Një periudhë njëmujore si asnjë deri më sot me përpjekje intensive, në dukje konkurruese, për të rinisur një proces të ndërprerë për më shumë se dy vite dhe me kthesa të papritura.
Më në fund, javën e kaluar u zhvilluan takime që shënojnë rifillimin e Dialogut midis Kosovës e Serbisë, “me BE-në përsëri në timon të procesit“, siç u shpreh Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme. Borrell i inkurajoi palët që t’i qaseshin bisedimeve në “frymë kompromisi dhe pragmatizmi dhe me të ardhmen evropiane për popujt e Kosovës e Serbisë në mendje”, ndërsa Përfaqësuesi special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak, njoftoi se diskutimet e së enjtes me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić ishin fokusur në dy elemente: të pagjeturit e të zhvendosurit dhe bashkëpunimi ekonomik. Agjenda e takimit të parë fizik të palëve pas një kohe të gjatë u dakordua në një video-konferencë të mbajtur disa ditë më herët.
Këtyre takimeve u parapriu samiti i Parisit, më 10 korrik, që ishte paralajmëruar që vitin e kaluar. I organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, samiti tuboi (virtualisht, për shkak të rrethanave globale të shkaktuara nga pandemia e Covid-19) kryeministrin Hoti dhe presidentin Vučić, bashkë me përfaqësuesit e BE-së, Borrell e Lajčak. Në komunikatën e lëshuar pas samitit thuhet se BE “do të vazhdojë të lehtësojë dialogun e tyre, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, me anë të një marrëveshje gjithpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme”. Komunikata thekson se “normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe ka një rëndësi të madhe për perspektivën e pranimit të dy vendeve në BE”. Macron edhe Merkel do të vazhdojnë të angazhohen për këtë çështje dhe do të jenë të gatshëm të organizojnë një samit të ri “nëse është e nevojshme në një fazë të mëvonshme në negociata”.
Vetëm një muaj më parë u duk se BE kishte ngecur mbrapa SHBA-së në përpjekjet për rifillimin e Dialogut.
Pikërisht në ditën kur Lajçak ishte nisur për në Prishtinë, për të diskutuar, siç u tha, kushtet dhe modalitetet e rinisjes së bisedimeve, ‘homologu’ i tij amerikan, Richard Grenell, i dërguari i presidentit Trump për Dialogun, bëri të ditur “lajmin e shkëlqyeshëm” se kishte marrë zotimin e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për të ndërprerë përkohësisht fushatën e çnjohjeve dhe anëtarësimet në mekanizmat ndërkombëtarë, me qëllim që të takoheshin në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, më 27 qershor, për të biseduar për dialogun, me fokusim në rritjen e ekonomive. “Çështjet politike,” tha Grenell, “janë përgjegjësi e evropianëve.”
Por një zhvillim i befasishëm i ndryshoi gjërat. Në ditën kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte nisur për në Uashington, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) bëri publike ekzistimin e një aktakuzë, që ia kishte paraqitur për shqyrtim Dhomave të Specializuar të Kosovës, me të cilën pretendohej se “Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”. Sipas ZPS-së, krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. New Perspektiva sjell një përmbledhje komentesh rreth aktakuzës ndaj presidentit Thaçi, si dhe shkrime mbi akuzat dhe rrjedhojat për procesin e Dialogut.
Presidenti Thaçi me përfaqësuesit e tjerë të Prishtinës si dhe përfaqësuesit e Beogradit nuk mbërritën në Uashington por ministri i jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, po, dhe, pas një takimi me ambasadorin Grenell në Shtëpinë e Bardhë, deklaroi se “s’ka marrëveshje të fshehtë, as plane për ndarje të Republikës së Kosovës, as shkëmbime territoriale, as nxitim për ndonjë marrëveshje të dëmshme, veç përpjekje për të nxitur zhvillimin ekonomik e forcuar popullin e Republikës së Kosovës ndërkombëtarisht me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës!“ Me këtë porosi, Cakaj synonte të përgënjeshtronte spekulimet e shumta që u bënë në lidhje me takimin e organizuar me nxitim në Shtëpinë e Bardhë. Pasi më parë pati thënë se “kurrë nuk kishte parë e as diskutuar” ndonjë plan për shkëmbime territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, Grenell më pas sugjeroi se një ide e tillë kishte qenë e ish-Këshilltarit amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, i cili në qershor botoi një libër kujtimesh që nxiti zemërimin e presidentit Trump dhe vartësve së tij. Vetë Bolton thotë se “mundësia e një shkëmbimi territorial” ishte diskutuar nga liderët e Kosovës dhe Serbisë që në vitin 2018!
Takimi në Uashington nuk u mbajt por Grenell tha se pret me padurim të ricaktohet një datë tjetër. Nga ana e tij, Lajčak i BE-së njoftoi të enjten se palët kishin rënë dakord që të vazhdojnë punën intensive në nivel ekspertësh në javën që kemi përpara dhe që takimi i radhës në nivel të lartë të mbahet në fillim të shtatorit.