje të cilën ndërmjetësi, i dërguari i posaçëm presidencial për negociatat e paqës, Richard Grenell, e cilësoi “fitore historike”. U nënshkrua një “Letër synimi” mes kompanisë ajrore Lufthansa, përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë për nisjen e një linje ajrore midis dy kryeqyteteve. “Të gjithë thanë se nuk mund të bëhej. Por për herë të parë në një gjeneratë, do të ketë fluturime direkte midis Serbisë e Kosovës. Një tjetër fitore,” deklaroi vetë presidenti Donald Trump. Letra e synimit specifikon se për pasagjerët, postën dhe mallrat që barten me këtë linjë të posaçme ajrore (Belgrade-Pristina Special Air Route – BPSAR) do të zbatohen “marrëveshjet për Lirinë e Lëvizjes dhe Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), të arritura gjatë dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës”. Ajo u nënshkrua nga përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë (në emër të Serbisë) dhe nga drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil (në emër të Kosovës). Eset Berisha, i Autoritetit të Aviacionit Civil, foli për hapat e mëtejm për zbatiimin e kësaj marrëveshje. Sipas njoftimeve, planifikohet të ketë disa fluturime në javë nga kompania ajrore Eurowings, në pronësi të Lufthanses, dhe ato pritet të fillojnë në verë.
Disa ditë më vonë, Grenell zbriti në Prishtinë, së pari, ku tha se ideja për fluturimet midis dy kryeqyteteve ”ka ardhur nga dy komunitetet e biznesit” në Kosovë e Serbi dhe shtoi se qëllimi i kësaj vizite ishte që të takohej (përsëri) me një numër të madh biznesesh për të dëgjuar se “cila është ideja e radhës, çfarë duhet të bëjmë tjetër për të lëvizur përpara”.
Edhe në vizitën e tij të parë në Kosovë, në tetor të vitit të kaluar, zoti Grenell pati theksuar se “administrata e Presidentit Trump fuqimisht beson që zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë dhe rritja e mundësive tregtare luajnë rol kryesor në sigurimin e paqes së qëndrueshme”.
Në Beograd, Grenell u citua se kishte thënë që “në çdo takim që kam pasur në Kosovë kam thënë se duhet t’i heqin taksat, por njëkohësisht do të ngul këmbë edhe që Serbia të ndërpresë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Kjo duhet të ndodhë në të njëjtën kohë dhe, sinqerisht, mendoj se do të ndodhë së shpjeti.” U bë e ditur poashtu se ishin zhvilluar bisedime edhe për rivendosjen e një linje hekurudhore midis dy vendeve. Takimi që pasoi në Berlin më 27 janar, midis delegacionit kosovar të përbërë nga zyrtarë të Ministrisë kosovare të infrastrukturës dhe delegacionit serb të kryesuar nga drejtori i zyrës për Kosovë, u vlerësua nga ndërmjetësi Grenell si përparim i mirë drejt nënshkrimit të një letre tjetër synimi mbi bashkëpunimin hekurudhor, për përfundimin e së cilës do të punohet në ditët në vazhdim.
“Pas një stine të gjatë të thatë është mirë që të dyja shtetet kanë qenë në gjendje të bien dakord për çfarëdo. Por marrëveshjet për aeroplanët dhe trenat mund të mos jenë domosdo shenjë e një progresi pa vështirësi në të ardhmen,” shkruan Eric Gordy, profesor në University College London, në një artikull nergut për botim në New Perspektiva, ku mund të gjeni edhe një përmbledhje komentesh nga mediat kosovare rreth këtyre marrëveshjeve.
Janari u mbyll me vizitën e parë të përfaqësuesit të ri të Lartë të BE-së, Josep Borrell, në rajon. Pas paralajmërimit të mëhershëm se BE do të bëjë “çmos për të lehtësuar Dialogun Serbi-Kosovë”, në Prishtinë Borrell foli edhe për angazhimin e shtuar amerikan në dialog. BE dhe SHBA, tha ai, janë këtu për lehtësimin e dialogut midis Serbisë e Kosovës. “Nuk po bëjmë gara… Duam të bashkëpunojmë. Duam të punojmë së bashku, nuk kemi dallime. Nuk po kërkojmë protagonizëm, duam të jemi të dobishëm dhe nganjëherë për të qenë i dobishëm duhet të jesh diskret,” tha Borrell. Në Beograd, ai u citua se ka thënë që pa zgjidhje në dialogun me Prishtinën, Serbia nuk e ka të sigurt perspektivën evropiane, porosi për të cilën e falenderoi presidenti serb Aleksandar Vučić, duke shtuar se “njerëzit në Serbi duhet ta dinë dhe ta dëgjojnë këtë”.
Vetë zoti Borrell tha se BE “duhet të angazhohet më fuqishëm se në të kaluaren, më fuqishëm se muajt e kaluar, në lehtësimin e këtyre bisedimeve”. Ai poashtu paralajmëroi mundësinë e emërimit të një përfaqësuesi të posaçem të BE-së që do t’i ndihmonte atij në lehtësimin e bisedimeve.